80% e kompanive në sektorë të ndryshëm të ekonomisë janë me shkelje në drejtim të zbatimit të legjislacionit të punës. Të dhënat bëhen të ditura nga kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Eljo Muçaj. Sipas tij, shkeljet më të shumta lidhen me sigurinë në punë dhe marrëdhëniet e punës.
“Gjatë vitit 2025, Inspektoriati i Punës ka kryer 9,535 inspektime në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Në 79% të inspektimeve të realizuara janë gjetur shkelje të legjislacionit të punës, që kanë të bëjnë me sigurinë dhe shëndetin në punë apo marrëdhëniet e punës. Vonesë e pagës, mospagesë e sigurimeve, apo kushtet e punës nuk janë të përshtatshme për të punësuarit, apo siguria në punë lidhet me çdo protokoll sigurie, sidomos në ato sektorë të ekonomisë ku rreziqet janë më të larta”, shprehet Eljo Muçaj, kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Punës.
Vetëm në vitin 2025, në Inspektoriatin e Punës janë raportuar 25% më shumë ankesa nga punëmarrësit, dhe këto lidhen më së shumti me mospagesë të pagave të prapambetura dhe kontributeve shoqërore, si dhe me ndërprerje dhe çrregullime të marrëdhënieve të punës.
“Në 2025 janë regjistruar 1,179 ankesa, 25% më shumë se një vit më parë. Kjo përbën 5-6 ankesa çdo ditë, ku 70% e ankesave janë zgjidhur në favor të punëmarrësve”, tha Eljo Muçaj.
Sektorët më problematikë në këtë drejtim janë ndërtimi, minierat dhe ata në fushën e turizmit.
“Gjetjet që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës dhe ato të sigurisë dhe shëndetit në punë tregojnë se sektorët më problematikë janë ata të ndërtimit, sektori i minierave dhe ata të prodhimit. Për çështjet që lidhen me marrëdhëniet e punës, më shumë çështje janë në sektorët e turizmit, tregtisë dhe industrisë”, shtoi më tej Muçaj.
Nga kontrolli i 206 mijë vendeve të punës në 2025 janë vendosur 268 gjoba me vlerë totale prej 65 milionë lekësh, duke shënuar rritje prej 20% në raport me vitin 2024.










