Revista prestigjioze Forbes i ka dedikuar një artikull Shqipërisë, që e cilëson si “një vend i jetës së ëmbël”.
Artikulli vijon me zbulimin e Tiranës, për të cilën Forbes e cilëson një kryeqytet dinamik, me energji rinore, dhe një arkitekturë që ruan traditën dhe modernen. Një vëmendje të veçantë merr ish-Blloku, sheshi Skënderbej apo faktet që dëshmojnë të kaluarën diktatoriale.
Nuk le pa përmendur zhvillimin e turizmit mjekësor apo përpjekjet për të thithur investimet e huaja.
Një pjesë nga artikulli i Forbes:
Drejt Tiranës, kryeqytet vibrues
Kryeqyteti politik dhe ekonomik i Shqipërisë që nga viti 1920, Tirana është një qytet simbolik, si edhe një qytet muze. Çdo cep rruge jep dëshmi për peripecitë e historisë. Një roman kombëtar me kaq shumë ngjarje!
Kjo dritare mbi Europën, gjithashtu dera për në Azi, tërhoqi perandoritë më të mëdha: romakët, bizantinët, osmanët…
Vendi i shenjtores Nënë Tereza, ka përjetuar gjithashtu një nga diktaturat më të përgjakshme komuniste të shekullit XX nën zgjedhën tiranike të Enver Hoxhës, sprova të cilat kanë kontribuar fuqishëm në forcimin e shpirtit elastik, patriotik dhe të bashkuar të popullit shqiptar.
Si një feniks që ngrihet vazhdimisht nga hiri i tij dhe gjithmonë shikon të ardhmen me shumë optimizëm, perla e Ballkanit tani është në rrugën e duhur për t’u bashkuar me Bashkimin Europian.
Një shëtitje në Tiranë do të thotë të shkosh para dhe pas, midis traditës dhe modernizmit, midis artit sentimental dhe sofistikimit.
Ndër vendet e domosdoshme për t’u vizituar: Sheshi Skënderbej, Xhamia e Et’hem Beut me afresket e saj të kushtueshme, një nga më të bukurat në Shqipëri, Muzeu Historik Kombëtar me fasadën e tij të mbuluar me mozaikë për lavdinë e heronjve shqiptarë, lagjja e Bllokut apo studioja e artistit të madh shqiptar, Agim Rada, një piktor, skulptor që më shumë se një herë i dha despotizmit të Enver Hoxhës një goditje artistike. Krijimet e tij mund të vizitohen në shtëpinë e tij në qendër të qytetit. Një vend përkujtimor, që nuk duhet humbur.
Tirana është mbi të gjitha kryetari i saj i ri, Erion Veliaj, i cili flet për të më së miri!
Disa fjalë nga takimi ynë energjik me kryetarin e bashkisë së qytetit, i zgjedhur në 2015:
“Ne ndoshta jemi kryeqyteti më i ri në Europë, gjë që reflektohet në demografinë dinamike të qytetit, lulëzimin ekonomik dhe kulturor. Bashkëmoshatarët e mi në Europë më thonë vazhdimisht se ata shprehin keqardhje për largimin e shumë banorëve, kurse ne, nga ana jonë, shohim një lloj tërheqjeje të madhe. Tirana është plot vinça, ndërtime për banesa dhe tregti për të mbështetur këtë rritje. Metropoli gjithashtu ka flotën më të madhe të taksive në Ballkan. Ne po bëjmë gjithçka për ta mbajtur të arritshëm tregun e pasurive të patundshme për këta studentë të rinj, që janë bërë aktivë dhe vendosin të qëndrojnë”.
“Të zgjerohemi, po, por jo në një mënyrë të tërbuar dhe në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm! Kështu, ne po udhëheqim një politikë ekologjike inteligjente, duke inkurajuar lëvizjen e gjelbër, qytetin e zgjuar. Kjo me qëllimin e dyfishtë të krijimit të një ekosistemi teknologjik, si Stacioni F në Paris, ku dërgova një delegacion për t’u frymëzuar nga ky sukses i madh francez. Kemi kaluar mjaft kohë duke shitur bluza! Aktualisht, ne po i japim vetes kushtet për të prodhuar produkte me vlerë të lartë të shtuar në burim dhe të imagjinojmë koncepte inovative. Si të gjithë mesdhetarët, edhe ne shqiptarët e duam jetën! Motoja jonë është “Puno shumë dhe argëtohu gjithashtu shumë!”
“Jam, gjithashtu, i lumtur të them se në Tiranë dhe më gjerë në Shqipëri, kur komuniteti i krishterë sheh kishat e tij të shkatërrohen gjatë një tërmeti, janë myslimanët ata që i vijnë të parët në ndihmë dhe anasjelltas. Ne kemi tolerancë të madhe për njëri-tjetrin. Në vitin 2022, ne do të jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë: ky është një takim që ju lëmë!”, na fton kryetari i bashkisë së qytetit.
Deri në vitin 2022, rrugëtimi drejt Tiranës tashmë po zhvillohet falë një fenomeni tjetër: turizmit mjekësor. Dy orë nga kryeqytetet më të mëdha të kontinentit, Shqipëria ka zhvilluar një industri shumë konkurruese në këtë zonë. Nxitësi i “Udhëto dhe Buzëqesh”, biznesmeni Dritan Gremi po kap një treg në rritje të europianëve, të cilët kërkojnë kujdes të përballueshëm dentar dhe kozmetik.