Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot rrugën Qukës – Qafë Plloçë, pjesë e Korridorit Tiranë-Korçë (Korridori 8), një investim me vlerë 152 milion dollarë. Ai tha se janë marrë masat që në këtë projekt infrastrukturor të gjithë komunitetet ta aksesojnë rrugën ashtu siç duhet, me parametra dhe standarde të përcaktuara.
“Një nga problemet kryesore që kishte projekti ishte që ishte një mur me rrugë ku asnjë nga njerëzit e gjithë kësaj hapësirë nuk kishte asnjë lloj aksesi. Pastaj, me dëmin përkatës për ekonominë, për aspektin social. Tani është marrë masa që të gjithë komunitetet ta aksesojnë rrugën ashtu siç duhet, me parametra dhe standarde të përcaktuara. Njëkohësisht, për sa i përket çështjes së vaditjes, të mos ketë dëmtime dhe pengesa për shkak të rrugës”, tha kryeministri.
Projekti është rikonceptuar tërësisht nga e para, pasi në projektin fillestar nuk ishte parashikuar asnjë lidhje rrugore mes fshatrave, ndërsa tashmë ka të përfshirë plot 120 ura dhe nënkalime për banorët e zonave që përshkon kjo rrugë, si dhe sinjalistikën dhe të gjithë elementët e domosdoshëm të sigurisë, të gjitha këto të parashikuara me të njëjtin fond investimi.
Segmenti rrugor me gjatësi 43.4 km së bashku me rrugën Tiranë-Elbasan, kanë një rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare, pasi ai do të sigurojë një lidhje më të shpejtë dhe komode midis Portit të Durrësit, portit kryesor të vendit sot, – një prej porteve më të rëndësishëm të Ballkanit për nga volumi i mallrave – dhe vendeve të tjera si Greqia, Turqia, Maqedonia, Bullgaria etj.
Në këtë mënyrë, projekti e bën Shqipërinë vendin më të përshtatshëm për të kryer tranzitin nga vendet e Ballkanit drejt Europës dhe anasjelltas.
Kjo rrugë, me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, bashkon Korçën dhe Tiranën, duke lidhur motorin kryesor të zhvillimit të vendit me polin lindor zhvillimor të saj.
Rruga mundëson lidhjen e bizneseve dhe prodhuesve në zonat e Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit me tregjet e tjera kryesore të vendit.
Një impakt të rëndësishëm zbatimi i këtij projekti, ka në zhvillimin e turizmit, duke krijuar premisat për një zhvillim më të qëndrueshëm të zonës turistike rrotull liqenit të Pogradecit.
Korridori rrugor do të shërbejë si një by-pass për qytetin e Pogradecit, duke forcuar potencialin turistik të tij, si një nga qendrat turistike të Shqipërisë juglindore, duke eliminuar ndotjen në zonën e liqenit dhe të qytetit, për shkak të tranzitimit të mjeteve të tonazhit të rëndë.
Projekti krijon përmirësime të dukshme të lëvizjes, duke bërë që distanca ndërmjet pikave të lidhura nga ky segment rrugor të shkurtohet me afro 8 km krahasuar me variantin ekzistues.
Ndërkohë, shpejtësia mesatare e lëvizjes së mjeteve rritet për arsye të shmangies së trafikut të rënduar përgjatë qytetit të Pogradecit.
Duke marrë parasysh specifikat e terrenit, drejtuesit e punimeve e informuan kryeministrin se projekti i mëparshëm, i vitit 2011, nuk kishte të parashikuar asnjë nga parametrat e sigurisë. “Ka pasur defekte projekti i parë, ai që është realizuar në 2011. Nuk ka pasur të parashikuar asnjë nga parametrat e sigurisë”, u shpreh një prej tyre.
Landfill-i i Maliqit
Një tjetër investim i rëndësishëm për rajonin e Korçës është landfill i Maliqit, që do të presë mbetje urbane nga 6 bashki të qarkut për 20 vitet e ardhshme, duke filluar nga viti i ardhshëm. Në zonën ku po ndërtohet landfilli ishte kryeministri Edi Rama, sëbashku me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi dhe ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ku inspektuan ecurinë e investimit.
I shtrirë në një sipërfaqe 19 hektarë dhe vlerë investimi 5 milionë euro, vend depozitimi i ri sjell mbylljen e më shumë se 100 fushave të grumbullimit të mbetjeve në qarkun e Korçës, duke ulur ndjeshëm ndotjen mjedisit.
Kapaciteti i tij do jetë afërsisht 1 milionë m3 mbetje dhe do t’i shërbejë afërsisht 300 000 banorëve të qarkut.
ʺKanë filluar punimet për qelizën e parë, e cila do të ketë një shtrirje kohore për depozitimin mbetjeve për 7 vjet, ndërkohë që janë edhe dy qeliza të tjera. Në total ky landfill do t’i shërbejë depozitimit të mbetjeve për 6 bashki për një periudhë 20 vjeçareʺ – tha Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo dhe informoi se aktiviteti i landfillit do të zgjerohet më pas, edhe me procesin riciklues.
Landfilli i Maliqit do të administrohet nga një shoqëri aksionere ndërmjet bashkive, duke sjellë edhe modelin e parë të menaxhimit të përbashkët.
“Modeli i parë i një menaxhimi të një fushe mbetjesh nga një shoqëri aksionere ku aksionerë janë të gjitha bashkitë. Është dashur shumë kohë derisa të jetë krijuar kultura e korporatës ndërmjet bashkive dhe tani, pothuaj të gjithë bashkitë paguajnë kontributet rregullisht,” – informoi Zëvendëskryeministri Peleshi.
Skema e menaxhimit të përbashkët u mbështet nga Kryeministri Rama si mënyra e duhur që forcon sensin e ndërmarrjes dhe rrit cilësinë e shërbimit.
“Modeli është i duhuri dhe është një shembull edhe për zonat e tjera, që bashkitë, duke shfrytëzuar edhe reformën territorial-administrative të lidhen me njëra-tjetrën në mënyrë që të ulin shpenzimet dhe të rrisin cilësinë e shërbimit të mbledhjes dhe përpunimit të mbeturinave dhe jo vetëm për këtë, por edhe për ujësjellës dhe skema të tjera të menaxhimit të përbashkët që japin shumë më tepër sensin e ndërmarrjes dhe largojnë traditën e tmerrshme të shpenzimeve, sikur janë të gjithë në mallin e babait”, tha Rama
Si pjesë e sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve janë edhe tre stacione transferimi, në Pogradec, Devoll dhe Kolonjë, për të mundësuar transportin e mbetjeve në vend depozitimin e Maliqit.
shqiptarja.com/d.i.