Kandidatja për deputete e PD, Jorida Tabaku i është përgjigjur kreut të Kadastrës, Artan Lame pas akuzave të këtij të fundit për programin e PD lidhur me pronat e legalizimet.
Tabaku e siguron Lamen se ligji aktual i pronave do të anulohet, ndërsa për qeverinë e PS thotë se ka bërë shumë mashtrime e premtime të pambajtura lidhur me këto çështje.
Për më tepër Tabaku e sqaron edhe se si me anë të ligjit të ri do të kthejë të drejtën e pronës tek pronari që i takon.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU
Sot nga ana e qeverisë patëm një deklaratë për çështjen e pronave dhe legalizimeve. Dhe më lejoni t’i sqaroj qytetarët për këto dy elemente shumë të rëndësishme.
Në këto 8 vite ka patur shumë mashtrime, shumë gënjeshtra, shumë premtime të pambajtura, por pronat dhe legalizimet janë thjesht vetëm dy prej tyre.
Sot qeveria foli për ligjin e pronave i cili mund të njihet si ligji më famëkeq në këto 30 vite dhe i ka kthyer pronarët në të njëjtat nivele dhe i ka bërë një dëm pronarëve të njëjtë me atë që i bëri regjimi komunist.
Në programin e PD, e thënë prerë dhe qartë nga kryetari i Partisë Demokratike dhe nga të gjithë ekspertët, thuhet që “Ligji i Pronave aktual do të anulohet”. Jo vetëm me një ligj, por edhe një korpus ligjor prej 10 ligjesh që cenojnë të drejtën e pronës, si Ligji i Investimeve Strategjike, një prej tyre, i cili është duke zaptuar pronat e pronarëve pa të drejtë dhe është duke i konsideruar ato prona publike, do të anulohet bashkë me ligjet e tjerë.
Ne do të rikthejmë në ligj më në fund konceptin e pronës, konceptin e pronarit dhe do të rikthejmë në ligj konceptin e njohjes së pronës.
Sot zyrat e Kadastrës, fatkeqësisht janë kthyer në zyra grabitqare të pronave.
Sot, fatkeqësisht po kryhet një luftë bandash me pronat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë.
Sot, fatkeqësisht çështja e pronave po përdoret si plaçkë lufte për çështjet elektorale.
Partia Demokratike është e angazhuar së bashku me 8 shoqata pronarësh, që më në fund të rikthejë të drejtën e pronarit, të rikthejë të drejtën e pronës tek i zoti.
Ne jemi angazhuar për këtë proces që në momentin që çuam ligjin në Gjykatën Kushtetuese dhe për ne nuk ka hapa pas dhe nuk ka kthim pas.
Ne do të bëjmë tre elementë kryesore që sot ligji ia mohon pronarëve të drejtë dhe pronarëve të tokës. I pari do të jetë kthimi i pronave dhe njohja e pronave aty ku ato janë borxh.
I dyti do të jetë kompensimi fizik i cili do të ndodhë. Sepse më të vërtetë, qeveria tha se Shqipëria është 28 mijë km2 dhe kaq është sipërfaqja. Por sot truajt publikë janë dhënë me 1 euro dhe janë zaptuar nga klientët e qeverisë. Të gjitha këto do të vendosen në funksion të kompensimit fizik të pronarëve dhe së treti, kompensimi financiar i cili është në proces që ka dështuar nga ana e qeverisë, do të rikthehet me një fond dy herë më të lartë në vitin e parë dhe tre herë më të lartë në vijim dhe më në fund do t’i japim fund një procesi i cili ndoshta në kohën e PD-së pati problematikat e veta, por kurrë nuk i shkaktoi kaq dëm pronës dhe pronarëve sa ç’ka ndodhur në tetë vitet e fundit.
Përsa i përket çështjes së legalizimeve.
Premtuan tetë vite më parë se do të bëjnë legalizimin falas, si është situata sot?
Sot situata në terren është që pasi qytetarët shqiptarë i kanë paguar buxhetit të shtetit mbi 60 milionë euro për procesin e legalizimit ky është një nga dështimet më të mëdha të qeverisë.
Unë sapo vij nga terreni ku qytetarët më informojnë se për të përfunduar një legalizim sot, i kërkojnë rreth 4 mijë euro për një kat shëpie për t’u paguar si taksë korrupsioni.
Unë e kuptoj që qeveria është në panik pasi janë duke ikur, por këtij procesi që po e trajtojnë si plaçkë lufte, ne do ta përfundojmë brenda dy viteve të para të mandatit qeverisës.
Procesi i lëgalizimeve është një proces i pakthyeshëm që ka nisur me Partinë Demokratike dhe do të përfundojë me Partinë Demokratike.
Ne nuk kishim asnjë dyshim që asnjë nga dy proceset nuk do të përfundonte me qeverisjen e PS-së dhe e kuptoj, ndoshta qindra shqiptarë që mund të jenë gënjyer por sot faktet janë kokëforta dhe tregojnë që në të dy proceset dështuan, i trajtuan pronarët duke i larguar nga pronat dhe trojet e tyre, nga njëra anë, dhe në anën tjetër në procesin e legalizimit realizuan dështimin më të madh.
Këto zgjedhje të dashur qytetarë, nuk janë zgjedhje as për Bashën, as për Ramën, këto zgjedhje janë për familjen dhe për qytetarët. Janë zgjedhje për prcesin e integrimit europian, janë zgjedhje për t’i dhënë përfundimisht një zgjidhje korrekte procesit të kthimit të pronës, por edhe njëkohësisht të legalizimeve. Këto janë zgjedhje për të gjithë shqiptarët. Ne angazhohemi për të gjitha proceset për përfundimin e vënies së të drejtës së të zotit për procesin e pronës dhe nga ana tjetër edhe për procesin e legalizimit. Do t’i shohim me prioritet. Do të jenë pjesë e planit të punës për 100 ditët e para dhe do të fillojëm menjëherë angazhimin dhe të zbatohet që nga janari i vitit së 2022. Ky është një proces që për ne është prioritet, ky është një proces për integrimin europian dhe ne do të bëjmë çdo gjë të mundur për ta realizuar dhe përfunduar atë./ b.h