Nga Edi Rama
Shumë të dashur prindër, fëmijë, bashkëshorte, motra, vëllezër, të afërm të Faikut, Hekuranit, Ziverit, Aleksit!
Kjo ditë, kjo datë, prania juaj këtu mjaftojnë dhe teprojnë të vetme, si akti më ulëritës i akuzës ndaj sistemit të korruptuar të drejtësisë në Shqipëri, si nevoja më therëse e popullit shqiptar për ta nxjerrë drejtësinë nga qelia e errët e interesave të korrupsionit, të korporatës së gjyqtarëve që pasurohen përmes padrejtësive prej 25 vitesh, si domosdoshmëria mëjetike e shoqërisë shqiptare sot, për një reformë të vërtetë, rrënjësore, në drejtësi.
Çdo politikan që sot nuk sheh tek familjet tuaja, tek prindërit dhe jetimët e 4 dëshmorëve të 21 Janarit, barrën e vet të detyrimit për t’i hapur rrugën drejtësisë, nuk do reforma në drejtësi, por është pengesa kryesore e saj.
Çdo prokuror dhe gjykatës që nuk ndjen sot peshën e turpit për vuajtjen tuaj të pashoqe, përballë murit të heshtur të kështjellës së sistemit të korruptuar të drejtësisë, nuk do reforma në drejtësi, por është vetë arsyeja pse kjo reformë duhet bërë me çdo kusht.
Çdonjëri nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, që qysh prej vitit 2013 mban të varrosur dosjen e 21 janarit pa guxuar ta nxjerrë në dritën e gjykimit, është sot drejtpërdrejtë i akuzuar si fajtor për vuajtjen tuaj 5-vjeçare në kërkim të drejtësisë.
Fakti rrënqethës se dosja e 21 janarit është e vetmja dosje e mbetur pa gjykuar nga viti 2013, në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, ndërkohë që Gjykata e Lartë ka kohë që ka nisur punën me dosjet e vitit 2014, del dhe tepron për të kuptuar se kush e ka kapur për fyti drejtësinë shqiptare, përmes gjykatësish që një Zot e di, sesa më të rënduar nga sa mund ta përfytyrojmë ne, e kanë ndërgjegjen e tyre.
Krimi shtetëror i 21 janarit, pushkatimi pa gjyq në bulevard i katër burrave të paarmatosur dhe të pafajshëm, teksa protesta paqësore ishte duke u shpërndarë, hyn ndër ato raste përmes të cilave historia u ka mësuar popujve se drejtësia vonon, por nuk harron.
Mund të varroset dosja në varrezën ku Gjykata e Lartë e ka zakon të vjetër të mbulojë me dheun e frikës së anëtarëve të saj, patatet e nxehta që përvëlojnë duart e gjykatësve të tmerruar nga hija e tyre, por nuk mundet dot kurrë të tretet njësoj si trupat e katër të vrarëve, nevoja therëse e drejtësisë për 21 janarin. Kurrë!
Një ditë ose një tjetër, drejtësia do të bëjë drejtësi edhe për vrasësit, edhe për rivrasësit. Edhe për ata që urdhëruan dhe vranë katër njerëz nga dritaret dhe nga tarraca e kësaj godine me plumba luftarakë mbi popullin e pafajshëm, por edhe për ata që shpikën në sallat e gjyqeve makabritetin e vrasjeve si gabim teknik dhe rivranë të vrarët dhe të gjallët me çekiçin e pushtetit gjyqësor.
Unë e di fort mirë se plot shqiptarë të ndershëm dhe të revoltuar prej pandëshkueshmërisë së kthyer në sistem, drejtojnë mbi mua gishtin e akuzës për zvarritjen tuaj sfilitëse në kërkim të drejtësisë. Ka jo pak ndër ta, që shpirti i ardhur në majë të hundës nga marrja zvarrë e drejtësisë, prej një kaste të korruptuarish lidhur me mish, në thonjtë e interesave të errëta të politikës dhe të krimit, më quajnë tradhtar të 21 janarit.
Nuk kam asgjë me ta, ua marr vesh mirë sëkëlldinë, kur shohin se si përgjegjësit për atë masakër bilbilojnë çdo ditë në emër të popullit dhe pa pikën e turpit kërkojnë hesap prej nesh për kancerin që përhapën në çdo sektor të jetës së vendit dhe për plagët tronditëse sociale që i shkaktuan Shqipërisë.
Është cinike dhe poshtëruese, e di shumë mirë, por sot nuk jam kokulur përpara jush dhe nuk do të shkoj kokulur bashkë me ju, as përpara përmendoreve të shtrira në bulevard, pikërisht sepse nuk e kam tradhtuar 21 janarin.
Kjo qeveri nuk e ka tradhtuar 21 janarin, sepse kemi punuar çdo ditë, me përkushtim atdhetar, duke hapur një kantier të madh reformash shtetndërtuese, për të rilindur Shqipërinë e rrënuar nga autorët e 21 janarit dhe për të bërë shtetin që u ka munguar shqiptarëve për vite e vite të tëra.
Sepse kemi punuar çdo ditë për të rritur sigurinë e jetës dhe të pronës dhe kemi luftuar orë e çast krimin, duke e rikthyer policinë e shtetit në krye të detyrës.
Sepse kemi punuar çdo ditë për të rritur ekonominë kombëtare dhe familjare, duke shlyer një mal borxhesh, duke ulur taksat për të gjithë shqiptarët që jetojnë me një rrogë nën 1,3 milionë lekë, duke zeruar taksën për 83500 të vetëpunësuar me një biznes të vogël.
Sepse kemi punuar çdo ditë për të shpëtuar sektorin energjetik nga fundosja në humnerën e borxheve të marra forcërisht përmes hajdutërisë masive, duke krijuar kushtet për investime të pamundura më parë, në shërbim të furnizimit cilësor me energji të shqiptarëve.
Sepse kemi punuar çdo ditë për të lehtësuar më të varfrit, duke vënë në dispozicion të tyre paketën më të madhe sociale, që ndonjë qeveri e këtij vendi ka konceptuar dhe ka shpenzuar për ta.
Sepse kemi punuar çdo ditë për të rilindur arsimin, duke shpëtuar një herë e mirë prindërit dhe të rinjtë shqiptarë nga dhjetëra, mijëra diploma false në vit, duke i çliruar një herë e mirë mësuesit e fëmijët nga qindra tekste shkollore të turpshme, jashtë çdo standardi të çdo vendi të këtij kontinenti, duke filluar ndërtimin e një sistemi të meritës, që largon korrupsionin nga emërimet e mësuesve.
Sepse kemi punuar çdo ditë për të ndërtuar një administratë publike të denjë, që i mungon prej çerek shekulli Shqipërisë, duke krijuar një sistem konkursesh që po jep rezultatet e para të përshëndetura edhe nga Komisioni Europian.
Sepse kemi punuar çdo ditë për të ngritur nga varri një sistem shëndetësor të kalbur nga korrupsioni dhe nga pafytyrësia, duke investuar më shumë dhe duke krijuar partneritet me sipërmarrjen private, të cilat marrin përditë gjylet e baltës së qeverisë së vjetër, por hap pas hapi do të japin frytet e tyre të dobishme për shqiptarët në nevojë për kujdes shëndetësor.
Sepse kemi punuar çdo ditë për të bërë këto dhe shumë gjëra të tjera.
Nuk jam sot krenar sepse kemi rritur ku jemi zotuar të shkojmë, por sepse kemi punuar çdo ditë me pasion qytetar dhe me vullnet atdhetar për të shkuar aty për ku jemi nisur së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, 2 vjet e gjysmë më parë.
Nëse duam ta gjykojmë situatën ku jemi me horizontin për ku jemi nisur, jemi të parët që i bëjmë vetes çdo ditë, çdo orë, kritikat e duhura. Por nëse e gjykojmë situatën ku jemi, me pikën nga u nisëm, jemi plotësisht të çliruar, pikërisht sepse nuk e kemi tradhtuar 21 Janarin dhe nuk kemi tradhtuar askënd që në protestën e 21 Janarit doli për një Shqipëri më të drejtë dhe për një qeveri që nuk e vret popullin nga dritaret e kryeministrisë me plumba luftarakë, por i shërben atij me përkushtim, angazhim dhe me bindje të plotë.
Unë e di shumë e mirë që pa reformën në drejtësi, gjithçka që kemi bërë, nuk e merr dot vlerën që ka realisht. Mirëfunksionimi i sistemit të drejtësisë është parakusht kryesor për të ndërtuar shtetin që ne kemi nisur të ndërtojmë dhe për të siguruar mbarëvajtjen e jetës sociale dhe ekonomike të vendit.
Sot, të gjithë të gjitha palët dhe anët, por edhe përfaqësuesit e vetë sistemit të korruptuar të drejtësisë thonë se duan reformën në drejtësi. Pranojnë se gjendja aktuale e sistemit të drejtësisë është skandaloze, por sigurisht ky është një teatër, një teatër ku palët luajnë rolet e tyre dhe ku nuk janë të paktë ata që shpresojnë se reforma në drejtësi nuk do të bëhet kurrë apo dëshirojnë që këtë proces historik dhe shembullor të hartimit të draftit të reformës të drejtësisë, ta katandisin si “kokoshin në një thelë” për tu gllabëruar përsëri nga gojët e shqyera të politikës, siç janë gllabëruar të gjitha thelat e mbetura nga kokoshët e reformave të quajtura të tilla, por që kurrë s’kanë qenë të tilla, në vite.
Nga ana tjetër, sigurisht që ka vend për shpresë sepse janë po ashtu, jo të pakët dhe të vendosur edhe politikanët, edhe gjyqtarët apo prokurorët brenda atij sistemi të korruptuar, që e duan reformën në drejtësi dhe që janë mbështetës të kësaj reforme.
Unë dua tu siguroj të gjithëve ju, se personalisht nuk do të lejoj që Partia Socialiste ta tradhtojë reformën në drejtësi dhe e konsideroj reformën në drejtësi gur themeli për moralin e qeverisjes tonë.
Të tjerat ju i dini, i dinë edhe më mirë se ne shqiptarët e zakonshëm, që njësoj si ju kanë të gjithë eksperiencën dhe mençurinë e nevojshme për t’u vënë të gjithë aktorëve të teatrit të kësaj reforme emrin që kanë në rolet që luajnë. Ashtu sikundër njësoj si ju, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi – që nuk jetojnë duke ngrënë hakun e të tjerëve, që nuk e fitojnë lehtë të nesërmen, që nuk e kanë aspak të lehtë të shtrojnë të 3 vaktet në shtëpi, – e dinë mirë se kush po punon, po përpiqet apo dhe po gabon, duke punuar dhe duke u përpjekur në qëllimin e mirë për të bërë shtet dhe për t’i dhënë këtij vendi një drejtim të ri dhe se kush po harbon pikërisht sepse në këtë vend s’ka drejtësi, pikërisht sepse në këtë vend s’ka ndëshkueshmëri, pikërisht sepse në këtë vend hajdutët janë ata që e kanë më të lehtë se të gjithë të tjerët të bërtasin “Kapni hajdutin!”
Por unë, me mirënjohjen më të thellë për mirëkuptimin tuaj, për durimin tuaj dhe për miqësinë tuaj që e çmoj si një miqësi shumë të rëndësishme për veten time dhe për familjen time, dua t’ju garantoj se jam dhe do të mbetem zëdhënësi juaj dhe se në çdo hap, në çdo vendim, në çdo përpjekje së bashku me të tjerët natyrisht, udhëhiqem dhe do të udhëhiqem nga domosdoshmëria për të mos e tradhtuar 21 Janarin, si një çështje themelore në rrugën e reformës në drejtësi dhe si një aspiratë popullore për të pasur një Shqipëri më të pastër, një Shqipëri më të drejtë, një Shqipëri, ku secili të ndihet në shtëpinë e tij dhe jo në shtëpinë e hajdutëve të pronës, të lirive dhe të drejtave të veta, siç është ndjerë shpesh në të shkuarën e afërt.
Shumë faleminderit! Edhe njëherë shumë respekt!
I përjetshëm qoftë kujtimi i atyre katër njerëzve të zakonshëm që vazhdojnë dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugën tonë shumë të vështirë, por jo të pamundur, për të ndryshuar këtë vend dhe për të përmbysur sistemin poshtërues të drejtësisë në këtë vend!