Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues, Haki Çako, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të rënda, Ardian Çipa, pritën në një takim Ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz, e cila shoqërohej nga oficeri ndërlidhës policor i Gjermanisë në Shqipëri Herbert Maassen dhe asistentja e tij Marzela Imami.
Ky takim synon në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Policisë Shqiptare dhe asaj Gjermane.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Çako uroi ambasadoren Schütz me rastin e marrjes së detyrës dhe theksoi gjithashtu bashkëpunimin e shkëlqyer dhe partneritetin mes policive të dy vendeve.
Në takim, rëndësi e veçantë iu dha bashkëpunimit në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, terrorizmit, trafikimit të qënieve njerëzore dhe kalimit të paligjshëm të kufirit.
Ambasadorja Schütz shprehu mirënjohjen e saj për punën e deritanishme të Policisë shqiptare për parandalimin e emigrimit të paligjshëm drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së, duke theksuar edhe rezultatet shumë pozitive në luftën kundër krimit të organizuar.
Gjithashtu një vend të veçantë në këtë takim, zuri edhe bashkëpunimi i Policisë Shqiptare me agjencitë e huaja ligjzbatuese në luftën kundër radikalizmit, ku u theksua ngritja e një strukture të veçantë pranë Drejtorisë së Policisë, për trajtimin e këtyre çështjeve, raporton express. Në vazhdën e mbështetjes nga ana e qeverisë gjermane me mjete logjistike u zhvillua edhe një ceremoni, gjatë së cilës u dhuruan dy automjete të reja për Drejtorinë e Përgjithshme për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda./a.k