Nga Enver Robelli
Në përvjetorin e 17-të të trazirave të 17 marsit të vitit 2004 presidenti serb e mbuloi Kosovën me flamurin serb. Këtë e bëri në botën virtuale, sepse në botën reale s’mund ta bëjë dot. Në mediat digjitale dhe në botën virtuale shqiptare ky provokim i kryetarit serb u prit me zemërim dhe mallkime. Politikanë si Aleksandar Vuçiqi jetojnë nga mizoritë e përditshme dhe provokimet e rregullta. Sa herë që Vuçiqi i ka punët pisk në frontin e brendshëm, ai tenton të shkaktojë tensione në rajon.
Në frontin e brendshëm punët janë kështu: shtypi perëndimor pyet nëse Vuçiqi do ta arrestojë ministrin e tij të Mbrojtjes dhe ministrin shumëvjeçar të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq, i cili dyshohet se e ka përgjuar Aleksandar Vuçiqin. Fjala është për 1572 telefonata të përgjuara të presidentit. Në këto telefonata jehojnë fjalë për huliganë, dilerë droge, kriminelë rrugësh të Beogradit dhe banditë të tjerë. Dy politikanë serbë duket se po luftojnë kundër njëri-tjetrit. Epilogu nuk dihet ende.
Krahas kësaj beteje Vuçiqi ka ndërsyer mediat e tij për të atakuar sërish një politikan të opozitës, Dragan Gjillas, duke e akuzuar se ka xhirollogari dhe miliona në një ishull në Oqeanin Indian. Gazetarët që vërtet marrin vesh nga hulumtimet serioze, thonë se lajmi i mediave të Vuçiqit nuk i plotëson kriteret bazë për të qenë lajm. Ndërkohë mediat e pavarura serbe çdo ditë sjellin detaje mbi lidhjet potenciale të Vuçiqit dhe rrethit të tij me pronarin e një plantacioni të mariuanës. Njëkohësisht në lagje të qeta të Beogradit ndërtojnë vila të shtrenjta shefat e policisë.
Këto ditë autoritetet njoftuan se më 5 janar 2018 ka vdekur avokati Vladimir Cvijan. Si është e mundur që opinioni për një vdekje të njoftohet me tre vjet vonesë? Cvijan nuk ka qenë jurist i panjohur. Ai u ka shërbyer si këshilltar juridik presidentëve Boris Tadiq dhe Tomislav Nikoliq dhe pas vitit 2012 edhe Aleksandar Vuçiqit. Cvijan ka qenë shkurt edhe deputet i partisë së Vuçiqit, nga e cila u largua në shenjë proteste për shkak të autoritarizmit të Vuçiqit.
Prokuroria thotë se në bazë të analizave nuk ka dëshmi se me rastin e vdekjes së Cvijan është kryer ndonjë vepër penale, andaj “më 2018 lënda është arkivuar”. Oda e Avokatëve të Beogradit kishte marrë vesh gjashtë muaj më vonë për “rastin Cvijan”, por as ajo nuk e kishte njoftuar opinionin. Për Cvijanin vetëm thuhet se ka vdekur gjatë notit në Danub. Politikanë opozitarë serbë me të drejtë pyesin: a ekziston një raport i prokurorisë për këtë rast? A është siguruar ndonjë provë? A dihet çfarë bartte me vete i vdekuri? Asnjë pyetjeje nuk i është përgjigjur drejtësia serbe.
Avokati Ivan Niniq tha se “së fundi (autoritetet) na kanë njoftuar se në dy vjetët e fundit janë vrarë 15 të rinj, zhdukja e të cilëve ndërlidhet me grupin e Velko Belivukut. Autoritetet shtetërore na kanë njoftuar se ata njerëz kanë shkuar “vullnetarisht” për t’u ekzekutuar. Ndërsa ne në rastin e avokatit Cvijan kemi vetëm përfundimin se nuk ka shenja të vdekjes së dhunshme. Kjo gjithsesi shkakton dyshime”. Velko Belivuku, tashmë i arrestuar, konsiderohet si shef i një grupi kriminal dhe udhëheqës i huliganëve të klubit futbollistik “Partizani”. Njerëz të Belivukut janë parë duke i siguruar tubimet e presidentit serb. Sipas të gjitha gjasave, Vuçiqi ka lidhje me botën e krimit. Karrierën e tij e ka filluar si huligan i simpatizantëve të klubit “Cërvena zvezda”, mandej si huligan politik i Vojislav Sheshelit dhe ministër i propagandës i Slobodan Milosheviqit.
Drogë, huliganë, banditë, një avokat i vdekur në rrethana misterioze: kjo është bota e errët e Aleksandar Vuçiqit. Këto ditë kjo botë e errët po i shfaqet përpara Vuçiqit, andaj nervozizmi i tij është i madh dhe këtë nervozizëm po përpiqet ta mbulojë me “harta“.