Nga Afrim Krasniqi
Shqipëria mban zgjedhje parlamentare më 25 prill 2021. Të gjithë flasin për zgjedhjet, fituesin e humbësin e mundshëm, por viti 2021 mund të krijojë një krizë të re politike edhe nëse zgjedhjet zhvillohen pa probleme. Sipas Kushtetutës së RSH, neni 65, “mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë”. Legjislatura aktuale është mbledhur me 9 shtator 2017, ndaj edhe mandati i tij kushtetues mbaron më 9 shtator 2021. Midis 25 prillit kur bëhen zgjedhjet dhe 9 shtatorit kur mblidhet parlamenti i ri janë së paku katër muaj kohë, gjatë të cilave do të kemi qeverinë e vjetër në detyrë.
Sipas praktikës tonë parlamentare Kuvendi aktual shpërndahet 45 ditë përpara zgjedhjeve, pra më 10 mars 2021. Më 2017 zgjedhjet u zhvilluan më 18 qershor, parlamenti u shpërnda më 4 maj, pra 45 ditë përpara. Kodi i ri Zgjedhor (2020) ka bërë disa ndryshime, sic ishte përcaktimi i periudhës së re zgjedhore (15 prill – 15 maj), por një ndryshim “teknik” merr më shumë vlerë, – në Kodin e ri Zgjedhor është ndryshuar neni 9, pika 2, e Kodit të vjetër Zgjedhor, duke u hequr pjesa se “me vendim të Kuvendit, mbyllja e legjislaturës ose shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj date”. Për pasojë, në Kodin e ri Zgjedhor nuk ka dispozitë për shpërndarjen e parlamentit në rastin e zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Kushtetuta parashikon se periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet dhe se Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme, pra midis periudhës 9 korrik dhe 9 shtator. Nga ana tjetër Kodi Zgjedhor (9/2020) përcakton se “midis datës së zgjedhjeve dhe datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit duhet të ketë një diferencë prej së paku 30 ditësh” duke iu referuar mandatit kushtetues 4 vjeçar.
Pyetja është: çfarë do të ndodhë me legjislaturën aktuale parlamentarë pas 25 prillit? Në një vend normal demokratik, kur bëhen zgjedhje parlamentare automatikisht mblidhet legjislatura e re dhe zgjidhet qeveria e re. Shqipëria mbetet eksperiment edhe në këtë pikë: më 26 prill dhe datat e tjera në vijim deri në javën e parë të muajit shtator nuk do të ketë mbledhje të legjislaturës së re parlamentare dhe as zgjedhje të qeverisë së re. Qeveria e re mund të krijohet dhe të marrë votëbesimin, në rastin më të mirë, midis datave 15-20 shtator 2021, kohë kur zakonisht kryeministrat e rinj pos-zgjedhorë udhëzojnë për në Asamblenë vjetore të OKB për takime prezantuese dhe politike. Kuvendi mund të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme vetëm në raste të veçanta: është mbledhur më 22 maj 2017 për të miratuar paktin politik PS-PD për qeverinë teknike, Kodin Zgjedhor dhe vettingun në drejtësi. Mbledhje të tilla janë përjashtimore dhe kërkojnë konsensus të gjerë. Por pas 25 prillit 2021, në kushtet kur nuk ka detyrim për shpërndarje parlamenti, ligjërisht mazhoranca aktuale, pavarësisht nëse fiton ose humbet zgjedhjet, mund të mblidhet rregullisht në komisione ose të kërkojë seanca të jashtëzakonshme të parlamentit jo vetëm kur Akte Normative që lidhen me COVID-19 për të miratuar dhe për të cilat mosmiratimi brenda 45 ditësh sjell rrëzimin automatik të tyre.
Më 26 prill do të kemi një parti ose një koalicion fitues dhe një humbës. Nëse mazhoranca konfirmohet, siç ka ndodhur gjatë tranzicionit së paku 50-55% e deputetëve aktualë nuk do të rizgjidhen, pra vetëm një pjesë e deputetëve do të kenë edhe mandat të ri. Nëse opozita fiton situata bëhet edhe më e ndërlikuar, pasi shumica e parlamentit aktual nuk rizgjidhet dhe përbërja ndryshon rrënjësisht. Parlamenti aktual (i vjetër) ka të drejtë të mblidhet deri më 8 korrik, por a do të jetë e mundur të thirret dhe të mblidhet disa herë parlamenti i vjetër ndërkohë që së paku gjysma e deputetëve do të humbin mandatet në zgjedhje, pra de facto do të jenë ish deputetë? Edhe nëse parlamenti i vjetër nuk rimblidhet më midis periudhës prill-shtator, a do të ketë dakordësi publike qeverisja 4-5 mujore pa parlament, ndërkohë që qytetarët kanë votuar dhe zgjedhur më 25 prill parlamentin e ri? A do të pranohet një akt i tillë nga të gjitha palët politike? A do të kemi një krizë të re dhe adresim të ri tek Gjykata Kushtetuese? Deputetët e rinj që zgjidhen për herë të parë më 25 prill, dhe që japin dorëheqje paraprake nga funksionet që kanë, e marrin mandatin në shtator, por midis prillit dhe shtatorit, çfarë do të ndodhë me pagat e tyre, më vendet e punës, me angazhimin administrativ ndërkohë që janë zgjedhur deputet? Akti në parlament në shtator lidhet me betimin, kurse vendimi i KZAZ dhe më pas i KQZ u njeh mandatet deputetëve.
Gjatë periudhës së rotacionit korrik-gusht 2005 dhe 2013, qeveritë në ikje morën vendime klientelist dhe abuzive, e njëjta situatë mund të përsëritet më 2021. Në vitin 2005 kryeministri dhe gjysma e qeverisë (që humbën zgjedhjet) nuk vinin në punë, më 2013 gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit u morën vendime të shumta që shkaktuan lajme negative. Atë kohë dy palët, përfshirë Rama e Berisha, deklaruan se duhet rishikuar Kushtetuta që të mos ketë tranzicion kaq të gjatë pushteti. Më 2020 Këshilli Politik ku janë dy palët, nuk e zgjidhi këtë problematikë, përkundrazi, shfuqizimi i një dispozite në Kodin Zgjedhor vetëm sa e avancoi mundësinë për krizë. Ndryshimet kushtetuese të korrikut 2020 duket se u bënë për kalkulime elektorale jo për përmirësimin e sistemit qeverisës dhe përfaqësues, ndaj nuk e trajtuan këtë çështje.
Së fundi, më 25 mars nis fushata, ndërkohë që Kuvendi ka lajmëruar seanca plenare edhe në prill dhe ka në axhendë ligje më rëndësi, siç janë 8 nisma ligjore për ndryshime në reformën në drejtësi, disa funksione zgjedhore, ligji mbi OJF-të, dhe disa akte ligjore me përmbajtje ekonomike dhe elektorale. Deputetët do të mblidhen, do të mbajnë fjalime, ndërkohë që në fushatë minutazhi televiziv monitorohet, kurse minutazhi parlamentar do të jetë i pa-limituar. Po ashtu, Kuvendi miratoi më 22 shkurt zgjatjen 90 ditë të mandatit të komisionit të posaçëm që lidhet me Dick Marty/UÇK, pra deri më 22 maj 2021, rreth një muaj pas zgjedhjeve parlamentare. A ka sens të vijojë një komision hetimor nga deputetë që de juro kanë mandat, por nuk janë zgjedhur ose nuk kanë kandiduar më 25 prill, pra me deputetë që de facto nuk do të jenë më deputetë? A ka sens hetimi dhe cilat autoritete shtetërore do ta pranojnë raportimin tek komisioni apo vlerësimin e tij? Më shumë se mesazh puro ligjor vendimi i Kuvendit më 22 shkurt dhe vendimi i ditëve të fundit për kalendarin parlamentar gjatë muajt prill ishte e është mesazh politik: e zgjasim mandatin sepse ne do të fitojmë zgjedhjet, ndaj ne do të jemi edhe në maj, edhe në qershor, edhe në shtator kur betohemi në legjislaturën e re! Një logjikë elektorale, por një provokim kushtetues dhe një burim krize institucionale.
Për pasojë më 26 prill dhe për 4-5 muajt e ardhshëm do të kemi dy parlamente, një të zgjedhur dhe një në detyrë! Çështje të tilla duhet të jenë prioritare në trajtimin institucion dhe në adresimin për mirëqeverisje dhe shtet të së drejtës. Por fatkeqësisht debate të tilla nuk bëhen në Shqipëri. Për to nuk flitet as nga partitë, as nga parlamenti, as nga institucionet e tjera dhe nuk ka adresim as në Gjykatën Kushtetuese. Shqipëria vijon të eksperimentojë për shkak të vendimmarrjeve konfliktuale dhe elektorale që marrin klikat politike, duke shtruar rrugën e një krize të re politike, në listën e gjatë të krizave politike të shkaktuara prej tyre ndër vite.