Nga Spartak Ngjela
Partia Demokratike nuk ka më mbështetje, sepse krerët e saj, si forcë antiamerikane, janë të korruptuarit që kërkojnë të destabilizojnë Shqipërinë me metoda të vjetra otomane.
Dje e pamë sesi Sali Berisha donte të dëbonte Amerikën nga aleanca me Shqipërinë me gurrët e 200 individëve të paguar.
Fjala ishte se donin të rëzonin ministrin e Brendshëm.
Ministri i Brendshëm Xhafaj doli edhe më i fortë në një betejë me 11 policë të dëmtuar lehtë, përballë një “grusht i shteti” që u rrek të bëhej me gurë.
Po këta injorantë, nuk e kuptojnë se nuk kanë më kohë politike në Shqipëri, se janë antiamerikanë dhe Shqipëria tani është e kurdisur sipas orës amerikane?
l.
Antiamerikanët që hiqen si perëndimorë dhe që duan të destabilizojnë Shqipërinë për të siguruar gjënë e tyre të vjedhur, dështuan dje plotësisht, sepse shqiptarët këtë herë as që i përfillën fare, ngaqë e kuptuan se korrupsioni shqiptar që po drejton Shqipërinë, është një forcë e dështuar.
Ishte dhe çështja e çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, por atë në fakt nuk e trondit dot asgjë.
Shqipëria e ka të sigurt që i çel negociatat në këtë qershor, duan apo nuk duan një grusht njerëzish të korruptuar që, pasi kanë vjedhur shqiptarët, të kapur, nuk duan ta dorëzojnë gjënë e vjedhur, dhe nuk duan që t’i përgjigjen normalisht akuzës kundër tyre.
Por gjithsesi, e gjithë zallamahia e djeshme sigurisht që në thelb nuk ishte një ndërmarrje e kotë dhe nuk mund të thuash se do të ndalojë si përpjekje antiperëndim, nga të gjithë të korruptuarit.
ll.
I gjithë korrupsioni kryeministror i të dy krahëve të politikës shqiptare dje, më 26 maj 2018, ishte i bashkuar. Që të katër bashkë: Berisha, Rama, Meta dhe Basha pritën dje që të rrëzonin ministrin e Brendshëm Xhafaj.
Pas protestës së dështuar të katër ishin pa gjak në fytyrë, kurse Fatmir Xhafaj qeshte.
Në të vërtetë lufta kundër ministrit Xhafaj është një luftë antiamerikane. Në këtë betejë antikorrupsion të drejtuar nga politika amerikane në Shqipëri, amerikanët i kanë marrë Ramës dhe Berishës ministrin e Brendshëm. I morën me forcë edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, dhe ndërkohë i kanë lënë në mëshirë të reformës në drejtësi, e cila sigurisht që penalizon edhe Ramën, edhe Berishën.
Duhet të theksojmë se pa ministrin e Brendshëm, Reforma në Drejtësi nuk mund të kryhet. Por këtë, ashtu siç e di Rama dhe Berisha, e dinë edhe amerikanët.
Kjo është arsyeja që Lufta kundër ministrit të Brendshëm sot në Shqipëri është një lëvizje antiamerikane.
E gjithë kjo lëvizje, para një jave, pasi paraqiti çështjen qesharakë Babalaj, priti nga Rama shkarkimin e ministrit të Brendshëm. Dhe të gjithë ishin të sigurt për këtë shkarkim: të gjithë të korruptuarit e Shqipërisë.
Kurse politika amerikane heshti.
Rama provokoi rëndë politikën amerikane, dhe ajo iu përgjigj ashpër me ambasadorin Lu. Por menjëherë FBI dhe organet e specializuara amerikane konstatuan nga analiza spektrale e zërit se audiopërgjimi Babalaj, ishte një falsitet destabilizues. Amerikanët e vunë në dijeni kryeministrin shqiptar, dhe ky i përpunuar doli dhe dhe me frikë tha që “analiza e zërit tregon që audiopërgjimi është falsitet”. Ministri nuk u shkarkua dot prej tij.
U kundërpërgjigjën injorantët e korruptuar duke thënë se nuk bëhet analiza spektrale e zërit në dy ditë.
Analiza spektrale e zërit të krahasuar nga FBI bëhet në më pak se një orë, por kur ke të bësh me injorantë, është e kotë të merresh me ta. Ku e dinë këta derëzes e punëzes se çfarë është analiza spektrale e zërit!
Treshja Berisha, Meta dhe Basha të rënë shpirtërisht, u hodhën kundër Ramës, kurse ky në fakt ishte me ta, por i detyruar nga politika amerikane, refuzoi pushimin e ministrit të Brendshëm.
Kurse Xhafaj u tregua më i vendosur kur tha se “jepte dorëheqjen si ministër në funksion të analizës së zërit”.
Kuptohet se ky sigurisht që e dinte të vërtetën nga FBI. Po Basha, pse nuk iu përgjigj me të kundërtën, domethënë që edhe ky e jepte dorëheqjen po të dilte falsitet audiopërgjimi Babalaj?
Ku shkoni o të korruptuar të mjerë, pse rendni me vrap drejt shkatërrimit!
lll.
Dje, korrupsioni shqiptar, pati rënie drastik dhe, bashkë me të, edhe media e blerë nga korrupsioni. Në fakt rënia e tyre është nga naiviteti i shpresës se me një revoltë popullore do të mund të ndalonin reformën e nisur në Shqipëri.
Kurse media e blerë nga korrupsioni është e mërzitur.
Edhe Rama, i mërzitur, provokoi dje pas protestës përkrahësit e Partisë Demokratike me shpresë që ata të vinë me shumicë herën tjetër.
Të gjithë bashkë: Berisha, Rama, Meta dhe Basha duan destabilizim.
Por ajo që është më poetikja: të katër këta kërkojnë të rrëzojnë Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm, sepse ai drejtohet nga amerikanët.
Po dështuan përfundimisht.
IV.
Koha po ndihmon Shqipërinë. Politika amerikane e kërcënoi ashpër dje si Berishën ashtu edhe Bashën. Dhe do të vijojë kështu, sepse këta nuk heqin dorë nga destabilizimi.
Amerikanët duhet t’i bëjnë publike ato që kanë grumbulluar kundër korrupsionit shqiptar, kurse riemërimi ambasador i ambasadorit Donald Lu, ka mërzitur rëndë gjithë korrupsionin kryeministror shqiptar, sepse nuk kanë alibi për të thënë se kundër nesh nuk është politika amerikane, por vetëm ambasadori.
Po kush vjen tani në Shqipëri.
Ende nuk dihet, por koha sot në Shqipëri, në funksion të aleancës shqiptaro-amerikane, kërkon që politika amerikane të sjellë këtu një personalitet të njohur amerikan.
Ambasadori amerikan në Tiranë sot hyn në pesë ambasadorët më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të shohim se kush do të vijë. Por kjo politikë amerikane do të vijojë më me forcë kundër korrupsionit shqiptar.
Shqiptarët treguan dje se po presin sa më shpejt rezultatet e Reformës së nisur nga amerikanët në ndihmë të shrrënjosjes së korrupsionit në Shqipëri.
Ajo që dihet me siguri është fakti se të gjithë të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë, sot janë të humbur dhe të gjithëve iu është identifikuar shuma e parave dhe pronave që kanë përfituar nga korrupsioni.