Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të BE-së kanë rënë dakord për të zgjatur me 6 muaj sanksionet ekonomike ndaj Rusisë.
Lajmin e ka bërë të ditur një burim diplomatik europian, i cituar nga agjencia e lajmeve “Tass”. Vendimi zyrtar u takon tashmë ministrave, ose kryetarëve të shteteve, ka thënë burimi.
Më herët, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko kishte deklaruar se, “sanksionet janë mjeti i vetëm për të ushtruar presion ndaj Rusisë që të respektojë marrëveshjet e Minskut”.
Këtë deklaratë Poroshenko e bëri në një intervistë për rrjetin televiziv i-Tele, përpara një takimi me homologun francez Francois Hollande në Paris, shkruan TCH.
“Nuk ka alternativë tjetër. Moska vazhdon të sjellë trupa të reja, tanke, municione dhe benzinë për këto tanke, me qëllim që të provokojë një përshkallëzim”, tha Poroshenko.
Dhe duke qenë se nuk mund të përdoret forca, vijoi ai, “mbeten vetëm sanksionet që Rusia të pranojë të tërheqë trupat”.