Nuk është hera e parë që kreu i qeverisë shqiptare u dërgon letër bizneseve. Revista ‘Monitor’ shkruan se këtë herë, kryeministri Edi Rama ka nisur t’u dërgojë letra bizneseve të vogla, të cilave krahas falenderimit e të qenurit taksapagues të rregullt, u ka njoftuar se tashmë, ata nuk do të paguajnë taksa.
Njoftimin që bizneset e vogla janë përjashtuar nga detyrimi për të paguar taksa (vetëm sigurime shëndetësore dhe shoqërore) Edi Rama e dha gjatë një takimi me bizneset muajin e shkuar.
Rama tha asokohe se, të gjitha bizneset e vogla me xhiro vjetore deri në 5 milion lekë do të përjashtohen nga tatim fitimi.
Ja letra e kryeministrit:
“Ju jetoni me një biznes të vogël, të regjistruar sipas ligjit dhe operoni me kasë fiskale sikundër e parashikon ligji për çdo biznes formal. Ju lutem, pranoni shprehjen e respektit tim për këtë.
Xhiroja juaj e deklaruar vjetore ju bën përfitues të rezultatit më kuptimplotë të arritur deri tani në luftën tonë të përbashkët, kundër informalitetit.
Ulja në zero e taksës mbi fitimin Tuaj. Ky është një rezultat i arritur më shpejt se ç’e kishim parashikuar dje kjo është në radhë të parë merita Juaj dhe e të gjithë atyre që njësoj si Ju, u bashkuan me mua dhe me qeverinë tonë për të operuar kancerin shkatërrues të informalitetit.
Ky kancer e ka penguar Shqipërinë të luftojë varfërinë, të rrisë punësimin real dhe të fuqizojë biznesin e ndershëm. Unë jam i lumtur për këtë dhe ju siguroj se ky është vetëm fillimi i përfitimit të madh dhe të përbashkët të individëve e të shoqërisë sonë, nga këto reforma shëruese.
Duke zbatuar ligjin e duke fituar në rrugë të ndershme, ju jeni në anën e duhur të historisë së zhvillimit ekonomik dhe social të këtij vendi dhe ftesa ime është që të vazhdojmë ta luftojmë bashkërisht, deri në fund, kancerin e informalitetit, i cili është zmbrapsur por nuk është mundur dhe aq më pak asgjësuar.
Prandaj, ju lutem mos harroni se krahas përfitimit nga heqja e plotë e taksave, ju kemi detyrimin të bëni biznes të pastër çdo ditë, për të pastruar më tej Shqipërinë! Së bashku!
Duke iu uruar shëndet e gëzime për ju dhe familjen Tuaj, unë ju sugjeroj se do të bëj gjithçka që ju të ndjeheni mirë e më mirë, në punën e jetën tuaj e të familjes suaj!
Juaji Gjithmonë,
Edi Rama “