Pneumologu Arian Mezini ishte i ftuar këtë të hënë në “Abc-ja e mëngjesit” për të folur për situatën e virusit në vend. Duke iu referuar Britanisë dhe Izraelit, Mezini u shpreh se dhe në vendin tonë duhen vaksinuar personat që nuk e kanë kaluar koronavirusin, për të bërë të mundur imunizimin.
“Izraeli i ka mbyllur pothuajse të gjitha spitalet e Covidit, ka shumë pak sepse ka imunizuar me anë të vaksinës mbi 50 përqind të popullatës. Duhej të ishte bërë dhe tek ne, kemi shumë pak vaksina por po të shihni dhe shembullin e Britanisë pasi po ecën me ritme të shpejta dhe shifrat ditore janë më pak raste. Është lehtësuar sistemi spitalor dhe brenda Qershorit mund ta mbyllë si histori.”, u shpreh mjeku.
Më tej, Mezini tha se duhet të ketë një kontroll dhe monitorim më të rreptë të masave të ndërmarra, në mënyrë që të mos ketë rritje të numrit të rasteve pasi sistemi shëndetësor nuk e përballon dot. Ai u shpreh optimist se me ardhjen e verës, situata do të jetë më e qetë dhe se deri atëherë të jetë vaksinuar të paktën 15-20 përqind e popullatës.
“Për orën policore nuk është se kam dëgjuar të kenë vendet e tjera por janë më strikt në kontrollin e masave dhe mos grumbullimin, ndërkohë që ne mbajmë orë policore dhe aktivitetet apo qendrat tregtare janë të hapura, nuk besoj se luajnë ndonjë rol të madh.”, tha Mezini.