Një procedim aspak i zakonshëm është bërë nga policia e Tiranës. Një 62-vjeçare u shpall në kërkim pasi u largua me mjetin e saj duke vjedhur bllokuesin e gomës të vendosur nga policia bashkiake. Policia e shtetit ka shpallur në kërkim të moshuarën me incialet Q.C.
“Më datë 27.11.2016, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen Q.C, vjeç 62, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se para një jave, në bulevardin “Bajram Curri”, me mjetin tip “Audi”, është larguar duke vjedhur bllokuesin e gomës, të vendosur nga punonjësi i policisë bashkiake. Punohet për shoqërimin e saj. Neni 134 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë./a.m.