Një veprim bujar, mund të cilësohet dhurata që Heinrich Steinmeyer, një ish ushtar gjerman i bëri komunitetit të Comrie, një fshat i vogël në Perthshire, të Skocisë.
Pikërisht në këtë vend ai u mbajt i burgosur për disa kohë gjatë luftës së dytë botërore, në kampin e Cultybraggan, ku ushtari gjerman u internua pasi u kap në Francë, në moshën 19- vjeçare.
Para dy vitesh ai u nda nga jeta në moshën 90- vjeçare, dhe duke mos pasur fëmijë i dhuroi 477 mijë euro komunitetit të Comrie, në kujtim të “mikpritjes” gjatë kohës që ishte i burgosur lufte.
“Dua të shpreh mirënjohjen për popullin skocez për bujarinë e marrë gjatë qëndrimit në burg, por edhe më vonë”, shkroi Steinmeyer në testamentin e tij.
Dy vite pas vdekjes së tij, dhurata u finalizua dhe paratë i kaluan administratës komunale, e cila do i përdorë në ndihmë të personave të moshuar që jetojnë në zonë.
Ish- ushtari nazist, shpjegoi se skocezët i shpëtuan jetën në tre raste të ndryshme, nga francezët kur u kap, nga polakët, kur e transferuan dhe me sjelljen e tyre kur u burgos.
Ai shprehej gjithashtu se do i kishte pëlqyer të kishte qëndruar të jetonte në Skoci, por me përfundimin e luftës, siç shkruan noa.al, u detyrua të kthehej në vendin e lindjes në Slesia, të Gjermanisë lindore për t’u kujdesur për të ëmën që kishte ngelur e ve.
Në Comrie, Steinmeyer u bë shok i ngushtë me George Carson, i cili vdiq pak javë para tij.
Historia e pazakontë u tregua nga djali i Carson për BBC, i cili tha se hiri i Heinrich Steinmeyer u shpërnda në kodrat përreth kampit të Cultybraggan, ku me sa duket kishte lënë një pjesë të shpirtit. /a.k