Prof. Dr. Pëllumb Xhufi
Në fillim i morëm si ministra vere, d.m.th. si ministra “koti”, një lloj watch dog-u, që “do mbronin” zgjedhjet nga grabitësit e votës së lirë, e pastaj do iknin. Por nuk po ikin. Dhe askush nuk thotë pse nuk po ikin “gardianët e zgjedhjeve”. Nuk po flet as zoti Rama, autori i ujdisë pa vulë e pa firmë të 18 majit. Me sa duket e ka ngrënë edhe kësaj here kokrrën e ullirit, si atëhere kur ia besoi Kushtetutën mballosjeve të zotit Berisha.
I fitoi bindshëm zgjedhjet, por me zyrat e zëna nga “teknikët” e PD, u detyrua të rilindë institutin e stërlashtë të “dëgjesave publike”. Ka veshur opingat dhe bashkë me ministrat e tij, mes tymit e flakëve të Shqipërisë që digjet, po rropatet fshatrave… në pritje të shtatorit. Ndërkohë, zonja Mirela Karabina po i gëzohet godinës së restauruar për shtatë palë qejfe nga paraardhësja e saj, zonja Nikolla. Jo vetëm vazhdon të kapardiset, si gjeli majë plehut, në zyrën ministrore të Rrugës së Durrësit, por dhe i ka zhytur duart deri në bërryl në punët e kësaj ministrie.
Jo vetëm ka denoncuar skandale të padëgjuara që paska konstatuar në atë ministri; jo vetëm ka përcjellë në prokurori denoncimet për mësuesit që sipas saj qenkëshin përzier në propagandë zgjedhore, gjë që sidoqoftë është në përputhje me rolin e saj të dakordësuar si “gardiane e zgjedhjeve”; por Karabina ka nënshkruar e vulosur togje me letra për punësime e çpunësime, për kalime e shpërndarje fondesh, ka organizuar e drejtuar provimet e maturës shtetërore, po punon me drejtuesit sivëllezër demokratë të universiteteve, për t’i dhënë formë vitit të ri akademik dhe, qershia mbi tortë, i dha një bërdaf të vendosur edhe reformës në kërkimin shkencor, të shpallur por të panisur e të pabitisur nga zonja Nikolla.
Në një nga këto ditë korriku, pas një shkëmbimi të rrufeshëm shkresash me Qendrën e Studimeve Albanologjike, një shkëmbim intensiv e reaktiv siç në administratën shqiptare vetëm në linjë partie mund të ndodhë, Ministrja Karabina mori dy vendime epokale. Vendimi i parë ka të bëjë me trasformimin institucional të Qendrës së Studimeve Albanologjike, e cila këtej e tutje do të mbajë emrin frymëzues “Akademi Albanologjike” (sic).
Sigurisht, zonja Mirela Karabina ka një kuptim semplist e praktik të reformës, siç në filozofinë e saj e ka partia e saj e referencës, Partia Demokratike. Të reformosh, do të thotë të kapësh. Të kapësh, do të thotë të drejtosh. Të drejtosh me njerëzit e tu. Koncept që mban erë autoritarizmi. Por në Shqipëri jemi. Nën këtë moto, reforma pëdëiste e vitit 2007, e ricikluar në reformën rilindase të vitit 2015, i ktheu universitetet tona në detashmente të gatshme të PD.
Dekanët e rektorët e djeshëm e të sotëm, domethënë të përhershëm, i ke deputetë, i ke anëtarë të forumeve drejtuese të PD, i ke anëtarë të Këshillave Bashkiake, i ke në çdo emision televiziv për të mbrojtur vijën e partisë, madje edhe krimet e partisë, siç bën shumë prej tyre më 21 janar 2011. Tani, partia e zonjës ministre, nëpërmjet saj, po kërkon t’i japë dorën e fundit kapjes së Qendrës së Studimeve Albanologjike, të filluar që në vitin 2007.
Dhe po e bën këtë, duke e trajtuar këtë institucion si subjekt të ligjit të Arsimit të Lartë të vitit 2007 të qeverisë Berisha, i cili e deklasonte atë në një qendër universitare. E bën këtë duke injoruar ligjin e vitit 2015 të qeverisë Rama, që e anulonte të parin, dhe që e ka nxjerrë përsëri QSA-në nga konteksti universitar, në pritje të një përcaktimi të ri të statusit të saj.
I ndryshon emrin Qendrës, duke e quajtur “Akademi”, pa pyetur fare se një ndryshim të tillë nuk mund ta bëjë një Ministër, aq më pak një ministër me aftësi e mandat të kufizuar, por mund ta bëjë vetëm Këshilli i Ministrave. Por…“në miting jemi”, do të thoshte personazhi i një barcalete njohur, që ma kujtuan këto ditë ministrja dhe këshilltarët e saj verorë.
Nuk e njoh personalisht z. Karabina, formimin, aftësitë, teknikat e saj. Di vetëm të them që “teknike” nuk është. E them me siguri, teksa shoh që në krahun e djathtë të saj është vendosur, në rolin e Këshilltarit të posaçëm, z. Ndriçim Mehmeti. Këtë po, e njoh.
Ndoshta paragjykoj, por besoj se me Ndriçimin e Partisë në krah, edhe vet Karabina do të ndjehej e bezdisur. E kam patur student Ndriçimin në kohën e ndryshimit të sistemeve. Djalë me nuhatje. Dilemën nëse ia vlente të ndriçonte në histori apo në politikë e zgjidhi nën favor të së dytës.
Nuk i ka dalë keq Ndriçimit, sepse djalë ende i ri ia doli të bëhej edhe komisar partie, edhe profesor, edhe drejtor i fuqishëm në Ministrinë e Arsimit. Sot është këshilltar i plotfuqishëm pranë ministres Karabina. Veçse, me Ndriçimin si këshilltar, zonja Karabina e ka të vështirë të fshihet pas eufemizmit “ministre teknike”.
Sepse këshilltari i saj është nga ata që e ka të shkruar në ballë që është njeriu i partisë. Si eksponent i arsimit demokratik, ka rënë në sy me artikujt e daljet e tij televizive, ku është rrekur të provojë se gjithçka e keqe në shkollat tona i detyrohet racës së degjeneruar të socialistëve: vagabondazhi, droga, dhuna, korrupsioni, politizimi, prostitucioni e madje edhe pedofilia.
Nuk e kam të lehtë të flas keq për Ndriçimin, për njohjen e vjetër që kam me të dhe për një dobësi që, pavarësisht prej tij, e kam për Delvinën e delvinjotët. Por tani zullumi është trashur aq sa nuk mban më. Ai dhe ministrja, së cilës ai duket se i mëson “teknikat” e qeverisjes pëdëiste, po ngulin dhëmbët edhe tek Qendra e Studimeve Albanologjike, një dëshmi-kufomë e reformës berishiane dhe e mosreformës rilindase. Në këtë institucion elitar, ku dikur mbretëronte sovran kulti i Çabejt e i Budës, d.m.th. kulti i dijes, sot rëndon kulti i shefit dhe i drejtorit, d.m.th. kulti i pushtetit. Njëlloj si në një ndërmarrje çfarëdo të ujësjellës-kanalizimeve.
Njëlloj si në universitetin e dekanëve të përjetshëm e të korruptuar të partisë. Dhe këtë rënie klasi në institucionet tona akademike e universitare duhet t’ia dimë për nder Partisë së Mirelës e të Ndriçimit, falë së cilës qysh më 1992 u instalua kultura e marrëdhënieve qenësore (dua të them: prej qeni) me pushtetin. Në emër të pushtetit, PD ka vrarë e ka prerë, ka djegur e ka pjekur, ka ndarë e ka përçarë, ka shitur e ka blerë, ka ndyrë e ka qelbur. Gjithçka.
Shoqërinë, shtetin, institucionet, drejtësinë, moralin, artin, shkollën, detin, tokën, ajrin, dosjet, diplomat, notën, votën. Madje, edhe vetë opozitën socialiste. Bilancin e tmerrshëm që kjo parti mban mbi shpinë do t’ia numërojë një ditë gjyqi i historisë. Mes terrorit jakobino-gebelsian, PD e z. Berisha, ka mundur të jetë gjithnjë një parti pushteti. Ka qeverisur edhe në vitin 1991, ende pa fituar zgjedhjet. Ka qeverisur edhe pas viteve 1997 e 2013, kur ka humbur zgjedhjet.
Po qeveris (hapu qiell!) edhe tani, pas débâclit të zgjedhjeve të qershorit 2017. Dhe po qeveris me skalionin e tretë të saj, me Z.njën Karabina dhe “pisqollat” e tjera që i katapultoi në pushtet zemërgjerësia e “xhentëlmenit” socialist të radhës. Edhe ky, z. Rama, si paraardhësit, u rropat të zbusë, të qytetërojë, të përfshijnë në sistem, të ndajë pushtet me një detashment të egër anti-shtet e antishqiptar, siç ka qenë në këta 26 vjet grupi drejtues i PD-së së zotit Berisha. Gjesti më tragjik në këtë garë altruizmi me vetveten ishte ai i vitit 2008, kur z. Rama i lejoi kësaj lukunie të kafshojë Kushtetutën, duke destabilizuar krejt strukturën institucionale të shtetit.
Por le të kthehemi në botën tonë të vogël, në Qendrën e Studimeve Albanologjike, që gatitet të bëjë zgjedhjet, sipas dëshirës së ndonjë drejtuesi të atyshëm dhe urdhrit të vetëtimtë të udhëheqjes “teknike” të Ministrisë së Arsimit.
Në fakt, zgjedhjet në këtë institucion duhet të ishin bërë që në vitin 2014, kur drejtorët e shefat e emëruar politikisht më 2005 nga qeveria Berisha kishin plotësuar dy mandatet e lejueshme në detyrë. Por, z.nja Nikolla nuk pati kohë të merrej me QSA e me reformën e paralajmëruar në QSA. I la gjërat siç i gjeti.
Më kot “kryedrejtori” i saj, z. Ardian Marashi, priti ta lëvizte qeveria e Rilindjes më 2013. Ishte emëruar me një urdhër politik në një detyrë të pamerituar, atë të kreut të Albanologjisë, me të cilën nuk e lidhte asgjë. Veç të tjerash, kishte mbushur mandatin.
Priti e priti, deri sa më 2016, i bezdisur nga gjithë ajo zemërgjerësi e rilindasve, iku vet. U la pëndët. Bëri një gjest që e çmuan shumica e studiuesve të asaj qendre kërkimore, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve. Të paktën do mbahet mend për këtë.
Por, ndryshe nga z. Marashi, zonja Karabina e këshilltarët e saj nuk duan ta kuptojnë se ka ardhur koha të mbledhin plaçkat. Siç po shihet, ata janë në gjendje veç të bëjnë dëm. Nuk do ta kenë të vështirë të gjejnë një punë të ndershme.
Siç e thamë, janë hem komisarë partie, hem profesorë universiteti, hem anëtarë të OJQ-ve, hem biznesmenë…Në fund të fundit, në respekt të traditës, qeveria “Rilindja II” premton të jetë zemërgjerë me ta e t’u lirojë ndonjë post drejtues në ndonjë ministri fqinje.
Pra, le të ikin e t’ua lënë përgjegjësinë e reformës në shkencë atyre që e kanë tagrin ta bëjnë një gjë të tillë, titullarëve të ligjshëm të asaj Ministrie, që pritet të vendosen aty në shtator. Bëjnë mirë të nxitohen, se edhe z. Rama ka lëvizjet e tij të humorit, dhe druaj që në shtator do asistojmë në ndonjë skenë groteske, kur mos o Zot, t’i nxjerrin me polic nga ajo ndërtesë.
Shënim i redaksisë
Ç’është 18 Brymeri?
“Tetëmbëdhjetë Brymeri i Lui Bonapartit” është titulli i një eseje të shkruar nga Karl Marksi në mes të dhjetorit 1851 dhe marsit 1852, që fillimisht u botua në 1852 në ‘Die Revolution’, një revistë mujore gjermane në New York City. Eseja flet për grushtin francez të shtetit të vitit 1851, në të cilin Louis-Napoleon Bonaparte mori pushtetet diktatoriale. Marksi e shqyrton këtë ngjarje si një historian social dhe politik, duke trajtuar ngjarjet historike nga këndvështrimi i konceptimit të tij materialist të historisë.
Titulli i referohet ‘Coup of 18 Brumaire’ në të cilin Napoleon Bonaparti mori pushtetin në Francë. (9 nëntor 1799, ose 18 Brumaire Viti VIII në Kalendarin Republikan Francez). Napoleon Bonaparti, bashkë me vëllanë e tij në 9 nëntor 1799 arritën që të shtinin në dorë fuqinë ekzekutive, si dhe fuqinë legjislative me një grusht shteti që njihet me emrin “18 brymeri”.
/Gazeta DITA