E gjithë Shqipëria po përjeton ditë të ftohta. Madje thonë se një mot të tillë nuk e kemi parë qysh prej vitit 1985.
Shumë rrugica ku del uji në sipërfaqe, mëngjeseve janë të ngrira, aq sa duhet shumë kujdes nëse kalon mbi to. Por edhe pse ora kishte kaluar 12:00 dhe aty vazhdimisht ka ujë të rrjedhshëm, shatërvani prapa Teatrit të Operës dhe Baletit në qendër të Tiranës qëndron i ngrirë.
Njerëzit e shohin me habi, madje ka nga ata që përkulen për ta prekur me dorë nëse akulli është i vërtetë apo jo ( beso e kontrollo i thonë kësaj…).
Ka nga ata që janë mësuar dhe nuk u bën përshtypje ose janë të detyruar për të qëndruar rrugëve në këto temperatura të ulëta, siç është ky zotëri që pret dikë që të vijë e të lustrojë këpucët.
Çdo ditë për të është sfidë për të nxjerr bukën e fëmijëve!
Zona e liqenit është e qetë. Ka nga ata që nuk e lënë stërvitjen e përditshme pavarësisht të ftohtit. Madje vrapojnë edhe krah ujit që në një pjesë të sipërfaqes së liqenit, ka ngrirë./dita/a.k