Gati 4 vjet nga kryerja e masakrës në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë Briland Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, policia dhe prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet, duke arritur të identifikojnë një person nga Kosova, i cili rezulton të ketë sjellë nga Gjermania në Kosovë, makinën e përdorur në vrasjen e trefishtë.
Automjeti tip “Passat” është identifikuar të jetë sjellë nga Gjermania në shtetin e Kosovës, dhe më pas personi që e ka futur makinën në këtë shtet, tregon se ja ka lënë babait të tij, i cili më tej ka vijuar duke e shitur tek një person shtetas shqiptar, të clin nuk ishte në gjëndje ta kujtonte.
Hetimet e kryera kanë zbuluar se i njëjti mjet, ka hyrë në territorin e Shqipërisë, në një datë të papërcaktuar dhe nga persona të paidentifikuar.
Duke u përdorur më pas në ngjarjen e 17 korrikut 2022, ku në mbikalimin e Fushë-Krujës, mbeti i vrarë djali i xhaxhait të Ervis Martinaj, Briland Martinaj dhe dy shokët e tij nga fshati Fushë-Kuqe, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Shtetasi Kosovar, pas kryerjes së masakrës me 3 të vrarë rezulton të ketë hyrë në Shqipëri disa herë. Ai është mbajtur në vëzhgim nga policia kriminale, për të mësuar mbi vendet që do frekuentonte në Shqipëri dhe personat që do takonte.
Nga i gjithë vëzhgimi, policia nuk ka arritur të përfitojë asnjë të dhënë kompromentuese apo takime me personat që janë të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje të rëndë.
Por pavarësisht kësaj, policia e Tiranës ka vendosur ta shoqërojë shtetasin Kosovar dhe ta marrë në pyetje atë. Gazetari i Syri-t, Elton Qyno ka mësuar emrin e këtij personi, por për shkak të rrethanave ku ndodhet tashmë hetimi, identiteti i tij nuk mund të bëhet publik.
Ky person ka dhënë shpjegime në policinë e Tiranës, duke pranuar se makinën që është përdorur në vrasjen e trevishtë e ka sjellë ai nga Gjermania në Kosovë.
Mjetin tip “Passat” ai ja ka lënë babait të tij në Kosovë dhe është larguar sërisht në Gjermani. Nga ana tjetër policia ka marrë në pyetje babain dhe ai ka deklaruar se automjetin ja ka shitur një personi nga Shqipëria, të cilin nuk ishte në gjëndje ta identifikonte dot.
Shitja e makinës është kryer, pa një akt juridik noterial, gjë e cila ngre dyshime të forta për kryerjen e lëvizjeve me qëllim humbjen e gjurmëve të personin që ka marrë automjetin.
Pas marrjes në pyetje, dy personat babë e bir, janë lënë të lirë nga policia e Tiranës, pa ngritur një akuzë ndaj tyre qoftë dhe “Sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”.
Aktualisht për këtë ngjarje të rëndë, policia dhe prokuroria e Tiranës kanë mbetur në këtë “udhëkryq”, pasi e kanë pasur të pamundur të gjejnë blerësin pa letra të makinës dhe futjen e mjetit në Shqipëri.
“Passati”, dyshohet se ka “çarë” pikën e kalimit kufitar të Morinës në Kukës, duke mos u rregjistruar në sistemin kufitar TIMS. Mjetit i janë vendosur targat “AA 156 OR” që i përkasin një makine tip “Daimler Chraisler” në emër të shtetasit me inicialet, A.L, i cili në vitin 2021 i kishte raportuar në polici target e vjedhura.
Ndërkohë silueta e këtij mjeti është parë vetëm ditën e 17 Korrikut 2022, ku u përdor nga një skuadër personash në vrasjen e trefishtë.
Për ngjarjen në fjalë, është marrë në pyetje dhe ish-oficeri i skuadrës operacionale pranë Policisë së Shtetit, Jeton Lami.
Lami, është marrë në pyetje, vetëm pak ditë pasi ka dalë nga burgu, duke treguar se disa para ngjarjes, ai nuk ishte shoferi që ka shoqëruar me makinë, Briland Martinaj në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Njëherësh për këtë ngjarje janë marrë në pyetje dhjetëra persona me rekorde kriminale, të cilët kanë dhënë pretendimet e veta. Dy prej tyre gjatë marjen në pyetje kanë treguar se kur ka ndodhur krimi, ishin në ishullin e Kurfuzit në Greqi me pushime.
Masakra e 17 korrikut 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës ku u ekzekutuan në makinë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata tronditi opinionin publik në vend.
Trupat e Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxhës, pas vrasjes u dogjën në makinë ndërsa Diklen Vata, arriti të dilte nga makina por u qëllua nga ekzekutorët pak metra më tutje.
I vetmi nga tre personat që ishte i dënuar në makinën e sulmuar me armë, ishtë Diklen Vata, të cilin gjykata e Tiranës e kishte shpallur fajtor, për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Ndërsa Besmir Hoxha, nuk kishte asnjë çështje të rregjistruar në prokurori apo të ishte i skeduar nga policia.
Edhe Briland Martinaj, sipas prokurorisë rezultonte i hetuar vetëm për vrasjen e policit të FNSH, Xhulio Prela (Dhjetor 2020) por çështja u pushua dhe për vrasjen u arrestuan Redion dhe Sokol Hysa, të cilët më pas u deklaruan të pafajshëm nga Gjykata e Lezhës.











