5.5 kilogramë heroinë e pastër u sekuestrua prej anti-drogës greke,në Aleksandrupoli të Greqisë.
Sipas burimeve policore, lënda narkotike ndodhej e presuar në disqet e automjetit të markës Volksvagen Passat me targa shqiptare, që drejtohej nga një 32-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet publik.
Burimet policore i thanë Top Channel se kishin informacion prej kolegëve të tyre shqiptarë, lidhur me trafikimin e heroinës nga kufiri turko – grek në zonën e Evros.
Mbas verifikimit të targës dhe verifikimit të personit që e ngiste makinën, autoritetet greke kanë lejuar të hyjë automjeti pa kontrolluar, duke organizuar atë që në gjuhën policore quhet “kalim i kontrolluar”.
Pak kilometra më tej, automjeti u ndalua dhe lënda narkotike u gjet e presuar në disqet e makinës. Policia thotë se autoritetet shqiptare iu kanë dhënë detaje homologëve grekë, edhe për personat që e prisnin një pjesë të ngarkesës në Athinë. Dy shqiptarë janë shpallur në kërkim në Greqi lidhur me këtë ngjarje. Dyshohet se organizata e trafikut të narkotikëve në këtë mënyrë, ka kryer disa herë të njëjtin itinerar. Hetuesit po kërkojnë edhe anëtarët e tjerë të organizatës që furnizojnë me sasi droge trafikantët shqiptarë të heroinës.
32-vjeçari u dërgua fillimisht në gjykatën e Aleksandupolit për masë sigurie, e në vazhdim do të transferohet në Athinë, ku dhe do të merret në pyetje nga agjentët grekë të antidrogës. /b.d










