Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka bërë një kërkesë zyrtare, të firmosur nga 56 deputetë, në Kuvendit për të futur në Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit përplasjet e fundit të Metës për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese me anëtarë, shkruan Tema.
“Presidenti i Republikës në një kurs përplasje të plotë të tij me Kuvendin dhe institucione të tjera kushtetuese, ka vijuar cenimin e Kushtetutës me pasoja të rënda, përmes veprimeve konkrete apo mosveprimeve të qëllimshme. Rrjedhimisht, vlerësojmë të domosdoshme që edhe këto veprime të bëhen pjesë e vlerësimit nga Kuvendi i Republikës, në kuadër të procedurës së nisur tashmë për shkarkimin e Presidentit të Republikës”, thuhet ndër të tjera në këtë kërkesë.
“Njësoj siç veproi me dekretin e datës 10 qershor 2019, kur në tejkalim të kompetencës kushtetuese, Presidenti anuloi dekretin e tij nr. 10928/2018 për caktimin e datës 30 qershor 2019 si date për zgjedhjet vendore, me dekretimin e Znj. Marsida Xhaferllari, si gjyqtare kushtetuese, Presidenti ka vepruar përtej kompetencës së tij kushtetuese dhe ligjore, duke demonstruar ne mënyrë të përsëritur papërgjegjshmëri institucionale si dhe duke përdorur ne mënyrë abuzive pushtetin qe i ka ngarkuar Kushtetuta”, thuhet në dokument.
Duke u ndalur tek rasti i Arta Vorpsit, grupi parlamentar i PS-së thotë se presidenti nuk e ka ftuar atë për të bërë ceremoninë e betimit “(kusht për llimin e detyrës se gjyqtarit kushtetues sipas nenit 129 të Kushtetutës) dhe Presidenti publikisht ka deklaruar se nuk e njeh gjyqtaren kushtetuese në këtë funksion. Në këtë rast, presidenti po refuzon te zbatoje një detyrim ligjor e kushtetues, që përben një abuzim me pushtetin qe i ka ngarkuar Kushtetuta.)”.
Kërkesa e nënshkruar nga 56 deputetë, rendit edhe shkeljet për dekretimin e zonjës Xhaferllari si gjyqtare kushtetuese:
1. Eshtë dekretuar një gjyqtar kushtetues në kundërshtim agrant me kushtetutën dhe ligjin.
2. Ne mungese të kompetencës për të emëruar gjyqtarin kushtetues, Presidenti, ne mënyrë të kundërligjshme ka ndërhyrë në një proces kushtetues.
3. Presidenti ka ushtruar kompetenca te Këshillit te Emërimit në Drejtesi, duke i veshur vetes atribute te organeve te qeverisjes se sistemit te drejtësisë.
4. Eshtë cenuar e drejta e subjekteve për te patur një proces të rregullt gjykimi kushtetues, në kushtet kur do të gjykohen nga gjyqtar kushtetues me mandat te paligjshëm.
5. Eshtë cenuar funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni hetimor ishte parashikuar të mbyllte punën më 8 dhjetor, por me çështjet e reja duket se do të kapërcehet edhe ky afat. /e.s/











