Nga Alfons Çupaj
Parlamenti i Shqipërisë mbylli sot punimet me një bilanc pozitiv përsa i përket disa reformave historike të ndërmarra, por edhe me një “damkë” të madhe mbi supe për cilësinë më të dobët të deputetëve në 27 vjet demokraci.
Mbyllja e legjislaturës së VIII, ishte e paprecedentë, pasi opozita e Shqipërisë e zhvilloi seancën e fundit parlamentare, në të ashtuquajturën “çadra e lirisë”, e cila është ngritur para kryeministrisë prej rreth 2 muajsh e gjysmë, duke u kthyer në një dhembje koke për qytetarët e Tiranës, për shkak të trafikut të rënduar, por edhe për ndërkombëtarët, të cilët nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e marrëveshjes me kërkesat maksimaliste të opozitës për largimin e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë. Bojkoti i opozitës, në fakt, muajt e fundit u pasua edhe me njëfarë “bojkoti” të pashpallur të mazhorancës, pasi çdo të enjte kamerat fokusonin karriget bosh të deputeteve dhe ministrave.
Dy ishin padyshim momentet kulminante të këtij parlamenti; miratimi i reformës në drejtësi dhe ligjit të dekriminalizimit. Njëri prej ligjeve në fakt në thelb të turpëron, ndërsa tjetri, që pati edhe investimin e drejtpërdrejtë të SHBA dhe BE, pritet të fusë vendin në një fazë të re zhvillimi dhe hapjeje dhe zbatimi i tij është kushti kryesor për çeljen e negociatave.
Dekriminalizimi u parapri nga 5 muaj bojkot nga opozita dhe reforma në drejtësi u pasua me 75 ditë bojkot, i cili vijon ende. Nëse bëjmë një mbledhje të thjeshtë, opozita ka bojkotuar parlamentin të paktën 225 ditë.
Nëse për dekriminalizimin opozita ka padyshim një rol të madh dhe vendimtar, për ligjin e reformës në drejtësi ka dyshime të mëdha mbi angazhimin e opozitës, pasi është pikërisht bojkoti i saj në parlament që ka penguar ngritjen e institucioneve të vettingut, që do t’i hapte rrugë zbatimit të reformës në drejtësi dhe marrjes së ftesës nga BE për çeljen e negociatave.
Ka qenë një incident në parlament, ku deputeti i Lezhës Arben Ndoka goditi me grushte, deputetin e PD-së, Gent Strazimiri, pas një provokimi të këtij të fundit, ajo që nisi edhe kauzën e madhe të opozitës për ligjin e dekriminalizimit. Në fakt, deputeti i Lezhës dha dorëheqjen para miratimit të ligjit, duke sjellë në parlament deputetin Eduard Ndocaj.
Pikërisht me këtë arsytim, opozita bojkotoi parlamentin për 5 muaj me radhë. U desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve, ku rol vendimtar patën eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein, të cilët arritën të finalizonin një projektrezolutë për votimin në kuvend të një ligji të ashpër, që parashikonte largimin nga ‘tempulli i demokracisë’ të personave me rekorde kriminale. Pas arritjes së konsensusit, opozita i dha fund bojkotit. Ligji i dekriminalizimit u “preu” kokat 2 deputetëve, 1 kandidati për deputet, 1 kryebashkiaku dhe 2 kandidatëve për kryebashkiakë, të cilët u tërhoqen pas konstatimit të problemeve me ligjin.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, si dhe deputetëve Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri. Prokuroria kërkoi që t’u hiqet mandati edhe 2 kryebashkiakëve, Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj, si dhe deputetit socialist Vladimir Kosta, kërkesa që u refuzuan nga KQZ. Gjithashtu, këtë legjislaturë u larguan nga parlamenti edhe deputetët Mark Frroku dhe Armando Prenga, ku largimi i këtij të fundit shënoi edhe një precedent tjetër të padëgjuar më parë, pasi PS-së në Lezhë i ‘mbaruan’ kandidatët dhe mandati i kaloi aleatit në koalicion, LSI-së.
Në total, 5 deputetë u larguan nga parlamenti për shkak të problemeve me ligjin, bilanc ‘tragjik’ ky për një vend që pretendon integrimin në BE. Por përveç deputetëve me probleme me ligjin, ky parlament ka edhe një rekord tjetër të ‘zi’, pasi cilësohet si legjislatura më nivelin më të ulët arsimor të deputetëve. Për të mos folur për nivelin e ulët të debatit, fjalorin e rrugës, deri në sharje dhe fyerje personale, forma të shëmtuara prej të cilave politika jonë nuk po arrin të shkëputet.
Kanë qenë të rralla rastet ku në fokus të diskutimit ishin projektligjet në rend të ditës, madje edhe kur deputetet flisnin për rendin e ditës, televizionet ndërprisnin transmetimin ‘live’, a thua se audienca konsumon vetëm debat politik. E paprecedentë ka qenë gjithashtu edhe shkelja e kohës së përcaktuar për diskutim, ku padyshim kampion mbetet ish-kryeministri Berisha, edhe pse gjithmonë fliste jashtë kohës me ‘bekimin’ e Metës. Sipas raporteve, mësohet se ish-kryeministri Berisha ka folur më shumë në parlament se kryeministri Rama.
Momenti i dytë kulminant, madje më kulminanti, është miratimi i reformës në drejtësi. Statistikat tregojnë se kjo është reforma me mbështetjen më të madhe të shqiptarëve, pa dallime politike. Miratimi unanimisht në orët e para të 23 korrikut, pas takimesh dhe diskutimesh të ethshme, u pa si një fitore e madhe për vendin, që kaq shumë ka vuajtur nga mungesa e drejtësisë.
Por konsensusi që u arrit me shumë mund, falë ndërhyrjes direkte të ambasadorëve të SHBA dhe BE u prish shumë shpejt, duke e lënë të bllokuar reformën. Bojkoti i opozitës ka bllokuar ngritjen e komisioneve të vettingut dhe pavarësisht thirrjes në bllok të ndërkombëtarëve opozita dogji edhe mundësinë e fundit sot, për t’u kthyer në parlament dhe për ta votuar.
Aktualisht situata paraqitet e paqartë, madje shqetësuese. Pavarësisht takimeve intensive dhe angazhimit maksimal të ndërkombëtarëve, vendi duket se po shkon drejt zgjedhjeve pa opozitën. Basha nuk heq dorë nga kërkesa e tij maksimaliste për qeveri teknike pa Ramën kryeministër dhe ka refuzuar ofertën e ndërkombëtarëve dhe të kryeministrit Rama, që i ofrojnë opozitës garanci për zgjedhje, të cilat Basha mbase as nuk i kishte menduar më parë./Javanews.al
c.a