Nga Bajram Peçi
Prej largësisë një shekullore, me mëndje më të kthjellët e shikim më të qartë, shqiptarët, historianët e saj, po i japin këtij viti e ngjarjeve që e përshkuan atë, vëndin e lartë të nderit. Shpallja e Pavarësisë dhe pranimi nga ana e fuqive të mëdha (pasi e kishin copëtuar), ekzistenca e një principate shqiptare, nuk e kish larguar aspak rrezikun kombëtar. Në gadishull ziente nacionalizmi ekstrem dhe irredentizmi, për shkak të të cilës kish marrë udhë Lufta e Madhe. Përfundimet fatkeqe të saj lanë në Shqipëri lulëzimin e anarkisë.
Nëse për shumicën e kombeve të Ballkanit shpërbërja e Austo-Hungarisë kish hapur mundësira të paparshikuara për ekspansion dhe grabitje, për Shqipërinë e shqiptarët kish hapur gropën e varrit.Hungarisë, humbëses së madhe të Monarkisë së Dyfishtë, i morën toka Jugosllavia, Rumania, Sllovakia. Shqipëria besohej nga të gjithë se nuk do ekzistonte më.
Rreziku i zhdukjes nisi t’i kanosej nga momenti i braktisjes së kurorës nga Vidi. Madhëria e tij e la shtetin, që i kishin besuar për ta ngritur, në këmbim të rreshtimit krah trupave gjermane. Pricipata në Luftën e Parë Botërore ngeli asnjanëse në formë, ndërsa kryetari i shtetit, mbreti i saj, u bë pjesë e një pale ndërluftonjëse.
Shqipëria, me mbarimin e luftës, nuk ekzistonte si shtet. Të gjitha vëndet Ballkanike kishin mbrojtësit e tyre të fuqishëm. Si zakonisht, Rusia mbronte interesat e popujve sllavë dhe ortodoksë; Franca dhe Anglia mbronte aleatët në Luftën e Madhe. Vetëm kombi shqiptar nuk kish mbrojtës. Duke njohur pushtetin që ushtroi perandoria Austo-Hungareze për krijimin e shtetit shqiptar, pothuajse e vetme, e motivuar ndoshta edhe nga interesat e saj, ata pak atdhetarë largpamës duhet të jenë tmerruar kur mbërriti fundi i vitit 1919, me perandorinë e shëmbur e të copëtuar. Me rrënimin e Austro-Hungarisë, e vetmja që tregonte interes për fqinjët lindor ishte Italia, e cila e donte për vete ose, e pakta, të mbetej një Shqipëri vasale.
E para e keqe, që solli Lufta e Madhe, ishte për Shqipërinë përdorimi i tokave të saj si joshje për Italinë. Pasi një nga anëtarët e fuqishëm të Antantës, Rusia, doli nga lidhja si rrjedhojëe revolucionit të brendshëm, u bënë publike një sërë dokumentesh të fshehta. Dora e djathtë e Leninit, Leon Trocki, ish gazetar, një njohës shumë i mirë i gjendjes së Ballkanit dhe krimeve serbe ndaj popullsisë shqiptare, e bëri publike ‘Traktatin e Fshehtë të Londrës” të 26 prillit 1915. Aleatët, për ta bërë Italinë asnjanëse në anën e vet, i kishin premtuar Italisë Vlorën, me hinterlandin e saj dhe protektoratin mbi Shqipërinë që mbetej. Nga Austro-Hungaria i jepeshin, përveç Tiçinos e Trentinos,një pjesë e ishujve dalmatë dhe copa të mëdha territoresh të bregut lindor të Adriatikut, me histori latine, mbetur nga kohërat e Venedikut. Nga Shqipëria e 1913-ës ishte menduar fillimisht të mbetej një sipërfaqe “myslimane” (një e treta e territorit), të cilën do ja bënin dhuratë Esat pashës, si njeriu që ndihmoi tërheqjen e ushtrisë serbe drejt Korfuzit dhe Selanikut. Këtu,Jugosllavia hasi kundërshtimin Italian. Jugosllavia e re kish dieni mbi marrëveshjen Venizellos-Titoni të vitit 1919, për ndarjen e Jugut.
Ç’po ndodhte te fqinjët tanë?
Radhitja kronologjike e 1920-ës, e situatës politike të fqinjëve dhe ajo ndërkombëtare, janë mekanizmi për të kthjelluar dhe kuptuar hapësirën dhe përmasat e kësaj ndërmarrjeje shqiptare:
Shprehja “Shtet Jugosllav” u përmend për herë të parë nga Franca më 29 qershor 1918 dhe u shpall më 1 dhjetor 1918. Gabimisht, ndokush mendon se ishte krijesë e Konferencës së Paqes, por ngjarjet ishin zhvilluar ndryshe. Sllavët serbë, armiq historik të kombit shqiptar, për habinë e të gjithëve, muaj para përfundimit të punimeve, arritën një mirëkuptim me kombin sllav kroat. Sllovenët dhe Kroatët cilësoheshin si hibridë sllavë me italianë, ndërsa serbët si hibridë sllavë me turq, ndaj paragjykimet mes tyre shtriheshin deri në konflikt. Besimin fetar e kishin të ndryshëm. Gjithsesi, ata u bashkuan për t’u ndarë pas 70 vjetësh!Befas Serbia u pa të shndërrohej si Jugosllavi në një faktor me peshë të madhe rajonale. “…ishte rrjedhojë e aksidentit dhe nxitimit, që shpeshherë janë zgjidhje të dëshpëruara”-do shprehej për shtetin Jugosllav studiuesja dhe historiania Margaret Makimilan.
Serbia e kish lakmuar daljen në det dhe syrin ja kish vënë prej kohësh Durrësit, por pasi u krijua Jugosllavia, shtet ky me një vijë bregdetare tejet të gjatë në brigjet dalmatine, u duk sikur ishin të ngopur dhe nuk i ranë më melodisë së asaj vrime. Por dhe Rusia nuk ishte më ajo e para, kish hallet e saj, e përfshirë në luftra me bjellogardistët.
Prapaskenat dhe intrigat në dëm të kombit shqiptar vazhdonin edhe pas mbarimit të Konferencës së Paqes. Në muajt e fundit të vitit 1919 dhe ditët e para të vitit 1920, në këmbim të Fiumes, për të zbutur sadopak Italinë,ishte nënshkruar kompromisi midis Anglisë, Francës dhe Italisë për t’i dhënë JugosllavisëShkodrën, Lezhën, Shëngjinin dhe gjithë ultësirën e Drinit.Sapo e mori vesh, tashmë i larguar nga Parisi, Presidenti Uillson e refuzoi në mënyrë të prerë këtë marrëveshje dhe kundërshtoi zbatimin e saj. “Ata janë një popull turbullues”-ishte shprehur në Paris Presidenti Uillson për serbët.
Kur në qershor 1920, u formua Partia Komuniste Jugosllave, u pa të nxirrte krye një nismëe re për sundimin sllav. Kjo parti hodhi idenë e federatës ballkanike sovjetike, ku kroatët luajtën jo pak rol dhe përmes birit të tyre, Josif Brozit, e mbajtën idenë gjallë deri në vitin 1948. Viktima e mundëshme e kësaj ideje do ishte Shqipëria.
Gjatë vitit 1920, pavarësisht vendimeve të Konferencës së Paqes, intervenimet jugosllave në veri të vendit nuk kishin të sosur. Ndonëse qeverija e Sulejman Delvinës ishte në një luftë frontale me Italinë në krahinën e Vlorës, ju desh të dërgonte trupa edhe në veri, për mbrojtjen e trojeve nga sllavët. Ndodhi që një majmun argëtimi të kafshonte mbretin Aleksandër të Jugosllavisë, i cili vdiq i infektuar më 25 tetor 1920. Jugosllavia s’pati më kohë të merrej me agresione provokuese ndaj fqinjit, deri në implikimin shtetëror për rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit. Në rrugë diplomatike, pak vite më pas, palët zgjidhën problemet kufitare dhe Shën Naumin.
Greqia i kish marrë Turqisë, pas Luftës së parë ballkanike, vilajetin e Janinës, që dihej dhe grekët e pranonin atëbotë se popullohej masivisht prej kombit shqiptar. Shkëlqimi i Venizellosit në Paris u dha krah ambicjeve më aventuriere të shpallura në Konferencë. Uillsoni, madje, ra dakord që Greqia ta shtrinte territorin e saj deri në Vjosë, duke aneksuar Korçën e Gjirokastrën. Për fatin e Shqipërisë, inekzistente për ato momente, Greqia megallomane u qorrolleps në luftra që e shkatërruan dhe as pati më kohë ta kthente vështrimin drejt tokave shqiptare, që i kish kërkuar në Paris.
Trupat helenike zbarkuan në Trakën Lindore dhe në 15 maj 1919 në krahinën e Izmirit, e cila i ishte premtuar Greqisë me traktatin e Sen-Zhan de Morienë, e nënshkruar që në vitin 1917. Perandorisë Osmane i ishte diktuar Traktati i Sevrës, ku detyrohej t’i lëshonte këto territore. Në korrik 1920 trupat e mbretit Kostandin e kishin pushtuar Trakën Lindore. Grekët nuk ndenjën në pritje, por intensifikuan sulmin ndaj krahinës së Izmirit dhe tokave pjellore të Perëndimit të Azisë së Vogël. U mundën keqazi, u thyen në kaos total, u shkatërruan me humbje të mëdha. Ky nuk do ishte fundi i pretendimeve të tyre të paturpëshme! Ëndrra e Megali Idesë kish marrë nga Mustafa Qemal Ataturku një goditje turpëruese, por jetonte dhe jeton ende në kokat e sëmura.
Franca kish zbrazur Shkodrën në mars dhe në maj të 1920-tës ikën nga Korça. Në Shkodër ishin në kuadrin e trupave ndëkombëtare, ndaj pushteti lokal i kaloi drejtëpërsëdrejti qeverisë së Tiranës. Në Korçë, duke qenë se ishin si pushtues, premtimin për t’jua lënë qytetin grekëve e mbajtën me fjalë, por grekët as që guxuan. Qyteti ringriti më 26 maj flamurin kombëtar dhe ziente nga patriotizmi. Kohërat kishin ndryshuar.
Në nëndor 1920 Venizellos humbi zgjedhjet, rikthehet mbreti Kostandin. Korçën e Gjirokastrën nuk pranuan t’i njihnin zyrtarisht si vënde të Shqipërisë, me argumentin e një të ashtuquajturi “Mandat”, që kishin thurrur intrigat e imperializmit të Luftës së Parë Botërore. Me Greqinë shqiptarët u ritakuan në konflikt kur bandat e qarqeve shoveniste vranë në gusht të 1923-shit gjeneral Tellinin. Pasi ishte prishur me Francën, nga kjo ngjarje Greqia u armiqësua edhe me Italinë.
Perandoria Otomane do ishte shpërbërja e dytë e madhe, pas Austro-Hungarisë. Perandoria gjashtë shekullore do shëmbej me zhurmë. Popujt lindorë, nën robërimin e saj, arabët, armenët, kurdët, irakenët, e të tjera kombësi,diku te një duzinë, do shpallnin pavarësinë ose do orvateshin ta bënin atë. Turqia, e poshtëruar, bëri një përpjekje të fundit, kur në 28 janar 1920 parlamentimiratoi një dekret për njohjen nga fuqitë e mëdha të sovranitetit e pavarësisë së plotë të kombit turk. Përgjigja erdhi: trupat angleze pushtuan Asamblenë e Turqisë dhe Stambollin.
Gjatë vitit 1920, u zgjua konflikti anglez me francezet per Sirinë dhe Mesdheun Lindor. Për rrjedhojë, trupat italiane e franceze u tërhoqën nga Anadolli, Greqia u prish me Francën.
100 vjetori i një dënimi me vdekje
Esad pashë Toptani, më 13 qershor 1920 vritet në Paris nga Avni Rustemi, duke i dhënë kështu, në emër të popullit shqiptar, përgjigjen anëtarëve nënshkrues të Traktatit të Fshehtë të Londrës, Traktatit Venizellos-Titoni e kompromiseve të tjera në kurriz të Shqipërisë. Plumbat e derdhur shpërndanë lajmin se këtej e tutjeasgjë nuk do bëhej nga poshtërsitë e tjerrura kundër kombit shqiptar. Gjyqi ndaj Avniut, që filloi më29 nëntor 1920, pas pesë muaj e gjysëm hetimi, dha vendimin brënda ditës. Juria me 12 anëtarë, në emër të popullit francez, e shpalli të pafajshëm për vrasjen e Esad pashë Toptanit. Vetë vendimi i jurisë flet shumë më tepër politikisht se juridikisht: me Shqipërinë nuk mund të luhej më!
Akti i vrasjes i përket një njeriu, Avniut, në piedestalin e të cilit vihen lule e kurora në çdo përkujtimore, por ai plotësoi dëshirën e të gjithëve dhe përmbushi veprën që lipsej ato ditë prej historisë! Lavdi në jetë të jetëve!
Pas 100 vjetësh, sot janë të pakët ata që kuptojnë se pse vrasja e Esatit ishte shpëtim për Shqipërinë? Për të kuptuar se sa rëndësi kishte heqja nga skena politike shqiptare e këtij njeriu, vlen për t’u shpjeguar shkurtazi arsyeja:
Esad pashë Toptani ishte një nga feudalët antikombëtarë. I dhënë pas orgjive dhe shthurjeve morale, ai ishte i zbrazur nga çdo ndjenjë kombëtare. “Unë jam turk, ç’lidhje kam me qeverinë e Ismail Qemalit?!”, i dha përgjigjia një gazetariaustriak, në maj të vitit 1913. “Sa për qeverinë e Vlorës, si mundem unë, një gjeneral turk, të kem marrëdhënie me të?” Atdhetarët shqiptarë e dinin se si pashai otoman e kishte dorëzuar Shkodrën; e dinin se ai kish bërë një marrëveshje me Malin e Zi që të dorëzohej, duke mbajtur trupat; e dinin se ai paguhej nga Serbïa, Italia dhe Franca. Pasi dorëzoi Shkodrën, mbajti të ngritur një ushtri me rreth 15 mijë trupa të armatosur. Të ngjashëm me Esadin ishin edhe të tjerë pashallarëve, me kombësi shqiptare, me pasuri e toka, që e kishin vënë të parët e tyre, duke i shërbyer pushtuesit turk.Ata ndjeheshin më mirë nën sundimin turk sesa në një Shqipëri të pavarur e të lirë. Esadi ishte pengesa e madhe drejt lirisë dhe shpëtimit të Shqipërisë.
Pushtetin e tij në Shqipërinë e Mesme e kish përdorur për pasurim, ndërsa Shqipërine për allishverishe të ndyra. Prej qeverisë italiane paguhej 6 mijë lira në vit; u pagua si agjent serb me shuma të mëdha nga Serbia dhe Jugosllavia, deri në vdekjen e tij, 50 mijë dinarë në muaj; u dorëzoi malazezëve Shkodrën, me ushtri, armë e topa, pas një marrëveshje tregtie që bëri me mbretin Nikolla, ku u fol për 25 mijë napolona flori në dorë; më 7 maj 1913 deklaronte se i njihte Greqisë kufirin që niste prej Himarës. Në mesin e majit 1913 organizoi, si kundërvënie ndaj Kuvendit Kombëtar të Vlorës, të ashtuquajturin “Kongres i Krujës”, me pjesëmarrjen e turkoshakëve klerikë nga Tirana, Durrësi, Shijaku dhe Kavaja; si kundërvënie ndaj Qeverisë së Vlorës, formoi më 12 tetor 1913 në Durrës “Pleqësinë e Shqipërisë së Mesme”; urdhëroi heqjen e gjuhës shqipe nga administrata dhe zëvendësimin e saj me gjuhën turke; me gjithë mënyrat dha ndihmën e tij në stisjen e akuzës ndaj Ismail Qemalit në çështjen e komplotit të Beqir Grebenesë; nxiti dhe përkrahu të ashtuquajturën “Kryengritje e Shqipërisë së Mesme”; komplotoi me tërë mjetet e forcat kundër Qeverisë së Princ Vidit. Ndërsa Princ Vidi po largohej nga Durrësi në drejtim të Italisë, takohet me Pashiqin më 17 shtator 1914 në Nish, ku Esad pashë Toptani nënshkruan një marrëveshje me Nikolla Pashiqin, në dëm të kombit shqiptar, tradhti të cilën e damkos përfundimisht më 28 qershor 1915, kur firmosi me ministrin e Brendshëm serb, Ljubomir Jovanoviç, bashkimin me Serbinë; mori përsipër atributet e një delegacioni në Konferencën e Paqes në Paris, ku më pas gjeti dhe atë që i ishte profetizuar nga gazeta “Atdheu” në gusht të vitit 1913: vdekjen!
Me vrasjen e Esat pashës qeveria e Tiranës mori frymë lirisht. Nga errësira, ku endej qorrazi çështja shqiptare, agoi në një ditë të re e të ndritëshme.
Historianët prej kohësh kanë bërë publike një letër që Kryeministri i Serbisë, Nikolla Pashiq, ia drejtonte në 30 janar 1920, Kryeministrit të Francës dhe Kryetarit të Konferencës së Paqes, Aleksandër Mileran. Aty përmenden ndihmat që Esat pasha, kishte dhënë për Antantën dhe për Francën, “dëmet” që ai ka pësuar dhe shpenzimet që ka bërë, për të cilat meritonte një dëmshpërblim prej 10 milionë franga. Letra përkon me ditën kur në Lushnje do vulosej përfundimisht fati i ardhshëm i Esatit.
Në kujtimet e tij, Mehdi Frashëri, atë kohë pjesë e qeverisë së Durrësit, kujton pjekjen e rastësishme të tij me Esat pashën në hollin e një hoteli në Paris. “Kur të vij në Durrës-ju dejtua Esati-qeverinë tuaj do ta var”. “Kjo punë nuk dihet-i ktheu gjegje Mehdiu-nëse ne të varim ty apo ti na var ne?!”
100 vjet nga Kongresi që shpëtoi Shqipërinë
Po Shqipëria, ç’po bënte në rrethanat kur Korça, Pogradeci, Shkodra, Durrësi, Vlora, etj., mbaheshin të pushtuara nga trupat franceze dhe italiane?
Ajka e elitës shqiptare tregoi se ishte e denjë të bënte atë që kërkush nuk do kishte guxim as ta mendonte! U mblodhën dhe kryen aktin më të mençur të 100 vjetëve shtet: Kongresin e Lushnjës. Sa më shumë kohë kalon aq më tepër spikat madhështia e ngjarjes, e pjesëmarrësve dhe vendimeve të marra. Kongresi i Lushnjës përbën një nga ngjarjet më të mëdha, e barabartë për nga përmasat si ajo e shpalljes së Pavarësisë. Ky kongres, i përfaqësuar nga të gjitha krahinat, i zhvilloi punimet e tij nga 21 deri në 31 janar të vitit 1920. Forumi i lartë shpërndau Qeverinë e Përkohshme si përgjegjëse për anarkinë, krijoi Senatin (parlamentin e parë shqiptar) dhe nisi për Paris delegacionin me rezolutën përkatëse.
Atdhetarët shqiptarë kishin dieni mbi Traktatin e Londrës, e kishin të qartë se vendi ndodhej në pragun e copëtimit përfundimtar. Komanda e ushtrisë italiane në Durrës as e njohu dhe as nuk e lejoi qeverinë e dalë nga ky kongres të vendosej në kryeqytet, në Durrës. Në këto rrethana, për veprimtarinë e qeverisë u vendos që të shkojnë në Tiranë.U nisën për të mbërritur në 11 shkurt.
100 vjet nga epopeja e Luftës së Vlorës
Pas Kongresit të Lushnjës, Shqipërisë iu desh të mbronte ekzistencën dhe të rikonfirmonte arritjet e viteve 1912-1913,duke luftuar si në planin diplomatik, po ashtu edhe me armë në Vlorë, në Koplik, në Dibër, në Mirditë, etj.Luftëtarët shqiptarë, krahina e Labërisë dhe trupa nga krahina të tjera të vendit, luftuan nga fundi i majit deri në fund të muajit korrik. Betejat për çlirimin e Tepelenës dhe Vlorës në Drashovicë, Qafën e Koçiut, Kalanë e Kaninës, etj., duke patur përballë 150 mijë trupa ushtarake italiane.
Nënshkrimi i Protokollit shqiptaro-italian në 9 gusht 1920, me të cilin qeveria italiane respektonte sovranitetin shqiptar mbi Vlorën dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, ishte kryefjala e shtypit europian.
Epopeja e Luftës për çlirimin e Vlorës pati një jehonë të jashtëzakonshme. Italia po ndryshonte qëndrim, pasi e pa se me forcë nuk do të mund të realizonte synimet e saj ekspansioniste. Jo pak në ndryshimin e qëndrimit ndikoi edhe gjendja e brendshme në Itali, ku protestat me karakter kryengritës po bëheshin të rrezikshme. Italia arriti në përfundimin se një konflikt të armatosur nuk do mund ta përballonte dot. Në shtator 1920 Vlora ishte e lirë.
U organizuan zgjedhjet. Parlamenti i parë u mblodh në 21 prill 1921. Jeta politike, me të mirat e problemet e saj, u vu në shina.
100 vjet nga anëtarsimi në Lidhjen e Kombeve
Lidhja e Kombeveu propozua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes presidentit të saj. Në mbyllje të Konferencës së Paqes në Paris, Uillsonkërkoi ngritjen e një organizate botërore për ruajtjen e paqes e cila u krijua në 10 janar 1920. SHBA nuk u bë anëtare sepse Senati i saj nuk e miratoi.
Një mik i madh i Shqipërisë, senatori francez Destournel de Constant, i këshilloi përfaqësuesit e qeverisë së Tiranës në Paris, zotërinjtë Pandeli Evangjeli, Mithat Frashëri dhe Mehmet Konicën, që t’i drejtoheshin Lidhjes së Kombeve për njohjen e Pavarësisë shqiptare. Kërkesa u dorëzua më 12 tetor nga Pandeli Evangjeli.
Në Gjenevë tashmë kish mbërritur si përfaqësues i qeverisë së Tiranës, Fan Noli. Ai, me oratorinë e tij, la një përshtypje të thellë në Gjenevë, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në vendimmarrje. Më 15 nëntor 1920 u hap sesioni i parë i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë të Zvicrës. Lëvizja e mençur rezultoi një sukses i madh. Kërkesa u mbështet edhe nga miq të shumtë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku spikat deputeti britanik, Aubrey Herbert. Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve.
Fillimisht Franca e kundërshtonte anëtarsinë në OKB, por më pas e dha pëlqimin. Pa asnjë votë kundër, u bëmë anëtari 43-të i Organizatës Botërore. Nga ky moment, mbrojtja dhe siguria juridike e shtetit më të dobët në Europë, do kish në krah një organizëm botëror.
Epilog
Po bën dy muaj, që këtij viti, 1920-tës,i janë kushtuar artikuj e dokumentarë. Tryeza historianësh ikanë nxjerrë në pah vlerat. Autori i këtijshkrimii kushtoi 100 vjetorit të kryeqytetit dhe luftës së Labërisë për çlirimin e Vlorës nga një artikull. Kanë qenë me dhjetra të tjerë ata që e përkujtuan. A ishin të mjaftueshme?
Besoj se jo! Duhet të ishin bërë po ato që u bënë për 100 vjetorin e Pavarësisë. Asgjë më pak! Do duhej t’i ishte kujtuar këtij populli, që e fryjnë për ditë me lajmet korente të sherreve banale që ndërmarrin palët në politikë, se pa ata heronj shqiptarë të vitit 1920, ky shtet nuk do ekzistonte! Emrat që drejtojnë sot shtetin dhe nuk i dhanë 100 vjetorit të vitit 1920, dinjitetin e kërkuar, shpejt do jenë të harruar, ndërsa emrat e heronjve të 1920-tës do mbeten në histori të gdhendur me gërma ari.
nje pershkrim origjinal te lumte pena