Banka e Shqipërisë parashikon se ekonomia gjatë këtij viti do të rritet me një normë 4.9% dhe me 4.1% vitin e ardhshëm.
Guvernatori Gent Sejko tha se çdo gjë do të varet nga tre faktorë: ecuria e pandemisë dhe masat që do të merren prej saj, vaksinimi i popullatës dhe testi i sezonit turistik të këtij viti.
“Vaksinat janë elementi kryesor që përshpejtojnë fundin e pandemisë dhe si rezultat përmirësohen treguesit ekonomikë. Ne presim dhe sezonin veror i cili është test për ecurinë ekonomike. Por ka pasiguri, nuk e dimë sa do të zgjatë pandemia”, tha Sejko.
Nëse pasiguritë e përhapjes më të madhe të infektimeve me Covid, apo rënies së konsumit dhe frenimit të aktivitetit kreditues do të materializohen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore do të ulë përtej normës 0.5% që është sot normën bazë të interesit të lekut.
“Politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm. Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i rreziqeve të kahut të poshtëm do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.”
Për bankën qendrore, edhe pse pati rënie të punësimit në periudhën e fundit të vitit, ekonomia në tremujorin e katërt muajt e parë të vitit 2021 ka dhënë sinjale rikuperimi, këto të fundit të mbështetura dhe nga politika lehtësuese në taksa e qeverisë.
/a.r