Presidentja Vjosa Osmani ka bërë sot homazhe për viktimat e Masakrës së Reçakut, dhe me këtë rast e ka falënderuar sërish ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, që i dha jehonë asaj që kishte ngjarë më 1999.
“Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin (William) Walker që u bë zëri i të gjitha viktimave në një kohë ku ne fatkeqësisht nuk kishim zë”, ka thënë Osmani në fjalën e saj në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.
“Në një kohë kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike dhe ishte pikërisht Masakra e Reçakut ajo që e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës dhe nëpërmjet zërit të ambasadorit Walker u dëgjua edhe klithma e mijëra e mijëra viktimave shqiptare anekënd Kosovës”.
Osmani i shprehu mirënjohje të thellë Walkerit edhe për punën e tij pas luftës në Kosovë, ku ka insistuar për të vërtetën që ngjau në këtë fshat të Shtimes, pavarësisht mohimeve të Serbisë.
/a.r