Nga Eduard Zaloshnja
Për të llogaritur të ardhurat nga “eksporti” i kanabisit, nuk vlejnë të dhënat zyrtare të viteve 2014-2016, sepse, sipas tyre, është shkatërruar nga policia 99.99% e sipërfaqes së mbjellë. Ndërkohë, të gjithë e dimë se, dhjetëra e dhjetëra tonelata kanabisi shqiptar, janë kapur në Itali e Greqi gjatë këtyre viteve.
Viti 2013 mund të shërbejë për llogaritjen e mësipërme, sepse nga 320 hektarë të mbjella (të raportuara nga Guardia di Finanza italiane), u raportuan si të shkatërruara vetëm 20 hektarë (këto vetëm jashtë “krahinës autonome” të Lazaratit).
Duke iu referuar rendimentit mesatar të kanabisit, të raportuar nga OKB-ja (400 kg kanabis i tharë për hektar), rezulton se në vitin 2013, janë prodhuar në Shqipëri rreth 120 tonë kanabis i tharë. Ndërsa, duke iu referuar çmimeve mesatare të shitjes me pakicë në rrugët e Italisë e Greqisë (të raportuara nga OKB-ja), rezulton se vlera e këtij prodhimi në destinacionin përfundimtar, ishte rreth 1.25 miliardë euro.
Sipas të dhënave që paraqet gazetari Roberto Saviano në librin e tij “Zero Zero Zero”, vetëm 40% e vlerës përfundimtare të prodhimit të kanabisit, mbetet në vendin prodhues. Pjesa tjetër shkon në xhepat e “importuesve” dhe rrjeteve të shpërndarjes në vendet e zhvilluara, si dhe për të mbuluar humbjet që pësojnë këto rrjete, nga kapjet e ngarkesave prej policive të atyre vendeve (mesatarisht, 10% e prodhimit kapet nga policitë e vendeve të ndryshme).
Me fjalë të tjera, në vitin 2013, të ardhurat bruto të “eksportuesve” shqiptarë të kanabisit, kanë qenë rreth 500 milionë euro.
Me këto të ardhura, ata kanë mbuluar koston e kultivimit, si dhe kostot e mbrojtjes së prodhimit dhe transportit (kryesisht ryshfete ndaj policisë e politikanëve), duke mbajtur në xhepat e veta, pjesën e mbetur. Se sa ka qenë kjo pjesë nuk mund ta dimë, por sipas Savianos, kjo pjesë është zakonisht sa gjysma e të ardhurave bruto të “eksportuesve”
Për krahasim, të ardhurat bruto nga tekstilet dhe këpucët (fasonet), kanë qenë po 500 milionë euro në 2013-ën (shihni grafikun). Vetëm zëri “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” ia ka kaluar “eksportit” të kanabisit, me 700 milionë euro të ardhura bruto (në vitet në vazhdim, kërkesa botërore për këto produkte, ka rënë ndjeshëm – eksporti i tyre është përgjysmuar).
Duke qenë një nga produktet më të rëndësishme të “eksportit” shqiptar, lufta e dukshme që i është bërë kanabisit në sezonin aktual të kultivimit, përbën edhe një problem makroekonomik për Shqipërinë. Aq më tepër, kur eksportet e zërit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” janë përgjysmuar në krahasim me 2013-ën.
Një shpresë jep sektori i tekstileve dhe këpucëve, i cili i ka rritur eksportet në mënyrë galoponte – 760 milionë euro bruto në 2016-ën, krahasuar me 500 milionë në 2013-ën. Një stimulim fiskal i këtij sektori, mund të rrisë si punësimin, ashtu edhe të ardhurat nga eksporti. Që do t’i “humbasim” nga lufta kundër kanabisit…
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”