Një 71 vjeçare është revoltuar sot gjatë takimit të kandidatit të opozitës për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova me banorët e pastrehë për çështjen e banesave sociale. E moshuara kërkoi që të zgjidhet problemi i saj për të marrë një banesë si e pastrehë. 71 vjeçarja Sadete Osmani pak ditë më parë ka thënë se Bashkia ka 36 vite që nuk e zbaton vendimin e Gjykatës për t’i dhënë një banesë, ndërsa i është drejtuar me një letër edhe Kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit mësohet se shqetësimin ia ka adresuar më pas Bashkisë së Tiranës. Osmani kërkoi nga kryetari i Këshillit Bashkiak që të miratojë vendimin për ndarjen e banesave sociale. “Të më dëgjojë mirë zoti Aldrin Dalipi, tani pse nuk i ndan? Përse e bllokoi Këshillin Bashkiak? Përse e bllokuan? I kam bërë letër Edi Ramës. I kam bërë thirrje Edi Ramës që të mbledhë këshillin Bashkiak se jemi njerëz të varfër dhe po presim për një shtëpi. Edi Rama për 11 vjet nuk e zgjidhi problemin tim.Unë do shqyej derën dhe do hyj brenda. Këshilli Bashkiak është një formalitet”,¬deklaroi Sadete Osmani. Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, u shpreh se është i gatshëm ta zgjidhe problemin sapo të marrë drejtimin e bashkisë./Balkanweb.com/









