Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të enjte nga aeroporti i Rinasit, ku erdhi së bashku me 192 mijë dozat e vaksinës kineze të siguruara në Turqi, se Shqipëria është gati që të marrë përsipër vaksinimin e të gjitha bluzave të bardha të Kosovës. Ai u shpreh se është në dorën e autoriteteve në Kosovë për të vendosur nëse duan të përshpejtojnë procesin.
“Jemi gati menjëherë që nesër të marrim përsipër vaksinimin e të gjitha bluzave të bardha të Kosovës. Janë 11 mijë bluza të bardha në Kosovë dhe brenda 20 ditësh, maksimumi, duke pasur parasysh ardhjen e tyre në Kukës, ne jemi gati të kryejmë vaksinimin e të gjithëve. Në rast se duan ta përshpejtojnë procesin dhe nëse janë në gjendje të vijnë në Kukës, nuk ka problem mund të bëhet shumë më shpejt”, tha Rama.
Kreu i qeverisë bëri me dije teksa ishte në Stamboll se Shqipëria ka siguruar 1 milionë vaksina kineze Sinovac. 500 mijë prej tyre do të vijnë brenda 60 ditëve, prej të cilave 192 mijë mbërritën këtë të enjte. Kryeministri u shpreh se është i bindur që brenda Qershorit mund të vaksinohen gjysmë milioni qytetarë në vend.
/a.r