Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) ka organizuar sot një ekspozitë me rastin e 88 vjetorit të piktorit shqiptar Sali Shijaku ku janë ekspozuar 112 vepra në vizatime, pikturë dhe skulpturë që përmbledhin një hark kohor krijimtarie prej 50 vitesh.
Të pranishëm në ekspozitë ishin artisti Sali Shijaku dhe familjarë të tij, Kryeministri i vendit Edi Rama, Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje znj. Eridana Çano dhe artistë të tjerë.
Kryeministri Rama falenderoi piktorin për praninë dhe kontributin e tij në zhvillimin e kësaj ekspozite, të cilin e konsideroi një pikë referimi të arteve pamore shqiptare, një figurë kyçe të historisë së pikturës së vendit dhe një person me të cilin lidhet jeta artistike e shumë artistëve të tjerë, të cilët u inspiruan dhe motivuan nga ai.
“Unë e kujtoj profesorin si një prani hijerëndë në jetën artistike dhe për ne ishte një ëndërr që të takonim Sali shijakun që të na jepte këshilla, dhe ka qenë privilegj për mua që kam marrë mësime që i mbaj mend edhe sot e kësaj dite,” – u shpreh z.Rama.
Kryeministri gjithashtu ftoi studentët e artit për të vizituar ekspozitën në ditët e hapjes për publikun, për të hyrë në kuzhinën e një mjeshtri të madh siç e quajti ai, dhe për ta lexuar krijimtarinë e tij në një këndvështrim shumë më informal dhe konfidencial.
Ekspozita “Sali Shijaku – 88 Dritëhije dhe ngjyra” është ekspozita e parë vetjake e piktorit në ambientet e COD, ndërsa është fokusuar kryesisht në punimet e tij në letër.
Veprat e artit të ndara nëpër disa kategori artistike paraqiten nën Ciklin e nudove, ku për herë të parë ekspozohen 12 vepra në vizatim të realizuara në harkun kohor 2000-2010, Ciklin e abstrakteve, ku bëjnë pjesë 16 vizatime e piktura abstrakte të autorit, dhe Ciklin e legjendave, ku janë prezente figurat homerike të trajtuara shpesh nga autori përgjatë jetës së tij artistike.
Një tjetër element i veçantë i ekspozitës është ekspozimi i skicave dhe bocetit të monumentit të ‘Lirisë’, me një detaj të rëndësishëm sepse piktori e ka ripunuar bocetin e statujës monumentale pak ditë përpara ekspozimit, duke krijuar një cikël pune që nga viti 1976 e deri më 2021.
Në ekspozitë nuk mungojnë as autoportretet e piktorit, i fundit nga të cilët është realizuar në vitin 2010.
lexo.al