Këtë 24 mars mbushen 22 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës. Rreth kësaj date të shënuar foli edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi në studion e “7 pa 5” në “Vizion Plus”.
Ai kujtoi sesi e ka marrë lajmin për ofensivën e NATO-s, ndërsa nuk la pa përmendur edhe Marrëveshjen e Rambujesë. Në këtë pikë, Petro Koçi përmendi një deklaratë të ish-kryeministrit Sali Berisha, që sipas tij, tregon se ai është antiperëndimor.
“Unë në atë moment kam qenë në zyrë. Ishim të informuar që do të ndodhte, por ishim skeptik se nganjëherë mendonim se do të ishte thjesht një presion për të bërë Millosheviçin të tërhiqej. Teleteksti italian tha vetëm një fjali: Fillojnë bombardimet mbi Beograd. Menjëherë mora në telefon zotin Majko, që ishte kryeministër, dhe thash: Filloi! Moment më deciziv ka qenë Konferenca e Rambujesë. Rambujeja vendosi, për fatin tonë të mirë, solidaritetin me shqiptarët dhe jo më me ato praktikat e joshjes me projekte për të demokratizuar Kosovën. Në Rambuje shqiptarët firmosën dhe për fatin tonë të mirë Millosheviçi nuk firmosi. Këtu duhet të themi që Sali Berisha ka bërë një thirrje publike dhe ka deklaruar që kush firmos në Rambuje, është tradhtar i kombit. Ka qenë një qëndrim antiperëndimor, antiamerikan, antiNATO dhe antishqiptar.”