Qeveria ka rritur në 340 milionë Dollarë fondin e rindërtimit nga buxheti i saj për këtë vit, ndërsa vitin e ardhshëm do të shtojë edhe 250 milionë Dollarë të tjera për të përfunduar ndërtimin e të gjitha banesave dhe infrastrukturës së dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Gjatë një raportimi në kuvend, ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, tha se bashkë me donacionet e huaja, për këtë vit dhe vitin e ardhshëm buxheti do të akordojë 900 milionë Dollarë për rindërtimin.
Fjala e Arben Ahmetaj:
Në fillim të vitit kishim mbi 10 mijë familje të akomoduara në çadra dhe gati 2 mijë në banesa me qira. Sot 13,192 familje jetojnë në shtëpi me qira, për të cilat qeveria ka akorduar bonusin që deri tani ka arritur vlerën 2 miliardë lekë dhe do të shkojë 2.9 miliardë deri ën fund të vitit. Pra 29 milionë dollarë ka akorduar qeveria për bonusin e qirave për këto familje.
Sot që flasim, janë investuar për rindërtimin gati 18 miliardë lekë (17.5 miliardë nga buxheti i shtetit dhe 500 milionë nga grantet e arkëtuara, kryesisht nga donatorë privatë brenda vendit.
Deri në fund të vitit 2020, nëse keni parë edhe ndryshimet në Aktin Normativ që shpejt do të vijë dhe në Kuvend, janë akorduar 34 miliardë lekë, pra, brenda këtij viti janë akorduar 340 milionë dollarë dhe në planifikimin buxhetor duke e lidhur në afatmesëm me vitin tjrtër janë edhe 25 miliardë lekë, pra 250 milionë dollarë të tjerë nga burime të brendshme; këtu nuk kam numëruar donatorët, një pjesë e mirë e të cilëve i ekzekutojnë angazhimet e tyre nëpërmjet institucioneve të tyre.
Çfarë është financuar:
65 miliardë lekë për financimin e rindërtimit te banesave individuale nga FSHZH dhe Bashkia Tiranë. Javën e kaluar të dy institucionet mbyllën fazat e dyta, FSHZH për 688 banesa dhe Bashkia e Tiranës, me lote për 250 banesa dhe në javët që vijnë vazhdojnë edhe për banesat e tjera. Për dijeninë tuaj, afati i ndërtimit në maksimumin e tij shkon 4-5.5 muaj. Do të kemi një numër të konsiderueshëm banesash, mbi 1 mijë, që do të presin qytetarët përpara 31 dhjetorit.
87 miliardë për financimin e granteve të rikonstruksionit në 11 bashki. Nesër fillojnë pagesat në Bashkinë e Durrësit, të cilës i janë akorduar 2.4 miliardë lekë ose 24 milionë dollarë për grante DS1-DS3 dhe ndërkohë lista nuk e përfituesve nuk është ezauruar akoma, procesi vazhdon në bashkinë e Durrësit dhe mund të shkojë mbi 30-33 milionë dollarë. Jemi duke folur vetëm për grante.
Dikush nga deputetët e Durrësit bëri gjest, rrudhi buzët, mendon se 33 milionë dollarë janë pak. Më thoni një herë në historinë 30-vjecare kur një qeveri i është përgjigjur brenda një kohe të shkurtër një nevoje kaq të madhe. Kur unë jap informacion për rindërtimin tentoj të jem në distancë me emocionin politik sepse aty ka njerëz që presin të kthehen në shtëpi. Aty ka njerëz, qytetarë që presin të marrin grantet e rindërtimit; aty ka nxënës që presin të futen në shkollat e reja.
Dje isha në një shkollë afër Rinasit dhe kur e ndava me qytetarët në rrjetet sociale që kjo shkollë do të mbarojë në 25 Nëntor, kishte një koment që shkolla fillon në shtator. Gjej rastin t’i kthej përgjigje tani: është rrënuar, është rrëzuar, është shembur një shkollë. Dhe do të ndërtohet për gjashtë muaj! Në 25 nëntor do të ketë shkollë! Nuk kemi shkop magjik të ndërtojmë shkollë për dy muaj, nuk e kemi. Por kemi vullnet dhe fokus për ta bërë atë për 6 muaj, sikundër nuk është bërë asnjëherë.
Qytetarët e Durrësit, do marrin grantin e rindërtimit 24 milionë dollarë.
Ndërkohë janë 140 shkolla. Në historinë 30-vjecare 140 shkolla në harkun e një viti e gjysëm, nuk ka bërë vaki ndonjëherë, ta them në zhargon. Dhe gati 40 do të mbarojnë brenda 26 nëntorit dhe do t’i numëroj.
Vetëm nga FSHZH janë 38 objekte arsimore. Bashkia Tirane – 18 objekte ;
EU4Schools (programi 1), që është pjesa e 15 milionë eurove, 22 objekte i ka filluar UNDP. Pjesë e angazhimit të Komisionit Europian.
Kemi EU4Schools (programi 2) – 54 objekte, që sërish do të prokurohen nga UNDP si agjensi e besuar e Komisionit Europian. KfW ka 3 objekte arsimore. Sllovenia ka 1 objekt arsimor. TOKI i Turqisë ka 1 objekt arsimor; Katari ka 3 objekte arsimore
Ndërkohë, në programin e infrastrukturës ka filluar puna për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar në 4 zona:
Fushë- Krujë
Thumanë
Kavajë
Bubq
Unë e kuptoj padurimin e qytetarëve atje dhe më besoni po me modesti dhe emocion, sa herë ka një fjali të ngarkuar nga qytetarët, jo vetëm e marr si shtysë, por e kam në mendje në çdo moment në territor sepse e kuptoj shumë mirë që një moment ta vendos veten aty, tek ai qytetari që është akoma në çadër, tek ai qytetari që do të kthehet në shtëpi sa më shpejt, sigurisht që do duhet të isha i paduruar dhe realisht jam i paduruar për të shtyrë proceset sa më shpejt, larg klisheve politike, prandaj po e mbaj komplet jashtë debatit politik këtë proces.
Më kanë pyetur për zhvillimet me donatorët. Do t’i numëroj një nga një:
Komisioni Europian: 115 mln euro. Sot janë angazhuar 15 milionë euro siç e theksova me 22 objekte arsimore. 50 milionë euro që është që i është dhënë tashmë UNDP dhe 50 mln euro për trashëgiminë kulturore, që jemi ën negociatë, për rikonstruksionin e gjithë trashëgimisë kulturore që është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Gjermania: 11 milionë euro të angazhuar në sektorin e arsimit. Janë përzgjedhur tre shkolla në dy bashki
Sulejman Elezi (Kamëz)
Hillary Clinton (Kamëz)
Rexhep Mezini (Durrës)
Projekti zbatohet nga KfW.
Turqia: 45 mln euro. Projekti i integruar i ndërtimit të 522 banesave në Laç, së bashku me shkollën 9-vjecare, godinën e bashkisë Kurbin dhe rimodelimin e qendrës së qytetit. Projekti do të zbatohet nga Agjensia e Strehimit të Republikës së Turqisë. Javën e kaluar nënshkruam marrëveshjen qeveritare, ka dalë vendimi i shpronësimit dhe pritet që kompania që ka fituar tenderin në Turqi të vijë për të filluar punën.
Emiratet e Bashkuara Arabe: 70 mln euro. Jemi në proces të projektit të detajuar për Spitallën. Sapo të përfundojë, i dorëzojmë palës emiratase për ndërtimin në zonën e Durrësit.
Zvicra: 9 mln euro, nga të cilat 1,45 mln euro për financimin e granteve të rikonstruksionit në dy bashki: Shijak dhe Kurbin. E falënderoj Ambasadorin e Zvicrës dhe qeverinë zviceriane për atë ndihmë të rëndësishme për ato familje që morën grante rikosntruksioni në Bashkinë e Shijakut dhe që do të marrin javën që vjen në Bashkinë e Kurbinit.
Pjesa tjetër e donacionit është në fazë diskutimi; sektorët potenciale janë infrastruktura, emergjencat civile dhe reduktimi i rreziqeve të fatkeqësive; shëndetësia.
Austria: 1 mnl euro (+50 mijë Lichtenstein). Është projekti për ndërtimin e atij që e quajnë Fshati Austriak, “Austrian village” në Mirditë. Është hartuar marrëveshja, jemi në fazën e miratimit.
Italia: 5 mln euro grant për strehim. Do të ndërtohet në logjikën e fashtit austriak edhe në këtë rast. Gjithashtu një pjesë e anagzhimit shkon në infrastruktura publike komunitare; Arsimi profesional (1 mln euro) për shkollën profesionale Hysen Cela në Durrës. Është duke u hartuar Memorandumi i Mirëkuptimit
Me Italinë jemi gjithashtu në proces negocimi të kredisë së butë në vlerën 86 milionë euro e cila do të angazhohet në sektorët prioritare. Kryesori, emergjencat civile, projekti flagship i Italisë. Italia ka shprehu interesin që ta kthejë Agjensinë e Emergjencave civile në projektin e vet shembull dhe për ta bërë Agensinë të gatshme t’i përgjigjet me flotë, me trajnim, me kapacitet çdo lloj fatkeqësie.
Katari: 4,6 milionë euro qw do të angazhohen në sektorin e arsimit. Janë përzgjedhur tre shkolla në Tiranë:
15 shtatori (Pezë e Madhe) – 9-vjecare
Lasgush Poradeci – 9-vjecare
Kopshti nr. 42
Zbatimi do të bëhet nga vetë Fondi i Katarit në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.
Sllovenia: 300 mijë euro. Do të angazhohet në sektorin e arsimit, shkolla 9-vjecare në Nuaje, Krujë. Zbatimi nga pala sllovene dhe Bashkia Krujë
Sllovakia: 250 mijë euro, në sektorin e arsimit. Janë përzgjedhur për rikonstruksion 3 shkolla në dy bashki, Tiranë dhe Lezhë
Shkolla 9-vjecare Pezë Helmës
Shkolla 9-vjecare Kallmet, Lezhë
Shkolla 9-vjecare Manat, Lezhë
Zbatimi nga FSHZH dhe Bashkia Tiranë.
Kemi 7 shtete që kanë përzgjedhur një mekanizëm interesant për angazhimin e fondeve: Danimarka, Finlanda, Holanda, Norvegjia, Polonia, Suedia, Mbretëria e Bashkuar. 12,5 mln euro. Do të përdorin Kombet e Bashkuara me SDG Acceleration Fund, në sektorët:
Arsimi -edukimi online sic detyrimisht na mwsoi pandemia;
Rimëkëmbja ekonomike
Infrastruktura komunitare
Mbrojtja sociale
Mbrojtja e fëmijëve
Barazia gjinore
Caritas gjithashtu do të angazhohet në rindërtimin e shtëpive.
Unë kisha sjellë një set me foto nga puna në terren. Jam munduar ta ndaj me qytetarët dhe me ju punën në terren, por para se ta mbyll, një fjali që ka të bëjë me qëndrimin politik, do ta them.
Shumëkush nuk na besoi kur thamë që do t’i ndërtojmë shtëpitë, shkollat, infrastrukturën apo do japim grantet, sigurisht mund të thotë që keni bërë detyrën. Patjetër. Modestisht e them që po, bëjmë detyrën. Aty ku mund ta përmirësojmë, ju lutem na ndihmoni, por mos e harroni edhe ju, edhe qytetarët, që në 30 vite, asnjë qeveri nuk ka arritur t’i përgjigjet nevojës së qytetarëve në një fatkeqësi të tillë natyrore brenda një viti e gjysëm dhe po shkon fondi në 2020-2021, së bashku me angazhimin e donatorëve, gati 900 milionë dollarë.
Dhe kjo ka të bëjë jo thjesht me detyrën, detyra është në themel, por ka të bëjë me fjalën e mbajtur, besimin që qytetari ka tek një qeveri që atë që thotë do ta bëj, e mban si premtim. Jo si klishe politike, as si emocion politik, por si përgjegjshmëri ndaj qytetarëve të vet.