Ish-nënkryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli vlerëson se Presidenti Ilir Meta është i përfshirë në fushatë elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit.
E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Topalli tha se 3 liderët e politikës Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta nuk ngjallin më besim tek qytetarët. Kjo gjë, sipas saj, ka sjellë edhe zhgënjim tek politika në tërësi.
“Nuk ka frymë. Fryma është përcaktuese. Tregon situatën në të cilkën është shoqëria. Mungesa e frymës dhe shpresës implikon të dyja palët. Asnjëherë në 3 dekada nuk ka qenë kaq e lartë zhgënjimi i qytetarëve ndaj klasës politike. Nuk ka thelb, nuk ka përmbajtje. Këtu gënjejnë dhe qytetarët janë të mençur. Nuk ka llogaridhënie, Kryeministri nuk ka llogaridhënie. Boshatisja është drama më e madhe që i ka ndodhur vendit tonë. Në 2017 kishim 3 figura, sot kemi përsëri të tre. Unë shoh frikë, njerëzit kanë frikë për të dalë publikisht por zhgënjim total me treshen Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha. Meta është i përfshirë tërësisht në fushatë, në një mënyrë që nganjëherë të krijon idenë se linja e konfliktit do ishte linjë që do përvijohej gjatë kësaj fushate. Ata kanë probleme karrigesh dhe hallesh personale”, u shpreh Jozefina Topalli.
/a.r