Procesi i vaksinimit masiv të popullatës mbi 70 vjeç është shtrirë në të gjithë vendin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në shesh dhe disa qendra shëndetësore në kryeqytet.
“Vaksinimi vijon në të gjitha qytetet, ne jemi shtrirë në mënyrë kapilare në të gjitha qendrat shëndetësore, por edhe në qendrat e vaksinimit të përqendruar në të gjitha rrethet”.
Manastirliu vuri në dukje rëndësinë për të regjistruar të regjistruar të gjitha kërkesat për vaksinim.
“Për të gjithë qytetarët që kanë nevojë të informohen se kur do të jetë radha e tyre e vaksinimit, nëse ende nuk e kanë marrë këtë njoftim duhet të kontaktojnë mjekun e familjes, për të bërë kërkesën për vaksinim. Ose të aplikojnë në portalin e-Albania me një kërkesë të thjeshtë për aplikim dhe do të njoftohen me telefon nga mjeku i familjes apo mesazh për ditën dhe orën e vaksinimit si dhe vendin e vaksinimit”.
Deri tani janë kryer mbi 78 mijë vaksinime në të gjithë vendin.