Drejtuesi politik i PS i Tiranës Erjon Veliaj ka dhënë detaje në lidhje me fushatën që Partia Socialiste pritet që të mbajë sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Veliaj thekson se tubimi do të nisë sot në orën 18:00, duke shtuar se mitingu do të jetë dixhital. Ai tha se në këtë miting pritet që të flasin zonja të nderuara, por edhe figura të reja, që i janë bashkuar PS-së.
“Ne do të fillojmë në orën 6, edhe për të respektuar kolegët e PD-së, që e nisin më herët. E kemi shtyrë tubimin tonë pak më tej, që të kemi tubim qytetar të fushatës. Janë ndarë në ishuj, që të identifikohen qarqet. Eventi do të fillojë me një spot fantastik, me zërin e Robert Ndrenikës. Programi ynë ka shumë pika, me kolona për çështje të tilla si vaksinimi, reforma në drejtësi. Mitingu i sotëm do jetë dixhital.
Mbështetësit tanë do të logohen online dhe fushata do jetë e bazuar në komunikim dixhital. Do ketë qindra e mijëra komunikime me 10 veta e ruhet komunikimi qytetar. Do jetë eksperiencë unike. Unë them se do të shkojë mbarë, sondazhet na tregojnë me avantazh të thellë. Por, dita e votimit është koha kur sondazhet tregohet në kutitë e votimit. Ne do ta çojmë punën deri në fund, me një përfundim të lumtur”, tha Veliaj.
Erjon Veliaj nënvizoi se sondazhet e nxjerrin Partinë Socialiste fituese absolute, duke thënë se megjithatë, sondazhi i vërtetë është ditën e zgjedhjeve, më datë 25 prill.
“Tre zonjat do mbajnë fjalën për Tiranën, janë zonja që janë kthyer në ikonë në betejat e tërmetit dhe të shëndetësisë. Do jenë edhe figura, që nuk janë rrahur me kamerat. Fabula e listës sonë ishte ndryshimi.
Është rënë dakord me sloganin “Shqipëria, e ardhmja jonë” dhe nën-slogani është “S’ka kohë për pushim”, që ka shoqëruar të gjitha aksionet tona për rikuperim nga tërmeti, por edhe nga pandemia. Unë që nesër do të nis punën. Çdo ditë do ketë tematikën e vet.”, deklaroi Veliaj./ b.h