Disa njësi vendore të dala nga zgjedhjet e qershorit ndodhen në vështirësi serioze financiare. Ministria e Financave konfirmon se ndaj këtyre Bashkive të cilat konsiderohen tatim-pagues të këqinj janë marrë masat për shlyerjen e detyrimeve me çdo mënyrë. Kështu shkruan ‘Ora News’, sipas së cilës Drejtoria e Tatimeve ka nisur që të mbledhë detyrimet e prapambetura të Bashkive të cilat vlerësohen shumë të larta.
Ministria e Financave bën me dije se janë mbi 10 njësi vendore të cilat janë në gjendje më të vështirë financiare si rezultat i paaftësisë për të paguar detyrimet. Kjo ka ardhur pas ndarjes së re territoriale, duke i kaluar kështu të gjitha borxhet te Bashkitë. Në këtë mënyrë është marrë masa që këto detyrime të shlyhen me çdo mënyrë dhe një prej tyre është edhe mbajtja e fondeve që ka për detyre ti shpërndajë qeveria qendrore tek ato vendore.
Sipas burimeve për ‘Ora News’ nga Ministria e Financave, Drejtoria e Tatimeve i ka futur ato në listën e tatimpaguesve të këqinj dhe ka filluar të kërkojë shlyerjen e detyrimeve. Mësohet se detyrimet më të mëdha janë kryesisht ndaj shoqërive të Ujësjellës-Kanalizimeve, OSHEE, por edhe mospagesë të kontributeve të punonjësve.
Disa nga Bashkitë të cilat gjenden në situatë më të vështirë financiare janë Tepelena, Kavaja, Kruja, Poliçani, Përmeti, Memaliaj, Rrogozhina, Divjaka dhe Fushë-Kruja.