Pas 3 orë ecjeje në këmbë, Forcat Armatosura kanë arritur të transportojnë për në spitalin rajonal të Kukësit një 38-vjeçare, e cila ishte e bllokuar në shtëpinë e saj në fshatin Tejdrinë të njësisë administrative Ujmisht në bashkinë e Kukësit, në gjendje të rëndë shëndetësore. Trëndafile Miçi, nënë e dy fëmijëve, paraqitej me temperaturë të lartë trupore, 40 gradë dhe e kishte të pamundur të transportohej për në spital për shkak të bllokimit të rrugës nga bora.
FA shpëton 38-vjeçaren e izoluar nga dëbora në Kukës
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, efektivët e Brigadës së Mbështetjes Rajonale të Kukësit dhe një mjet i rëndë, u nisën drejt fshatit Tejdrinë. Për shkak të trashësisë së borës, ushtarakëve iu desh të ecnin edhe për rreth 1 orë e gjysmë në këmbë deri në shtëpinë e të sëmurës. Pas marrjes së 38-vjeçares, efektivët e transportuan me barelë deri te mjeti i rëndë, për ta dërguar më pas në spitalin e Kukësit, nën kujdesin e mjekëve.