Kjo është ajo që do të gjeni nëse do t’ju bier puna për në zyrën e gjendjes civile, për të marrë ndonjë certifikatë në Paskuqan. Paskuqani është nën administrimin e bashkisë Kamëz, por duket se njerëzit çdo ditë e më shumë po hasin vështirësi në komunikimin me punonjëset, e prej mëse dy javësh nuk po marrin dot certifikatat që ju duhen.
Ka qenë një qytetare ajo që ka raportuar për këtë rast, duke qenë se i ka ardhur në majë të hundës nga kjo gjendje e krijuar si dhe nga taksat e reja për të cilat askush nuk është informuar më parë.
Ja ç’shkruan zonja për JOQ:
“Në komunën e Paskuqanit ka më shumë se 2 javë që njerëzit shkojnë për të marrë certifikata dhe nuk ju jepen për arsye të mospagimit të disa taksave që bashkia tashmë po i kërkon për 10 vitet e fundit.
Deri këtu çdo gjë është normale, nuk kam asgjë kundër. Por kërkohen disa taksa që kurrë s’janë zbatuar si shërbim në këtë komunë, taksa ndriçimi ku në fakt çdo rrugë e Paskuqanit është në errësirë, taksa gjelbërimi ku në fakt i vetmi gjelbërim që ka kjo komunë janë disa pemë dhe këto pemë të vendosura 5 vite më parë nga nxënësit e shkollës se bashkuar (në atë kohë) Jashar Hoxha si dhe kërkohet taksë pastrimi ku në asnjë qoshe të Paskuqanit nuk ka një kosh të vetëm dhe e vetmja zgjidhje që ka gjetur Bashkia e nderuar është që të nxirren mbeturinat 1 herë ne javë dhe pastaj të mblidhen nga një kamion që gjysmën i lë rrugëve. Mbi të gjitha ka familje që kanë mbi 10 vite që nuk jetojnë në Shqipëri dhe përsëri iu kërkohet të paguajnë taksa.
Unë jam shumë dakord që po, le të paguhen taksat, por kur i nderuari kryetari i bashkisë, Xhelal Mziu, ti zbatojë ato .
Mbi të gjitha me aq informacion që kam unë, gjendja civile nuk varet fare nga bashkia por nga ministria e Brendshme që do të thotë se në qoftë se ekziston, të paktën le të marrin masa ky institucion.
Më falni që u zgjata shpresoj që të dëgjohet nga dikush kjo ankesë dhe le të merren masa. Dhe në qoftë se jo shteti, populli që vetëm di të shesë veten për një thes miell dhe pastaj paguan pasojat.
S’është fare çështje politike por boll më! Jemi njerëz jo bagëti.”