Më shumë se 345 milionë doza vaksinash anti-covid janë injektuar deri më tani në nivel global, që nga nisja e fushatës së vaksinimit në dhjetor. Por, të dhënat, sipas në New York Times tregojnë gjithashtu edhe pabarazitë e mëdha në shpërndarjen e vaksinave mes vendeve.
Izraeli aktualisht kryeson garën e vaksinimit me 58% të popullsisë që ka marrë të paktën një dozë të vaksinës Pfizer dhe Moderna, teksa 46% e popullsisë ose 4.1 milionë njerëz nga vendi me 9.3 milionë banorë janë vaksinuar plotësisht. Me ritmin e lartë të vaksinimit, Izraeli ka hapur pjesën më të madhe të aktiviteteve vendase, dhe ka liruar lëvizjen e njerëzve, me kushtin e pasjes dhe paraqitjes së çertifikatës së vaksinimit.
Në Britaninë e Madhe, 35% e popullsisë ose 23 milionë e 685 mijë njerëz e kanë marrë dozën e parë, ndërsa vetëm 2.2% është vaksinuar tërësisht, ose 1 milion e 533 mijë vetë.
Franca ka arritur të vaksinojë me dozën e parë 4 milionë e 820 persona. Ndërsa ata që kanë kryer vaksinimin e plotë janë 2 milionë e 220 mijë. Në aspektin e masave shtrënguese, Franca, që nga data 25 Shkurt është e mbyllur nga ora 18.00 e mbrëmjes deri në 06.00 të mëngjesit. Nga shtëpia lejohet të dalin vetëm personat që u duhet të shkojnë në punë, në shkollë ose për vizita mjekësore.
Në Gjermani u është injektuar vaksina 6 milionë e 114 mijë personave, ku 3 milionë e 364 mijë kanë marrë dozën e parë, ndërsa 2 milion e 750 mijë vetë i kanë marrë të dy dozat. Pas pothuajse tre muajsh izolim, në Gjermani ka pasur një lehtësim të masave shtrënguese, që pritet të vijojë me rritjen e nivelit të vaksinimit.
Në Itali aktualisht janë administruar mbi 6.6 milionë doza vaksinash. Ndërsa personat e vaksinuar me të dy dozat janë rreth 2 milionë. Megjithatë, për ditët e Pashkëve, Italia ka planifikuar një mbyllje tjetër të vendit për shkak të numrit ende të lartë të infektimeve, ku ndjeshëm kanë ndikuar edhe variantet e reja të Covid.
g.kosovari