Koronavirusi merr një tjetër jetë nga bluzat e bardha, në vendin tonë.
Mjekja endokrinologe Valentina Lile, e infektuar prej disa ditësh mësohet se nuk ia ka dalë që të fitojë betejën me Covid 19.
Mjekja prej ditësh ishte e shtruar në spitalin Covid 2, ku pas ndërlikimit të gjendjes shëndetësore, është futur në intubim, pa mundur dot t’i mbijetojë virusit.
Lajmi është bërë i ditur nga të afërmit e saj në postimet në rrjetet sociale të cilët bëjnë me dije se është ndarë nga jeta mjekja endokrinologe.
Djali i saj Iliri bëri postimin në Facebook, duke dhënë lajmin e trishtë.
“Të dashur miq e shokë . Me hidhërim të thellë njoftoj ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut tim me të afërt e më të dashur, mamasë time Valentina Lile. Ceremonia e lamtumirës në nderim të saj dhe përcjellja për në banesën e fundit do të zhvillohen më datë 20.03.2021, ora 15.00. Nisja bëhet nga Funerali Alba2000 për në Varrezat “Sharrë”. U prehsh në paqe nënë do na mungosh jashtë mase!”, shkroi ai.
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë me Covid 494 raste të reja, si dhe nga shifrat zyrtare kanë humbur jetën 16 pacientë.
/a.r