Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, Qarku i Durrësit do të ishte një fushëbetejë e fortë mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike.
Sondazhi i tretë kombëtar i MRB-së për Euronews Albania tregon në bazë të analizimit të të dhënave, ndarja e mandateve për Qarkun e Durrësit do të jetë thuajse e barabartë.
Durrësi ka gjithsej 14 mandate dhe projeksioni tregon se PS mund të marrë 7-8 mandate, ndërsa PD është në kufijtë e 6-7 mandateve.
Këto të dhëna u bazuan në projeksionin sipas të cilit nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën në Durrës do të votohej kështu:
- PS – 49.1%
- PD – 41.9%
- LSI – 6.1%
- Parti tjetër – 2.9%
Sipas projeksioni duket se vetëm një mandat është në dyshim që përveç luftës mes PS-PD, në garë për ta fituar është edhe LSI. Kështu paraqitet projeksioni për Durrësin, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot:
- PS – 7-8 mandate
- PD – 6-7 mandate
- LSI – 0-1 mandat
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, PD duket se ka një rritje të konsiderueshme pasi nga 4 mandate që kishte zgjedhjet e kaluara, këtë herë lufton për të marrë mandatin e 7-të.
Qarku Durrës beson në një normë të lartë se PS do të arrijë të ketë shumicën parlamentare (82.5%) ndërsa të njëjtën gjë besojnë 49.9% e të anketuarve për Partinë Demokrate.
Ndërsa PS-së duket se do t’i duhet të luftojë për të ruajtur rezultatin e zgjedhjeve të kaluar pasi rrezikon që të zbresë nga 8 mandate në 7. Nga ana tjetër LSI që kishte në 2017 dy mandate, këtë herë sipas sondazhit mund të sigurojë një deputet.
Në zgjedhjet e vitit 2013, kur Durrësi kishte 13 mandate dhe PS dhe LSI garonin në një koalicion, morën përkatësisht 6 dhe 1 mandat. Nga ana tjetër PD mori 5 mandate ndërsa një mandat siguroi PR.
Sondazhi u shtri në zonat urbane dhe rurale të qarkut të Durrësit ku u realizuan 660 intervista ballë për ballë gjatë periudhës 7-17 mars.
/a.r