Shtetet e Bashkuara arritën objektivin e vendosur nga Presidenti Joe Biden për të injektuar 100 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, pothuajse një muaj përpara afatit të vendosur prej tij për 100 ditët e para në detyrë.
Shtetet e Bashkuara po bëjnë tashmë rreth 2.5 milionë vaksinime në ditë. Në Britani, gjysma e të gjithë të rriturve e kanë marrë aktualisht një dozë te vaksinës kundër koronavirusit, duke u bërë ekonomia e parë e madhe në botë që arrin një moment të tillë të rëndësishëm.
Ministri britanik i Shëndetësisë Matt Hancock tha në Tëitter se vetëm të premten ishin përdorur një rekord prej mbi 660 mijë dozash.
Kryeministri britanik Boris Johnson mori dozën e tij të parë të vaksinës, duke u imunizuar me AstraZeneca – të cilën disa vende evropiane e kishin pezulluar përkohësisht për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Izraeli është ndër vendet më të suksesshme në vaksinimin e popullsisë, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara, Kili dhe më pas Mbretëria e Bashkuar.
Investitorët po vëzhgojnë me kujdes se cilat ekonomi do të mund të rimëkëmben së pari.