Shefja e ONM, Xhenoveva Ruiz Calavera, në një intervistë për Top Channel tha se krijimi i SPAK është një lajm i mirë, ndërsa procesi i vettingut ka ende 600 dosje në përpunim.
Zonja Calavera thotë se përgjegjës për këtë proces janë të gjitha institucionet. Ajo ftoi të gjithë që të tejkalojnë ngërçin për Gjykatën Kushtetuese.
Anila Hoxha: Kryeprokurori i SPAK-shkoi këtë të premte në zyrë dhe mori detyrën. Cilat janë pritshmëritë tuaja për SPAK-un? Ndërkohë Gjykata Kushtetuese nuk është ende funksionale. Kur e filluat këtë proces, a prisnit që drejtësia shqiptare të gjendej në këtë situatë?
Genoveva Ruiz Calavera: Së pari, më lejoni të përgëzoj grupin e prokurorëve që u betuan për pozicionet e reja dhe morën detyrat e tyre, si dhe më lejoni të falënderoj gjithashtu Këshillin e Lartë të Prokurorisë, sepse kanë bërë një punë tërësore për ta bërë të mundur këtë. Është e qartë që ky institucion do të jetë themelor për Shqipërinë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Pra, ky është një lajm shumë i mirë, deri tani. Nëse flasim për Gjykatën Kushtetuese, më duhet të ndaj shqetësimin tim. Në situatën ku jemi sot, me një konflikt interpretimi për metodologjinë e emërimit, është një konflikt shumë serioz dhe prandaj Bashkimi Evropian ka kërkuar që në mënyrë që të kapërcehet ngërçi, zyrave të mira të Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias,t’i kërkohet të vijnë që t’i ndihmojnë palët ta kapërcejnë këtë ngërç. Unë inkurajoj që ky hap të ndërmerret sa më shpejt që të jetë e mundur. Më bëtë një pyetje shumë të mirë.
Çfarë prisja para nisjes së procesit të vetingut dhe reformës në drejtësi. Mund t’ju them se të gjithë prisnim që ky do të ishte një procesi vështirë, shumë kërkues, por të gjithë e dinim që kjo ishte diçka që populli shqiptar po e kërkonte. Ai donte të shihte shtetin ligjor, donte të rifitonte besimin te gjyqësori. Ndaj ndonëse e dinim që nuk do të ishte një proces i thjeshtë, jam shumë e lumtur që Bashkimi Evropian mund të kontribuojë për të. Dhe po ju them edhe një herë, sigurisht jemi në një situatë kur duhet ta përsërisim vazhdimisht, t’ua kujtojmë të gjithë shqiptarëve, se nuk duhet t’i lejojnë liderët, politikanët dhe institucionet e tyre që të mos kontribuojnë për t’u siguruar që ky proces të jetë i suksesshëm. Ata e meritojnë dhe sigurisht që ne në Bashkimin Evropian do të jemi përkrah popullit shqiptar dhe unë besoj shumë se ata do t’ia dalin.
Anila Hoxha: Si e vlerësoni ecurinë e procesit të vettingut dhe a po zbatohet me ritmet e duhura?
Genoveva Ruiz Calavera: Procesi i vetingut u miratua nga Parlamenti i Shqipërisë, sepse ishte një masë e nevojshme për të rindërtuar besimin e qytetarëve te gjyqësori. Mund t’ju them se është një proces shumë gjithëpërfshirës, shumë intensiv, por edhe një proces kompleks që kërkon një investim shumë të rëndësishëm nga institucionet e vetingut. Ata po punojnë me shumë përkushtim, dhe sigurisht po punojnë nën mbikëqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët kam kënaqësinë t’i drejtoj si Shefe e Zyrës së ONM-së. Deri më tani, institucionet kanë arritur të rivlerësojnë 200 prokurorë dhe është e qartë se disa prej tyre kanë dhënë dorëheqjen në këtë proces ose janë tërhequr. Shumica e largimeve nga detyra kanë ndodhur për shkak të faktit se magjistratët nuk kanë mundur t’i justifikojnë pasuritë që kanë pasur në llogaritë e tyre. Por kemi ende shumë punë përpara. Janë rreth 600 dosje të tjera që duhen përpunuar. Kjo është një punë shumë e vështirë dhe sfiduese.
Megjithatë, unë kam shumë besim se institucionet kanë fituar shumë më tepër përvojë tani se si të procedojnë dhe do të bëjnë gjithçka që është e mundur që të sigurohen që të gjitha këto raste të përpunohen brenda afateve ligjore të vendosura në Kushtetutë. Por më lejoni të them diçka që është shumë e rëndësishme. Nuk janë vetëm institucionet e vetingut përgjegjëse për këtë. Kjo duhet të jetë një përparësi kryesore kombëtare, përparësi për të gjitha institucionet. Dhe janë shumë prej tyre që duhet të kontribuojnë në këtë proces. Nuk ka asnjë justifikim për të gjitha institucionet e tjera që duhet të sigurojnë mbështetje që të mos e bëjnë këtë me shpejtësi, shumë intensivisht, dhe nuk ka justifikim për bllokime apo pengesa në proces.
Anila Hoxha: Pas tërmetit të 26 nëntorit, cila është ndihma e dhënë deri më tani nga Bashkimi Evropian?
Genoveva Ruiz Calavera: Para së gjithash, më lejoni të them sa u tronditëm të gjithë në Bashkimin Evropian kur pamë nivelin e shkatërrimit nga tërmeti i nëntorit dhe nivelin e vuajtjeve që shkaktoi. Ne jemi, nga ana tjetër, shumë të kënaqur që qysh prej ditës së parë të tërmetit, BE-ja ka bërë çdo përpjekje të mundshme për të qenë së bashku me popullin shqiptar, për të trajtuar ndihmat e para dhe të menjëhershme humanitare, sepse arritëm të vëmë në dispozicion një mekanizëm civil shumë të rëndësishëm që e kishim gati për të sjellë anëtarë stafi mjaft kompetentë nga Bashkimi Evropian. Më shumë se 200 individë erdhën këtu me qen, me pajisje, me një detyrë shumë të rëndësishme në fillim, menjëherë pas tërmetit, siç ishte shpëtimi i jetëve njerëzore.
Ne jemi shumë të lumtur që ata punuan shumë ngushtësisht së bashku me shqiptarët me këtë qëllim. Jemi gjithashtu shumë të lumtur që kemi sjellë më shumë se 130 inxhinierë për të ndihmuar në nisjen e vlerësimeve të para. Dhe sërish, ata kanë punuar ngushtësisht me inxhinierët shqiptarë për t’i dhënë besim popullsisë pas situatës. Jemi sigurisht shumë të interesuar që ta vazhdojmë punën tonë dhe ta vijojmë mbështetjen tonë. Kjo ka qenë e dukshme, ka qenë e dukshme me tenda, gjeneratorë, ushqime, ndihmë psikologjike. Kemi përdorur, sigurisht, partnerët tanë zbatues, Kryqin e Kuq, Gjysmëhënën e Kuqe, dhe është e qartë që kemi vendosur jo vetëm paratë e Bashkimit Evropian në shërbim të popullsisë shqiptare, por edhe zemrat e Bashkimit Evropian, gjithashtu. Dhe jam shumë krenare që kemi qenë me ju në këtë moment të vështirë dhe ju siguroj që do të vazhdojmë të jemi me ju.
Anila Hoxha: Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE-ja do ta mbështesë popullin shqiptar me 15 milion Euro dhe Këshilli Evropian vendosi të organizojë një konferencë të donatorëve në janar 2020. Çfarë pritet nga kjo konferencë?
Genoveva Ruiz Calavera: Gjëja e parë e rëndësishme është që ky është vendimi i parë që ka marrë Presidentja jonë në detyrën e saj të re në Bashkimin Evropian, për t’u siguruar që pas ndihmës humanitare që siguruam, morëm menjëherë edhe 15 milionë Euro nga buxheti i BE-së për përdorim që të trajtohet faza fillestare e rindërtimit. Ajo, gjithashtu, njoftoi se Komisioni do të organizojë një konferencë të donatorëve, dhe ky njoftim u mirëprit nga të gjithë krerët e Bashkimit Evropian. Atë ditë ata ishin në Bruksel në një takim të Këshillit Evropian dhe kjo tregon vërtet se ajo çka dëshiron të bëjë Bashkimi Evropian është që të krijojë kushtet për të nxitur gjithë donatorët ndërkombëtarë që synojnë të ndihmojnë Shqipërinë, në mënyrë që të jemi më efektivë në punën tonë së bashku.
Jemi shumë të lumtur që po e organizojmë këtë, sepse jemi të bindur se duke përgatitur konferencën e donatorëve do të mund të ndihmojmë për rindërtimin e Shqipërisë, për të qenë shumë më te përgatitur për të përballuar të ardhmen. Dhe për këtë qëllim, së bashku me Bankën Botërore, së bashku me Kombet e Bashkuara, ne po drejtojmë një ekip që po punon ngushtësisht me qeverinë shqiptare, për të përgatitur atë që e quajmë vlerësim të nevojave pas katastrofës. Dhe ky është dokumenti që vlerëson gjithë dëmet që kanë ndodhur dhe do të sigurojë kapacitetin për t’u dhënë orientim donatorëve se cilat janë nevojat për rimëkëmbje, për rindërtim, dhe sigurisht për rritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare për t’u përballur me sfida të tilla që mund të ndodhin në të ardhmen./tch
g.kosovari