Ditën e shtunë datë 29 tetor, ora 12:30 në mjediset e Muzeut Historik Ersekë, Kolonjë për të zbuluar bashkë Thesaret e Kolonjës. Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore prej muajsh punon me kujdestarët pasionantë të trashëgimisë kulturore në Ersekë për zbulimin, inventarizimin, skanimin, dixhitalizimin dhe regjistrimin e këtij fondi të rrallë të fotografive negativë në xham të fotografit kolonjar Dhimitër Vangeli që i përkasin fillim shek. 20-të.
Imazhet e negativave në xham të kësaj pasurie, janë dëshmi e qytetarisë, traditës dhe modelit të familjes dhe shoqërisë së trevës së Kolonjës në fillim shek. 20-të. Ministrja Kumbaro, lidhur me këtë ekspozitë të veçantë në Twitter shkruan, se pas zbulimit të thesarevre të Kolonjës dhe Marubi do të ndihej pak xheloz “Fundjave Kolonjare #EjaNeserNeErseke te zbulojme #ThesaretEKolonjesHistoria e Shqiperise permes Fotografise Kolonjare #MarubiXheloz :D, – shkruan ministrja.
-Dhimitër Kristo Vangjeli, lindi më 08.09.1872 në fshatin Prodan të rrethit Kolonjë. Në moshë të re, u largua nga fshati për të jetuar për disa kohë në Athinë. Atje punoi e mësoi disa profesione. Kur u kthye në vendlindje hapi një dyqan të vogël në qytetin e Ersekës, mbi portën e të cilit vendosi një tabelë ku shkruhej: Hëmbëltore, Orëndreqës e Fotograf.
Në sajë të pasionit të tij për fotografinë, ai brenda një kohe të shkurtër e shndërroi dyqanin në një laborator fotografik por jo studio, që sipas trashëgimtarëve e ka zanafillën që në fillimet e 1900-ës. Me pasionin e vizionin e fotografit dhe si njeri që e dashuronte punën e profesionin që kishte përzgjedhur, Vangjeli me aparatin fotografik në krah shëtiti në të gjithë fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur e të dashur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf shëtitës, është ndër të paktët që ka në qendër të fotografisë jetën e pothuajse gjithë fshatrave me të gjitha ciklet e jetës, që nga lindja, pagëzimi, martesa deri edhe tek ceremonitë mortore. Fotot e tij janë pasqyrim i saktë i gjendjes së Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX.
Në një vështrim të përgjithshëm të negativëve xham të këtij fondi të vyer, prej afërsisht 1300 të tillë aq sa kanë mundur t’i shpëtojnë kohës, pasqyrohen në mënyrë domethënëse ndoshta gati unikale portrete individuale e familjare, çifte të sapomartuar, grupe njerëzish, vajza e djem, të rinj e të moshuar, ceremoni nga festat tradicionale të vitit për të dy ritet ortodoks e bektashinj, ceremoni dasmash e mortore, foto të kishave e teqeve shoqëruar me klerikët e tyre, shkolla me nxënësit e mësuesit, dhe manifestime me qindra njerëz duke festuar evente të festave kombëtare, luftëtarë të armatosur vendas dhe të huaj, peizashe, etj.
Të gjithë diapozitivat në negativ xham franceze që i blinte në Korçë e Selenik, të sistemuara në kuti kartoni të cilat shprehin origjinalitetin edhe sot, i ruajti si gjënë më të shtrenjtë në shtëpinë e tij në fshatin Prodan.
Dhimitri ndërroi jetë në Prodan, më 1 prill të vitin 1957 në moshën 85 vjeçare. Pa më të voglin dyshim që pasioni i tij i fotografit është një vlerë e shtuar për Kolonjën dhe Kolonjarët. Me anë të fotove të tij, qartas ky album do tregojë dhe flasi me gjuhën e fotografisë për ato vlera të jashtëzakonshme që mbart krahina e Kolonjës.
ma.me