Nga Alfred Peza
Në të gjithë botën ka patur një tentativë të grupeve populiste, përkrahësit e teorive konspirative dhe ekstremiste për të përfituar terren dhe pushtet nga pandemia globale. Disa përdorën maskën si kufirin ideologjik, në përpjekjet për të ndarë të majtën dhe të djathtën. E disa të tjerë frikën nga e panjohura dhe armiku i padukshëm, për të manipuluar turmat, me qëllim goditjen politike të mazhorancave në pushtet.
Qëndrimi ndaj vaksinës është bërë këto kohë arma e re përmes së cilës, liderët politikë po kërkojnë që të ndajnë masat në pro dhe kundër qeverive që po bëjnë çmos për të siguruar sa më parë sasinë e nevojshme për popujt e tyre. Kësaj “llozhe elitare”, i është bashkuar në Shqipëri edhe Sali Berisha, i cili po bën gjithçka për të nxitur refuzimin e vaksinimit ndër përkrahësit dhe mbështetësit e PD dhe të opozitës në përgjithësi.
Nëse deri dje Donald Trump refuzonte në mënyrë demonstrative maskën publikisht, vetëm pasi u infektua edhe vetë me covid-19 u duk sikur u bë pak më i përgjegjshëm për qëndrimet e tij politike rreth pandemisë. E atëherë kur kjo qasje nuk i dha mbështetjen me votë në zgjedhjet e nëntorit, duke e larguar në janar nga Shtëpia e Bardhë, shumë më vonë u mësua se ai personalisht ishte vaksinuar në fshehtësi megjithëse publikisht asnjëherë nuk i inkurajoi hapur mbështetësit e tij.
Ky është vetëm një nga shembujt më të njohur, që dëshmon se liderët politikë po e përdorin pandeminë globale, thjeshtë dhe vetëm si një mjet për arritjen e qëllimeve të tyre për pushtet. Ndërkohë që për shëndetin e tyre personal, janë kujdesur më shumë edhe se ata që e bësojnë tek shkenca dhe për pasojë edhe tek vaksina anti-covid.
Edhe kur Monika Kryemadhi ka refuzuar publikisht mbajtjen e maskës, edhe tani kur Sali Berisha imiton në kushtet politiko-elektorale shqiptare Donald Trump-in, edhe kur Ilir Meta nuk i përmbahet rregullave të distancimit social gjatë aktiviteteve Presidenciale dhe sëfundi, kur Lulzim Basha bën mitingje në kulmin e pandemisë,- gjithçka është vetëm e vetëm në funksion të qëllimeve personale për pushtetin e tyre dhe nuk ka të bëjë aspak me merakun e tyre për shëndetin e qytetarëve.
Shembulli më kuptimplotë i instrumentalizimit të çdo elementi të pandemisë, në funksion vetëm të fushatës zgjedhore të 25 prillit, është qasja që ka përqafuar sëfundi lidershipi opozitar për vaksinën anti-covid. Flamurin e kësaj fushate e kanë mbajtur ata që duhej të ishin në anën e kundërt të kësaj barrikade; mjekët Sali Berisha, Tritan Shehu e Petrit Vasili. Në vend të mesazheve profesionale, ata nisën një fushatë të nxitjes së panikut, me qëllimin ndalimin e vaksinimit me AstraZeneca.
Megjithëse edhe një student i vitit të parë të Mjekësisë është në dijeni të efekteve të përkohëshme anësore të vaksinës si temperatura, dhimbjet e lehta dhe të përkohëshme, ata akuzuan autoritetet se po fshihnin pasojat. As kjo por as edhe siguria që dha zyrtarisht Agjensia Europiane e Barnave (EMA) se AstraZeneca është e sigurtë, nuk i detyroi liderët e opozitës sonë që të ndalen e ta përkrahin publikisht fushatën e vaksinimit të mësuesve dhe pedagogëve.
Ky qëndrim vërteton njëherë e mirë edhe faktin, se udhëheqësit e opozitës sonë janë gati të bëjnë gjithçka, vetëm për të fituar ca vota më tepër në funksion të qëllimeve të tyre personale për pushtet. Ky makiavelizëm i paskrupullt, deri edhe me përdorimin e shëndetit dhe jetës së qytetarëve si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre politike, tejkalon çdo limit të mëparshëm në luftën për pushtet.
Nëse AstraZeneca tani ka çeritikatën më të lartë të sigurisë shkencore për të mbrojtur qytetarët nga covid-19, për liderët politikë të opozitës sonë kjo qasje është edhe një provë publike më shumë se nuk e meritojnë mandatin për qeverisjen e shqiptarëve. Ndaj, nuk ka “vaksinë” që e shpëton opozitën tonë, nga humbja në këto zgjedhje.