Vendosja e kontenierëve për diferencimin e mbetjeve ka filluar që të japë rezultatet e para në kryeqytet. Brenda dy ditësh, në zonën e Unazës së Tiranës, që është identifikuar edhe si zona e kuqe, ku është përqendruar fillimisht puna e kompanisë publike Eco Tirana, janë vendosur më shumë se 160 kontenierë të rinj, ndërsa më parë është bërë dhe dizinfektimi i ambjentit.
Pranë kontenierëve shihen edhe punonjës të “Eco Tirana” të veshur uniformë, të cilët udhëzojnë qytetarët se si t’i ndajnë mbetjet, në mbetje të riciklueshme dhe të pariciklueshme.
Ndryshe nga vitet e shkuara, ku ishim mësuar që t’i shihnim plehrat të grumbulluara prej ditësh pasi askush nuk kujtohej, punonjësit tregojnë se mbledhja e mbeturinave realizohet në mënyrë të vazhdueshme me mjetet moderne, të njëjta me ato që përdoren në qytetet europiane.
E në fakt, një gjë e tillë është lehtësisht e dallueshme nëse bën një vëzhgim të thjeshtë në zonën ku ka filluar të zbatohet ky projekt, i cili e kthen Tiranën në model për mbajtjen e mjedisit pastër.
Por, si do të bëhet diferencimi i mbetjeve dhe hedhja e mbeturinave në kontinierë të ndryshëm?
Për hedhjen e mbeturinave janë vendosur dy kontenierë me kapakë me dy ngjyra të ndryshme:
Kontenieri i gjelbër, me kapak të verdhë tregon se aty duhet të hidhen mbeturinat e riciklueshme (letër, karton, bidona dhe shishe plastike, najloni, qumështi dhe kanaçe).
Kurse kontenieri tjetër me ngjyrë blu dhe kapak gri tregon se aty duhet të hidhen të gjitha llojet e tjera të mbeturinave.
Mbeturinat të cilat zënë një vend më të madh (kutitë e kartonit dhe plastiket) do të duhet të shtypen para se të hidhen në kontenier. Punonjësit që qëndrojnë pranë kontenierëve sqarojnë se duhet treguar kujdes i veçantë për të mos hedhur thëngjill të ndezur dhe hi. Duhet të prisni që ato të jenë fikur dhe të jenë ftohur për të shmangur zjarrin.
Kapaku i kontenierit nuk duhet të hapet pasi për të hedhur mbeturinat do të përdoren dritaret dhe se mbeturinat e përziera duhet të jenë brenda një qeseje të mbyllur për një higjienë më të mirë