Prej disa ditësh “Priza.al” është duke shkruar për një skandal të vërtetë financiar që është bërë në kurriz të qytetarëve të thjeshtë nga “Fondi Besa” në bashkëpunim me disa banka private të nivelit të dytë.
Ditët e fundit jo vetëm dëshmitë e viktimave nga kjo skemë mashtruese kanë qenë të shumta në adresën e redaksisë së “Priza.al”, por po ashtu edhe presioni dhe shantazhi për të ndërprerë këtë investigim.
Por sot “Priza.al” ka vendosur që të bëjë publik disa emra konkret përgjegjësish, që janë zyrtarë të “Fondit Besa” që në bashkëpunim me sekserë të jashtëm kredish, por dhe punonjës të bankave private, kanë tjetërsuar, zhvatur dhe përfituar rreth 10 milionë dollarë.
Kjo pasi skema mashtruese mes sekserëve dhe punonjësve të “Fondit Besa” ka përfshirë mbi 2500 persona, që nga viti 2017 deri në vitin 2020, llogaritet të jenë bërë kreditorë të Fondit me mesatarisht 400 mijë lekë kredi secili.
Me një llogari te thjeshtë me makinë llogaritëse, nëse 2500 persona kanë marrë mesatarisht kredi nga 400 mijë lekë (të reja), rezulton se nga “Fondi Besa” ka dalë një shumë prej afërsisht 10 milionë dollarësh, që ka shkuar në xhepat e disa personave, në një kohë që vet Fondi këtë duhet ta rikuperojë me fitim nga përqindjet e larta që u merr klientëve.
Por ajo që është e çuditshme dhe tronditëse njëkohësisht është fakti se këta persona paratë nuk i kanë përdorur për vete, por vetëm sa janë ngatërruar me “Fondin Besa” nëpërmjet skemave “kurth” të sekserëve të jashtëm apo vjedhjes së të dhënave personale nga bankat e nivelit të dytë.
Sipas informacioneve konfidenciale nga burime nga “Fondi Besa”, kampion për nivelin e lartë të kredidhënies kanë qenë dy degët e kryeqytetit, ajo Nr. 1 dhe Nr.6, ku edhe sekserët e jashtëm si L.V. ose Agron Lilaj, kanë sjellë aty me dhjetëra klientë të mashtruar ose të dhënat e tyre.
Kreditim fiktiv për të arritur objektivat e degëve
Burimet nga “Fondi Besa” i thanë “Priza.al” se, disa vite më parë, drejtuesit kryesorë të Fondit vunë si objektiv për stafet e degëve, shifra shumë të larta të të bërit klientë dhe fitime.
“Qëllimi ishte që të silleshin sa më shumë klientë që merrnin kredi pranë Fondit, dhe të rritej shifra e objektivave që duhet të realizoheshin në një muaj dhe në një vit.
Stafet dhe drejtorët e degëve që nuk i arrinin këto objektiva kërcënoheshin me pushime nga puna. Kjo bëri që t’u lihej dorë e lirë gjetjes së sekserëve që sillnin klientë të painformuar dhe të mashtruar. Por edhe të punonjësve të bankave që shisnin të dhënat personale të individëve përkundrejt fitimeve.
E gjitha kjo bëhej me miratimin e drejtuesve më të lartë të zyrave qendrore, pasi i sillte Fondit fitime të mëdha dhe një aktivitet të gjerë. Në fund të fundit do të ishin qytetarët klientë, me ose pa dëshirë, ata që do të paguanin në fund.
Kush nuk paguante në kohë përballej me përmbaruesit që mund t’u merrnin edhe rrobat e trupit nëse nevojitej”,- i thanë burimet “Priza.al”.
Një prej shefave të “Fondit Besa”, që kishte ngritur dhe mbante në këmbë këtë skemë ishte përgjegjësja e degës Nr. 1 të Tiranës, Lindita Ndroqi, apo dhe drejtori i kësaj dege Laert Prifti, që pasi u silleshin nga sekserët të dhënat e individëve dhe bëhej një aplikim formal për kredi, miratonin shumat e ndryshme dhe i firmosnin dosjet si të rregullta.
Lindita Ndroqi dhe Laert Prifti
Burime nga dega Nr.6 e “Fondit Besa”, ku drejtonte Vlerina Xhaxho, i thanë më tej “Priza.al”, se numri i klientëve që aplikuan në vitet e fundit shkoi në qindra persona dhe në disa mijëra në rang vendi.
“Por në një kohë që shumë individëve u bartej me letra kredia në shuma të ndryshme, pa vullnetin e tyre, e firmosur nga Lindita Ndroqi apo Laert Prifti, paratë tërhiqeshin fillimisht nga sekserët nëpër llogari të ndryshme dhe më pas ndaheshin mes personave që drejtonin skemën”,- pohuan burimet.
E njëjta procedurë është ndjekur nga sa mësuam edhe në degën “Tirana 6” që më pas u bë “Tirana 8”, e “Fondit Besa”, ku edhe aty janë paraqitur qindra klientë formalë me dokumentet e të cilëve miratoheshin dosjet për mikrokredi.
Si procedohej me skemën e dhënies së kredisë
Jo vetëm persona që kanë marrë pa e ditur një mikrokredi por edhe të tjerë që janë bërë garant ose dorëzanës pronash të tyre ose të patundshme, janë pjesë e kurtheve të ngritura nga sekserët dhe punonjësit e “Fondit Besa”.
Në një kohë që dokumentet personale silleshin dorazi në degët e “Fondit” në Tiranë, ku vetëm brenda një muaji në vitin 2018 ishin mashtruar 25 persona nga sekseri L.V. vetëm në Laç të vaut të Dejës në Shkodër, nga qarkullimi i parave përfitonin edhe noterë të njohur në Tiranë, apo edhe punonjës bankash.
Mes tyre ndaheshin fitimet reale dhe sasia e kash-it që qarkullonte, në një kohë që oficerët e kredive, përgjegjësit e zyrave, zv.drejtorë dhe drejtorë degësh firmosnin dosjet e klientëve dhe bashkë me garancitë e pronave të patundshme i çonin për opinion ligjor (formal).
Sipas burimeve nga një prej degëve të “Fondit Besa”, “vetëm kur një pasuri ishte e paluajtshme, bëhej një vlerësim formal ligjor, por edhe aty abuzohej me vlerën. Kur garancia ishte një plaçkë jo fort e shtrenjtë vlera e saj duhet të ishte 150% mbi shumën e kredisë, ndërsa për barrën siguruese automjete apo prona, ajo duhet të ishte 200%”.
Nga sa mësoi “Priza.al”, “Departamenti Juridik i ‘Fondit Besa’, ka disa punonjës që mbulojnë rrethet dhe dy vlerësues të cilët mbulojnë gjithë republikën”.
Nga ana tjetër, burime nga dega Nr. 6 e Fondit, thanë për “Priza.al” se, “klientët që vinin kryesisht nga sekserët, merrej vet shefe Lindita duke i shpërndarë më pas dokumentet nëpër oficerët e zyrës dhe i thoshte atyre shumat që duhet të miratonin.
Këta të fundit kishin një plan për të bërë, ose objektiv mujor për të arritur, se përndryshe i hiqnin nga puna ose në rastin më të mirë i penalizonin.
Pasi sekseri rimerrte edhe një herë dosjet e plotësuara dhe firmosura i çonte ato tek noterët. Pasi ata i vulosnin kontratat e klientëve vinin tek asistentja dhe në momentin që llogaria i mbushej sekserit, ky i fundit mbante pjesën e tij dhe të tjerat i dërgonte nëpër personat pjesë e skemës.
Lindita Ndroqi dhe shefa të tjerë korrnin frytet, ndërsa oficerët e kredive kënaqeshin që kishin realizuar planin, ose përfitonin ndonjë drekë sipas rastit”.
Ndërkohë vëllai i njërit prej drejtorëve të fondit Besa po kandidon për LSI në Astir.
Për këtë arsye i gjithë stafi i Fondit Besa është transferuar dhe po merret me fushatë në këtë zonë. /Priza.al/