Intervistoi Ben Andoni
“Fillimi ishte vërtet i vështirë, sepse do t’i hyja një pune të mirëfilltë kërkimore në një sferë krejtësisht të panjohur… Por nuk vuajta shumë. Është vendi të kujtoj me mirënjohje takimet me profesorët e nderuar Eqerem Çabej, Stefanaq Pollo, Selim Islami, Rrok Zojzi, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti etj, të cilët më dhanë idetë e para se nga duhej ta filloja punën”, përshkruan fillimin e tij të punës antropologu i njohur…
Kur dhe si ju lindi dëshira të merreni me antropologji?
“Në tetor 1972 u zhvillua në Tiranë Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire, ku u rekomandua nisja e studimeve të mirëfillta antropologjike në Shqipëri, nisur nga arritjet e spikatura të arkeologjisë shqiptare. Mbas një bisede informale me prof. Aleks Budën lidhur me ndihmesën e antropologjisë në sqarimin e problemit madhor të etnogjenezës shqiptare, mendova se ia vlente të angazhohesha në një ndërmarrje të tillë, sa të vështirë aq edhe interesante e sfiduese në planin personal, në interes të shkencave albanologjike.
Në janar 1973, u emërova antropolog në Institutin e Historisë/ sektorët e Arkeologjisë dhe Etnografisë pranë Akademisë së Shkencave dhe në vitin 1976 krijova të parin Laborator Antropologjik në vend, që hapi rrugën për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj dege të re të shkencës shqiptare”.
Cilat janë vështirësitë me të cilat u përballët në fushën e Antropologjisë dhe sfidat tuaja?
“Fillimi ishte vërtet i vështirë, sepse do t’i hyja një pune të mirëfilltë kërkimore në një sferë krejtësisht të panjohur… Por nuk vuajta shumë. Është vendi të kujtoj me mirënjohje takimet me profesorët e nderuar Eqerem Çabej, Stefanaq Pollo, Selim Islami, Rrok Zojzi, Skënder Anamali, Muzafer Korkuti etj, të cilët më dhanë idetë e para se nga duhej ta filloja punën.
Ekspeditat e para në terren më krijuan ndjesinë se ia vlente të ndërmerreshin studime antropologjike për këtë popull që ruan vlera të paçmuara kulturore dhe shoqërore, në sajë të të cilave ka mundur të mbijetojë dhe të gjallojë në aspektin biogjenetik. Shtysa të rëndësishme në këtë drejtim ishin pjesëmarrja me kumtesa në Konferencën për formimin e popullit shqiptar, të gjuhës dhe kulturës së tij (Tiranë) dhe në Kongresin e 3të të Antropologjisë Evropiane (Selanik), ku m’u dha mundësia të njihesha dhe të diskutoja me personalitete të shquara të antropologjisë botërore. Krahas inventarizimit dhe studimit të gjetjeve eshtrore të epokave të ndryshme (para)historike, u intensifikuan në vazhdim ekspeditat në terren për ndjekjen e profilit antropologjik të popullsisë së sotme të vendit, çka u bë e mundur falë kërkimit sipas zonave të mëdha etno-kulturore të vendit”.
Cilat kanë qenë disa nga specializimet tuaja?
“ Specializimin e parë e kreva në Institutin e Paleoantropologjisë të Akademisë së Shkencave të RP. të Kinës (Pekin, 1977-1978). Në vazhdim, ndoqa specializime afat-shkurtra për studime ndërdisiplinore në Institutin e Demografisë pranë CNRS (Paris) dhe në Shkollën Franceze të Arkeologjisë (Romë). Më tej, kam qenë bashkëdrejtues i Projektit të përbashkët midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për studimin e lëndës eshtrore nga Vërmica (Prizren, nëntor-dhjetor 1980)”.
Në vitin 1982, Ju mbrojtët titullin “Kandidat i Shkencave” me temën “Kërkime antropologjike mbi etnogjenezën e shqiptarëve”. Në këtë kohë falë kërkimeve tuaja ju zbuluat gjëra interesante. A mund të na i përshkruani?
“Rezultatet e para, që u përfshinë në disertacionin për mbrojtjen e titullit, u pasqyruan në monografinë “Gjurmime antropologjike për shqiptarët”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1985) që u laureua me çmim në Konkursin Ndërkombëtar të Studimeve Etnoantropologjike në Palermo (1987). Kjo ishte përpjekja e parë për një avitje antropologjike midis shqiptarëve të sotëm dhe arbërve mesjetarë, që u pasua nga një varg studimesh, të botuara në revistat shkencore të vendit dhe ato ndërkombëtare të specialitetit me faktor impakti (Garcia de Orta/ Lisbonë; Anthropologischer Anzeiger/ Stuttgart; Variability of Evolution/ Poznan; International Journal of Anthropology/ Firenze; Homo/ Jena-Neë York; The Mankind Quarterly/ Illinois, SHBA) mbi facies-in antropologjik të ilirëve, rindërtimin paleodemografik të kolonive të bregdetit në periudhat helene dhe romake, më tej mbi etnogjenezën e shqiptarëve, shtresëzimin dhe përkitjet e kultures së Komanit, tiparet epigjenetike në materialin eshtror nga Shqipëria etj. Rezultatet e kësaj pune shkencore janë referuar në kongrese rajonale dhe evropiane të Antropologjisë në Prishtinë (Kosovë), Prijepolje (Serbi), Potsdam (Gjermani) dhe Madrid (Spanjë)”.
Si një ndër humboldianët e parë shqiptarë. Si arritët të vlerësoheshit në një rrafsh të tillë ndërkombëtar?
Për hir të së vërtetës, unë i takoj brezit të tretë të shqiptarëve që përftuan bursë federale për studime të thelluara pasdoktorale në fushën e Antropologjisë nga fondacioni i mirënjohur “Alexander von Humboldt” në universitetet gjermane (qershor 1991-janar 1993). Sidoqoftë, pata fatin e lumtur që, ndërkohë, isha ftuar në Universitetin e Ulm-it, si profesor i jashtëm, për të mbajtur referate mbi arritjet e antropologjisë shqiptare.
Kohën e qendrimit në Gjermani, unë e shfrytëzova për përpunimin dhe analizën me metoda bashkëkohore të materialit faktik nga Shqipëria, çka më ndihmoi në rindërtimin më të qartë të morfobiologjisë së popullatave të vjetra dhe në përvijimin e elementëve evolutivë të karakterit antropologjik deri në popullatën e sotme të vendit. Me këtë rast, u bë e mundur të qartësoheshin disa prej hipotezave të hedhura kohë pas kohe nga albanologët (shqiptarë dhe të huaj) mbi prejardhjen ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare. Rezultatet e kësaj pune u pasqyruan në punimin pasdoktoral “Beitrag zur ethnischen Anthropologie der Albaner” [Ndihmesë për antropologjinë etnike të shqiptarëve], që u mbrojt në Departamentin e Antropologjisë dhe Gjenetikës Humane në Universitetin “Johannes Gutenberg” të Mainz-it. Qëllimi i kësaj ndërmarrjeje shkencore ishte promovimi i një interpretimi shkencërisht të besueshëm të përbërjes antropologjike të shqiptarëve, në kuadrin e profilit antropologjik të popullatave të Evropës Juglindore dhe të hapësirës mesdhetare.
Në kuadrin e bursës së sipërpërmendur, m’u dha rasti për kualifikime shtesë jashtë Gjermanisë: në Institutin e Biologjisë Humane të universitetit të Vjenës dhe në Institutin Antropologjik Mbretëror të Suedisë në Stockholm”.
Me kthimin në Shqipëri, si u zhvillua më tej karriera Juaj shkencore?
“Me kthimin në Shqipëri, vijova punën kërkimore-shkencore në drejtime të reja, krejt të panjohura më parë për këtë fushë studimesh. Falë ndërmjetësimit të ambasadës së RF të Gjermanisë në Tiranë, u punësova me detyrën e bashkëpuntorit shkencor dhe drejtuesit/ koordinator projektesh në fondacionet publike-politike gjermane që hapën/ kishin hapur zyrat e tyre në vendin tonë, përkatësisht në fondacionet Konrad Adenauer” dhe “Friedrich Ebert” (1995-2010) ku dhashë ndihmesën time në mbarëvajtjen e projekteve me partitë politike të spektrave përkatës, me sindikatat dhe me shoqërinë civile, duke siguruar akses dhe emër të mirë të këtyre fondacioneve në përfaqësues të lartë të politikës, ekonomisë dhe të jetës publike të Shqipërisë”.
Një aspekt i rëndësishëm i punës Suaj akademike lidhet me veprimtarinë në fushën e mësimdhënies. Ç’mund të na thoni konkretisht në këtë drejtim?
“Unë e kam nisur veprimtarinë pedagogjike në vitin 1982, me hartimin e moduleve të para në fushat e Paleontologjisë humane, Antropologjisë mjeko-ligjore dhe Antropologjisë prehistorike, të ligjëruara në disa fakultete të Universitetit të Tiranës. Më tej, u aktivizova si pedagog i jashtëm i lëndëve të Antropologjisë Sociale në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe në disa universitete jo publike të vendit, si UFO, Marin Barleti, Justicia dhe në Institucionin e Arësimit të Lartë ISSAF (1985-2010).
Në këtë kuadër, e pashë të udhës të botoj tekste (pas)universitare për programet e lëndëve të Antropologjisë Social-Kulturore në universitetet publike dhe jo publike të Tiranës dhe Elbasanit: “Hyrje në Antropologji”, i pari i kësaj natyre i shkruar nga një autor shqiptar (2007, 2008, 2010, 2016) dhe “Antropologji e Komunikimit; Qasje në realitetin shqiptar” (2013). Për lëndën e të dy këtyre librave është treguar interes nga studiues të fushave të ndryshme shoqërore, sepse aty përfshihen produkte të mirëfillta shkencore mbi etnogjenezën e shqiptarëve në këndvështrim antropologjik, mbi gërshetimin e vlerave kulturore shqiptare me ato perëndimore, mbi kodet komunikuese të shqiptarëve etj.
Mbas emërimit si pedagog i brendshëm në Universitetin Europian të Tiranës- UET (janar 2011), vazhdova veprimtarinë akademike si titullar i lëndëve të Antropologjisë së zbatuar për të tre ciklet e studimit. Ndërkohë, kam botuar artikuj studimorë mbi probleme të këtij drejtimi të ri shkencor në revistat Polis, Studime Sociale dhe Humanus, kam ndërmarrë projekte individuale dhe në bashkëpunim me doktorantë të UET-it, kam qenë dhe jam udhëheqës/ oponent i dhjetra temave të Doktoraturës me tematikë social-kulturore dhe jam aktivizuar me artikuj publicistikë mbi dobinë e Antropologjisë sociale për tregun shqiptar të Punës”.
Me çfarë punë të rëndësishme shkencore po merreni aktualisht?
“ Në vjeshtë të vitit 2016 kam dhënë për botim te UET Press monografinë e re “Antropologjia etnike e shqiptarëve”, një vepër e karakterit të mirëfilltë albanologjik ku, përmes trajtimit të disa prej aspekteve më të rëndësishme të “prerjes” etno-kulturore të shqiptarëve, kam synuar të nxjerr në pah bashkëlidhjen e tipareve të natyrave të ndryshme në sintezën antropologjike të shqiptarëve, duke e vështruar njëkohësisht evolucionin e tyre në përspektivë krahasuese, nga epoka e Neolitit deri në Mesjetën e zhvilluar. Shpresoj që kjo vepër do të gjejë jehonë, jo vetëm në mjedisin shkencor të vendit, por edhe përtej kufijve, sidomos tek intelektualët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, ndoshta edhe më gjerë, në qarqet shkencore ndërkombëtare.
Ndërkohë, po punoj për veprën tjetër “Probleme të antropologjisë shqiptare” ku përfshihen studime, projekte, ese, intervista etj. të viteve të fundit. Kjo vepër sendërton një gjykim realist mbi “trasenë” e kërkimeve të mëtejshme në fushat e zbatuara të Antropologjisë në Shqipëri”.