Nga Carlo Bollino
Nuk ka tashmë asnjë dyshim se Sali Berisha është më i zoti të organizojë protesta se të qeverisë. Në këto 32 vite të shpenzuara mes qeverisjes dhe opozitës, ka treguar se sheshi është talenti i tij i vetëm, i vërtetë. Protesta e 7 korrikut mblodhi aq protestues sa Lulzim Basha nuk diti të mblidhte as në kulmin e fushatës zgjedhore. E megjithatë, edhe pse numerikisht e rëndësishme, protesta e 7 korrikut nuk solli asgjë të re në teatrin e politikës. Sepse, nëse Berisha është i aftë të mbledhë turmën dhe të maskohet pas një muri gënjeshtrash, nuk është po aq i aftë të rinovojë seriozisht idetë e tij. Nuk është i zoti të përmirësohet. Kjo, thjeshtë sepse nuk ka kulturën e mjaftueshme për të pranuar gabimet e veta.
Foltorja që u pa dje në bulevardin e Tiranës ishte e mbeshtjellë nga rrjetat e merimangave të kohës, të nxjerra jashtë nga magazinat e partisë pa u shqetësuar fare t’ua hiqnin as pluhurin. Ishte e njëjta foltore e përdorur në vitin 1990, kur Sali Berisha ishte ende një mjek të cilit askush nuk ja njihte të shkuarën, në krye të një populli në arrati nga diktatura, të cilit diti t’i premtojë më mirë se të tjerët ëndrrën e lirisë dhe të ndryshimit. Askush atëherë nuk e dinte dhe as mund ta imagjinonte atë që “lideri demokratik” i ri do t’i shkaktonte vendit dhe popullit të tij. Me të fituar për herë të parë zgjedhjet e 1992, filloi të arrestonte liderat e opozitës (ai që kishte ardhur në pushtet duke premtuar pluralizëm idesh), pastaj arrestoi gazetarë (pasi kishte premtuar lirinë e shtypit), pastaj bëri manipulime elektorale (pasi ishte betuar për votën e lirë). Pasoi mashtrimi i madh me firmat piramidale të autorizuara prej tij, duke lejuar nën kontrollin e drejtpërdrejtë që populli shqiptar të grabitej në kursimet e vetme dhe të parat. Pastaj fillimi i luftës civile të 1997 duke nxitur veriu kunder jugut, me urdhërin e cmendur të hapjes së kazermave duke u dorëzuar militantëve të partisë, qytetarëve të thjeshtë, kriminelëve dhe adoleshentëve qindra mijëra armë dhe bomba që vazhdojnë të vrasin edhe sot e kësaj dite. Deri te përpjekja për grusht shteti me 14 shtator 1998, një akt politikisht vetëvrasës që e dënoi me izolimin e tij të parë nga ana e komunitetit ndërkombëtar, i përjashtuar si person i padeshiruar deri edhe nga pritjet e ambasadave.
Pasi kaloi tetë vite në opozitë, në 2005 Sali Berisha arriti të rimaskohej, duke ndryshuar fytyrën e tij, por duke mbetur gjithësesi i njëjti. Shpiku Kop-in duke vendosur në krah të tij Lulzim Bashën, mikun e padëmshëm të familjes me studime në Hollandë, që i shërbente të krijonte figurën e re më të bësueshme si lider i moderuar dhe europianist. Populli demokrat pjesërisht i besoi sërish, por ai rigenjeu. Sapo fitoi zgjedhjet, Berisha i harroi të gjitha premtimet elektorale duke filluar që nga lufta kundër korrupsionit dhe u bë protagonist i një serie të pafundme aktesh korruptive ku familja e tij ishte përfituesja kryesore. Abuzimet me tokat në Porto Romano, Damir Fazllic, Klubi Partizani dhe pastaj Gërdeci, Rruga e Kombit, lëshimi i detit Greqisë, tendera te vjedhur, abuzimet për qindra miliona euro me energjinë elektrike me Serbinë, për të përfunduar me masakrën e 21 janarit dhe refuzimin për të arrestuar fajtorët e urdhëruar nga prokuroria.
Media që Berisha nuk kishte blerë terrorrizohej seriozisht nga kërcënimet e tij, dhe në fakt arriti të mbante të fshehura për tetë vite shumë nga skandalet, ose t’i minimizonte edhe falë kontrollit total që kishte ndaj drejtësisë. Mashtrimi vazhdoi deri në 2013, kur më në fund humbi pushtetin duke u tërhequr në dukje nga kreu i partisë. Por edhe këtë herë, ishte një mashtrim, sepse Sali Berisha, i paaftë të ndryshojë në të vërtetë, qëndroi gjithnjë në hije të Lulzim Bashës duke e drejtuar si një marionetë. Dhe kur marioneta vendosi të rebelohet (duke vepruar si Pinoku në fabulën e famshme), baba Xhepeto vendosi ta asgjësojë.
Dhe ja, mbërritëm në ditët tona dhe në protestën e 7 korrikut. Berisha, ndërkohë i pagëzuar si korruptues dhe armik i demokracisë deri edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u kthye të veshë maskën e tij të fundit, por pa ndryshuar në asgjë. Këtë herë harroi t’i heqë dhe pluhurin foltores. Duke besuar se ndodhet në fillim të karrierës së tij të përjetshme politike, u hodh në thirrje patetike kundër komunizmit duke premtuar një rrugë imagjinare drejt lirisë! Duke rrëshkitur në një gafë të sikletshme, lajmëroi se javën e ardhshme Brukseli do të hapë negociatat me Shqipërinë, sikur edhe ky është faji i Edi Ramës, pa e kuptuar se me këtë njoftim faktikisht fshiu kuptimin e tërë të akuzave të tij.
Ashtu si 32 vite më parë, militantët e dëgjuan të lumtur, të eksituar dhe të magjepsur nga flauti i tij magjik. E vërteta qëndron se ata do ta duartrokisnin edhe nëse do të fliste për qershi, apo se si përgatitet sallata greke. Militantëve nuk iu intereson se cfarë thotë Sali Berisha, atyre iu duhet që ai të jetë dhe kaq, ashtu si iu ndodhte adhuruesve të Enver Hoxhës. Problemi qëndron se ajo foltore plot me rrjeta merimangash, nuk mund të mashtrojë dhjetëra e mijëra shqiptarë të tjerë që në 1992 apo ne 2005 i besuan premtimeve që tha, por ndërkohë zbuluan fytyrën e tij të vërtetë.
Ekspertët e quajnë elektorat-gri, një masë vendimtare ku bëjnë pjesë edhe socialistë dhe demokratë të zhgënjyer që kanë zgjedhur thjeshtë të mos votojnë më. Prej tyre varet fitorja ose jo e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme. Duke e parë pas foltores së tij të pluhurosur të premtojë gjithnjë të njëjtat gjëra me të njëjtin tërbim, me të njëjtën gjuhë, me të njëjtën urrejtje të 32 viteve më parë, besojmë se Sali Berisha nuk mund të bindë më asnjë zgjedhës të ri.
Nuk pamë dhe as dëgjuam asgjë të re nga sheshi i Berishës. Dhe ata njerëz, edhe pse shumë, mbeten gjithësesi tepër pak për të besuar se mashtrimi i tij po funksionon akoma.