Të kesh apo mos kesh para, kjo është çështja.
Disa njerëz i kanë dhënë karar. I prishin gjithë ç’kanë apo nxjerrin.
Disa të tjerë, e kanë ndarë mendjen t’i kursejnë. Ata janë të pabindur kur vjen puna për të shpenzuar, sepse duan që t’i kenë aty, në numrin e llogarisë apo sirtarin me çelës.
Për të gjithë, ka një paketë këshillash që duhen mbajtur parasysh për të bërë ekonomi me paratë dhe kështu, të arrijmë të kursejmë.
1.Mbani një ditar të parave
Niseni ditën dhe përfundojeni atë, duke mbajtur një ditar të përditshëm të parave tuaja. Mos lini asnjë qindarkë pa shënuar, qoftë të ardhura e qoftë shpenzime.
Çdo ditë bëni një total të lekëve që keni shpenzuar dhe nëse keni pasur të ardhura (edhe pse për shumë nga ne një herë në muaj janë) shtojini dhe ato në ditar. Në fund mos harroni të shihni totalin e shpenzimit dhe të nxirrni gjendjen e lekëve. Pra sa keni shpenzuar dhe sa ju kanë mbetur.
Këtë bëjeni derisa të bëhet muaj i plotë. E ndërsa me të nisur muaji i ri ju vazhdoni të mbani ditar për hyrje-daljet e parave që keni në duar, bëni dhe një kontroll të shpenzimit muajin që kaloi. Është shumë i vlefshëm. Sepse së pari do të kuptoni se sa lekë ju kanë hyrë në xhepa dhe sa ju kanë dalë.
Do të verifikoni cilat ishin shpenzime të panevojshme e cilat të tepruara.
Do të llogarisni se cilat shpenzime të muajit që iku nuk bëhen sërish muajin tjetër.
Do të rrisni vigjilencën për të mos harxhuar para për ca gjëra që gjatë muajit që u mbyll, ndoshta ia keni “futur me top”.
Dhe këtu mos lini pa parë as shpenzimet e vogla që në dukje mund të jenë të papërfillshme. Si çdo gjë tjetër, bashkimi bën fuqinë, por në këtë rast, ku bashkim rrënon xhepat tuaj.
Në këtë mënyrë, do të arrini të kurseni duke nisur që nga dita e parë e muajit të dytë.
2.Gjuani ofertat
Vjeshta ka ardhur dhe dimri nuk është larg. Rrobat e verës gradualisht po zëvendësohen me ato të stinës së ftohtë. Befas në gardërobë shohim se ka një tufë me rroba, por siç themi rëndom “asnjë nuk bën” dhe shtojmë: “Nuk kam ç’të vesh sivjet për dimër”.
Disa nga ne turren me vrap te dyqani më i parë për të blerë rroba të reja. Disa të tjerë vrapojnë te “gabi”, tregu i rrobave të përdorura ku më së shumti shesin arixhinjtë dhe romët (gabelët).
Të tjerë i futen qendrave tregtare dhe blejnë ç’të mundin.
Befas në xhepa kuptojmë se ato janë “shpuar” nga bujaria me të cilën mbushëm edhe ca cepa te dollapit plot.
Këshilla këtu, është e dyfishtë nga stafi i rubrikës “Metropol” të agjencisë së lajmeve NOA.al: E para, në vend që të rendni pas blerjeve të reja, futjuni “me kokë” edhe një herë dollapit tuaj. Nxirrni rrobat dhe shikojini një për një. Kujtoni kur dhe sa i keni blerë. Trajtojini me dashuri dhe shikoni pozitivisht mundësinë për t’i veshur ose jo. Do të kuptoni se pjesën më të madhe të rrobave që keni, nuk ka asgjë të keqe që t’i riveshësh. Fundja nuk jetojmë as në Paris dhe as në Milano ku vetëm ca njerëz që kanë pafund para, mezi presin koleksionin e fundit të firmave më të shtrenjta.
E dyta. Pasi e keni monitoruar mirë dollapin dhe sërish nuk jeni fort të kënaqur, programoni ca para për t’i shpenzuar për rroba të reja. Por kujdes. Gjuani ofertat!. Tashmë në Shqipëri, disa qendra tregtare bëjnë oferta të vërteta dhe ulje jo mashtruese.
Për më tepër, fiksoni sa më parë rroba që ju pëlqejnë, dhe prisni ditët kur janë uljet. Dhe kjo nuk vlen vetëm për rrobat por dhe pajisje të ndryshme që na duhen në shtëpi, në jetën e përditshme.
Kështu në Tiranë, ulje mund të përfitohen për festat e nëntorit dhe ato të fundvitit.
Në këtë mënyrë, thjesht dhe sigurt, keni kursyer sërish para nga xhepat tuaj që nuk është se janë plot e përplot.
3.Kujdes me borxhet
Herë pas here mbetemi pa lekë. Kërkojmë ku të mundim. Në familje, te miq e shokë. Shpesh dhe te komshinjtë, apo dhe te dyqani i lagjes.
Këto janë normale sepse dhe shumat që kërkojmë borxh nuk janë të mëdha dhe mund të shlyhen sapo “të kapim ndonjë lek”.
Vetëm se ka diçka: Kurrë mos e provoni mos i ktheni. Nuk është ogur i mirë dhe do t’jua bëjë jetën “malore”. Fundja dihet se borxhin askush nuk ta harron kur ta jep dhe shpesh ngurrojnë të ta japin sepse jo pak herë ndodh që “ta japësh me dorë e ta marrësh me këmbë”. Ndaj kthejeni borxhin, në kohë dhe me falënderim. E nëse nuk arrini dot të kapni afatin e dhënë, kërkoni ndjesë duke e shtyrë por mos e lini pas dore, paguajeni.
Sakaq, ca borxhe të tjera, duhet kujdes i madh kur merren. Në fondacione që japin para hua, duhet kujdes i madh. Ato të japin lekë për kredi konsumatore dhe pa shumë kokëçarje letrash, por gjoba e kamatës është e rëndë, shkon deri në 30 për qind të vlerës. Mund të duket se mbaron punë për momentin, por telashet vijnë më pas kur duhet t’i ktheni sa më parë. Aq më keq, nëse keni të gjitha paratë në një moment, nuk pranojnë t’i marrin sepse duan të kenë të gjithë normën e lartë të fitimit të vendosur në fillim.
Në banka, kreditë janë me norma interesi më të ulëta se fondacionet. Duhet të bëni kujdes kur informoheni për kushtet e kredisë, që mos ju “djegë” më pas kur të nisni ta shlyeni. Dhe nëse mendoni se banka nuk jua ka treguar të gjitha kostot apo shihni se një bankë tjetër ka apo ka prezantuar së fundi norma më të mira, mos ngurroni hiç ta transferoni kredinë tuaj, duke përfituar nga ofertat.
Kështu do të kurseni ndjeshëm para dhe do të shmangni goxha telashe dhe stres.
4.Planifikoni shpenzimet
Të planifikosh shpenzimet është diçka që për shumë njerëz shikohet si “Mission Impossible”. Por nuk është mision i pamundur, sidomos për ata që kanë në kurriz ekonomisjen e parave të familjes, apo thjesht personalet.
Si t’ia dilni?
Shënoni diku, në bllok personal apo te rubrika e shënimeve të celularit a kompjuterit, shpenzimet që bëni zakonisht gjatë një muaji. Merruni gjatë me ushqimet, duke qenë se ato në Shqipëri, për fat të keq, ndryshe nga Europa, SHBA e më gjerë, zënë një pjesë shumë të madhe të kostot mujore. Blini në markete ato që ju duhen gjatë dy javëve a një muaji dhe çdo javë apo dy-tri herë në javë, merruni me pjesët e tjera të ushqimeve, fruta-perimet. Shkoni në tregje dhe kërkoni ato që ju duhen. Kur pikasni çmime në ofertë a më të lira për shkak të sezonit, i përdorni më shumë dhe kur janë produkte jashtë sezonit, më rrallë. Dhe këtu bëni mirë dyfish sepse ato produkte përveçse janë të shtrenjta, më së shumti janë OMGJ dhe pa vlera ushqyese.
5.Sado pak, hiqni diçka mënjanë
Shumëkush nga ne e di se nuk kemi aq para sa të programojmë me plan që çdo muaj do të ruamë kaq e aq lekë. Ndaj të jemi realistë dhe praktikë. Të kursejmë ç’të mundim.
Por si bëhet kjo?
Fare thjesht. Shkoni për të paguar faturën e dritave që e prisnit të ishte 6 mijë lekë dhe ju del 5300 lekë. Ato 700 lekë që teprojnë, mos ngurroni t’i fusni te një kuti që nuk e hapni dot.
Shkoni të paguani internetin dhe shikoni se ka një ofertë të mirë? Bëjeni për disa muaj dhe ato që kurseni, hiqini mënjanë. Shkoni drejt e te kutia.
Shkoni në market dhe blini ushqime e produkte të tjera ku disa janë me oferta? Ca nga ato që kursyer, futini te kutia “magjike”.
Në këtë mënyrë do të kurseni sërish. Dhe jo keq. Por kujdes! Kurrë mos guxoni ta hapni atë kuti, përveçse kur mund t’ju duhen doemos për diçka që lidhet me shëndetin apo një rast që nuk e shmangni dot thyerjen e arkës së kursimit. Me kusht që të blini një tjetër e të rifilloni ta mbushni.
Nëse jeni me rrogë, mos i tërhiqni të gjitha nga banka por lërini ca dhe merrni pjesë-pjesë. Përdorni kartat për blerje në dyqane, aty ku mundet dhe lexoni çdo muaj si ka qenë ecuria e hyrje-daljes së parave tuaja. E nëse nuk i shpëtoni dot tundimit që të tërhiqni në bankomat (ATM) në më të parin që ju del para syve, atëherë mos iu ndani traditës: Shkoni te kutia!/noa/a.k