Muaji tetor sapo ka trokitur dhe ai është i një rëndësie tejet të veçantë, përtej simbolikës së vjeshtës, ku pemët fillojnë të zhvishen nga petku i gjelbër. Përveçse njihet si muaji i gruas, dita e parë e këtij muaji shënon dhe dy ngjarje tjera të rëndësishme.
Sot është një ditë e veçantë për fëmijët e prekur nga Sindroma Down, por edhe Dita Botërore e të Moshuarve. Në lidhje me këtë të fundit, ka reaguar dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila sjell në kujtesë atë çfarë është bërë për këtë shtresë.
Në faqen e saj në “Facebook”, Manastirliu flet për pensionin social, që sot përfitohet nga më shumë se 5 mijë të moshuar, duke shtuar gjithashtu se u zgjerua dhe fasha e kontrollit mjekësor bazë deri në 70 vjeç.
“Më shumë vite jetës, më shumë shëndet viteve #ShëndetPërTëGjithë. Për herë të parë, ne mundësuam pensionin social. Sot, më shumë se 5 mijë të moshuar e përfitojnë atë. Zgjeruam fashën e kontrollit mjekësor bazë 💉🔬 deri në 70 vjeç, duke ju përgjigjur kërkesës së vetë të moshuarve. Më shumë të moshuar përfitojnë nga skema e rimbursimit 💊💊.
Kemi ende shumë për të bërë për shërbimet social-shëndetësore. Ne do të ofrojmë më shumë shërbime komunitare për moshën e tretë, për të parandaluar problemet social shëndetësore të të moshuarve. Brenda vitit, do të miratojmë standardet e asistencës shtëpiake 👵🏼👩🏻⚕️👴🏻 për të moshuarit që vuajnë nga probleme shëndetësore por edhe izolimi social”, shkruan ministrja.