Nga Artan Lame
Një shkrim i vitit 2010 dhe ca reflektime të vitit 2016
Në fillim të vitit 2010, Fevziu organizoi një debat tek OPINION-i i tij, ku u përballën ca përfaqësonjës të fjalës së lirë me ca përfaqësonjës të biznesit të lirë.
Ai emision polli ca ditë më pas shkrimin tim të mëposhtëm:
Në vjetin e largët 1514, piktori flamand Quentin Massys, realizoi kryeveprën e vet “Fajdexhiu dhe gruaja e tij”. Piktura paraqet një fajdexhi që, duke mbajtur ndër duar një peshore, mbetet i përqëndruar tek peshon dhe numëron monedhat e tij të arta, ndërsa në krah i qëndron e shoqja që, duke mbajtur në duar një bibël të hapur, i sheh gati me përçmim monedhat. Është pasqyrimi më i fortë i luftës mes idealizmës së mesjetës që po perëndon dhe materializmës së kapitalit që po lind; është shprehje e përpjekjes së shoqërisë së mbështetur tek morali, për të disiplinuar shoqërinë e mbështetur tek paraja. Këtë luftë që ka vazhduar për qindra vjet, përfundimisht e fitoi kapitali dhe, në botën e sotme, ai është bërë sistemi i vlerës me të cilën matet gati çdo gjë.
Nga ana e vet, shoqëria perëndimore, e tmerruar nga ky mjet i ri që varrosi çdo sistem vlerash morale, por që njëkohësisht ishte edhe i pazëvendësueshëm, u përpoq t’i përgjigjësh (dhe do thënë se ja doli) duke i vënë përballë shtetin me rregulla të forta impersonale. Pasanikut të shekullit XV, i kërkohej me të lypur që të jepte ca nga pasuria e tij për bamirësi, atij Kisha i premtonte parajsën nëse jepte për më të dobëtit, atij Bibla i ofronte rregulla morale në këmbim të ndihmës për fukarenjtë, e kështu me rradhë. Pastaj kohët ndërruan dhe, pasanikut të shekullit XIX, nuk i kërkohej më asgjë me të atilla mjete të vjetëruara. Tani ai do të kish përballë një nëpunës administrate me rregjistër në dorë, i cili i kërkon taksat sipas ca llogarive të ftohta, ndaj të cilave nuk mund të bësh asgjë. Vetëm pasi të ketë mbaruar punë me nëpunësin e taksave të qeverisë, mund të afrohet edhe prifti të kërkojë diçka në emër të Zotit, apo shoqëria civile në emër të moralit. Ky sistem sot sa vjen e përsoset dhe, me ç’duket, është e vetmja mënyrë që shoqëria moderne të mos gllabërohet nga kapitali.
Marksi bëri përpjekjen e fundit të madhe për t’i vënë fre kapitalit, por jo në emër të fesë, por të një morali të ri të barazisë. Eksperimentimi i teorisë së tij vazhdoi për gati njëqind vjet dhe dështoi, duke na lënë pas dy luftra botërore, dyqind revolucione dhe nja 100 milionë të vdekur. Më në fund, deshën s’deshën, të gjithë ju kthyen sisemit të shtetit modern që, përmes rregullave disiplinon kapitalin dhe thith prej mbivlerës së tij atë ç’ka atij, shtetit, i duhet për të mbajtur më këmbë shoqërinë moderne. Tani, që të vijmë tek rasti jonë, kam frikë se beteja e vogël por e ashpër që pamë në studion e Fevziut, ishte sërisht një përpjekje prej atyre të qëmotit, për ta disiplinuar kapitalin jo përmes shtetit por përmes moralit. Nuk ka gjë më fisnike sesa kjo luftë, në të cilën edhe vetë herë pas here zbraz nga një dyfek, por me keqardhje them se ajo është e humbur tash 200 vjet. Të gjitha penat dhe penelët e ndritur, që kanë bërë e përshkruar beteja të kësaj lufte, të gjithë Hygotë, Balzakët e Masysët, e kanë kanë bërë këtë për nostalgji dhe në emër të një morali fisnik, por ndërkaq lufta ishte e humbur. Të gjitha këto vepra shërbejnë për të mbajtur gjallë shkëndijën e moralit, por ndërkaq, në botën reale, zgjedha e vetme që mund t’i vihet kapitalit, mbetet shteti i fortë dhe i mirëorganizuar.
Ne shqiptarëve, pikërisht ky na mungon. Na mungon shteti me rregulla të sakta, ligje të prera, nëpunës të përgatitur, institucione që funksionojnë jashtë politikës së ditës, ndaj nga halli, kthehemi dhe i bëjmë thirrje kapitalit të jetë i moralshëm dhe i mëshirshëm. Bash për këto arësye, jam i prirur të mos e kërkoj të keqen tek sipërmarrësi privat, por tek administratori publik. Eshtë e drejtë e çdo sipërmarrësi privat që të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme dhe çdo të çarë të sistemit, se në fund të fundit, ai as ka bërë betim për ndershmëri dhe as po rrezikon paratë tona por të tijat, ashtu siç përkundër, është detyrë e çdo administratori publik që të mbrojë dhe përsosë sistemin, pasi pikërisht për këtë arësye e paguajmë ne publiku nga paratë tona, për të mbrojtur pronën tonë të përbashkët dhe, për këtë punë edhe është betuar ta kryejë, duke vënë dorën mbi Kushtetutë.
Mulliri gjigand i korrupsionit në Shqipëri, ushqehet nga një pafundësi përrenjsh të mëdhenj e të vegjël, të cilët është pikërisht paaftësia dhe mosdashja jonë për të ndërtuar sistemin e rregullave, që i lejon të vazhdojnë të derdhin ujë drejt rrotës së mullirit. Për ta ndalur këtë mulli të së keqes, ka dy mënyra. E para, është të vazhdojmë t’i biem mureve të tij me kokë dhe të përpiqemi t’ja prishim muret, ingranazhet, apo rrotën e zhytur në ujë. Mënyra e dytë, është të përpiqemi t’i presim ujët, apo sa të mundemi t’ja pakësojmë atë. Që t’i le mënjanë sofizmat, ç’dua të them me këtë. Nëse do të jemi në gjendje të ngremë një sistem ligjesh, standartesh dhe rregullash, të cilat lenë shumë pak hapësira për voluntarizmin e funksionarit shtetëror, do të kemi bërë realisht hapa drejt vënies ndën zgjedhë të kapitalit të harbuar. Betejën me kapitalin e pashpirt mund ta fitojë vetëm diçka që është po aq i pashpirt sa ai dhe kjo krijesë është vetëm shteti modern.
Prej mbi një dekadë, ka ca emra të biznesit të madh që janë kthyer edhe në simbol i biznesit të lidhur me pushtetin. Reagimi i parë instiktiv, është kërkesa për moral ndaj tyre. Por e gjithë kjo mënyrë të menduari kështu, e kthen gjënë në çështje morali politik, publik apo shoqëror, por pa u përqëndruar aspak tek pjesa e funksioneve të shtetit, i cili nuk ka moral por rregulla. Ne mund t’i kërkojmë moral Nënë Terezës, por jo një biznesmeni. Biznesit i vihen rregulla dhe jo moral, se shteti nuk mbahet me moral. Hiqini voluntarizmin funksionarit publik dhe do të keni zhdukur një pjesë të madhe të deformimit të sistemit. Prejini kanalet që çojnë ujë drejt mullirit të korrupionit dhe do të shihni se rrota e tij do ndalet pa qënë nevoja t’i thyejmë qeramidhet mullirit. Përndryshe, do vazhdojmë t’i lypim mëshirë e moral kapitalit e biznesit, deri sa të bëhemi të mërzitshëm dhe atëhere as që do na i vërë më veshin njeri.
Artan Lame, 4 shkurt 2010
REFLEKSION I SOTËM
Që prej këtij shkrimit të mësipërm kanë kaluar gjashtë vjet e ca, ka rrjedhur shumë ujë, kanë ngjarë shumë gjëra e kam kuptuar shumë të tjera. Por nuk dua të merrem me të gjitha në këto radhë refleksione, por veç me njërën syresh, atë që e kam mësuar edhe të fundit. Dy muaj të shkuar Zoti më vuri përpara një sprove personale, që edhe kjo më bëri të kuptoj se bota që sheh nga atje, është e ndryshme nga ajo që shohim në furinë e përditshme. Ja dola të shoh e kuptoj se sa e shkurtër është brazda e jetës për secilin prej nesh dhe për rrjedhojë se sa e pakuptimtë është të mbledhim male me para që nuk hahen, të cilat të gjitha bashkë nuk ja dalin dot ta zgjasin qoftë edhe një gisht brazdën e secilit prej nesh.
Atëhere ndoshta paska vend e nevojë që, edhe në shoqërinë e shekullit XXI, t’ia bëjmë të ditur kapitalit e të përpiqemi ta bëjmë të kuptojë se s’vlen asfare si qëllim në vetvete.
Përkundër asaj që mejtoja 6 vjet të shkuara, se një shtet i ndërtuar e i puthisur mirë nuk ka nevojë për gjë tjatër, për moral, mecenatë e filantropë, sot them se përveç përpjekjeve për ta bërë këtë dreq shteti, megjithatë duhet të vazhdojmë të përpiqemi edhe për moralin. Ndaj ndosha ja vlen ende t’i bëjmë thirrje atij sipërmarësit guximshumtë që pretendon të shpenzojë 50 milion euro për të nxjerrë fitim 50 milion të tjera, se nuk ja vlen. Steve Jobs në fund të jetës tha se këshilla më e vlerë ishte që linte pas ishte bëni pará sa për të jetuar mirë dhe pastaj harxhojeni jetën për të bërë mirë. Ndoshta ka ende kohë që t’i shpjegojmë atij biznesmenit të ethshëm se, një pallat që ngrihet mbi varre është kundër ligjeve të Zotit e të robit.
Ndoshta ka ende vend e kuptim t’i shpjegohet politikanit a pushtetarit, se nuk ka gjë më jetëshkurtër se lavdia e pushtetit e, për sa e fortë është shija e tij në të ngjitur, edhe ca më e fortë është hidhësira e humbjes në të zbritur. Dhe ne fund, pasi të ketë dalë fare nga skena, njerëzia nuk do ta kujtojnë për urdhrat që ka dhënë a tekat që ka përmbushur, por vec punët që ka bërë për të tjerët.
Ndoshta i do shpjeguar me durim atij ndërtonjësit të palodhur që nuk bën as pushime sa për të gëzuar paratë që ka fituar, se nuk ja vlen të prishë një gji deti për të bërë një fshat me 100 vila turistike ku do fitojë 100 të tjera. Një shtëpi mjafton për të jetuar mirë dhe ndoshta të afron më shumë me Zotin falenderimi i atyre pelikanëve që nuk do ju prishet foleja, sesa 1000 qirinj të ndezur në kishë dhe të blerë me paratë e fituara nga shitja e vilave.
Maksim Gorki çuditet në reportazhin e tij nga takimi me Rockefellerin, teksa pa me habi se edhe miliarderi kishte vetem nje bark. Atëhere përse i duhen miliardat kur nuk mund të hajë dot më shumë se punëtori i tij i fundit – pyet me revoltë Gorki. Për të gjitha këto ndoshta ka ende vlerë piktura e Massys-it dhe s’do parë si luftë e humbur një herë e mirë. Do ta kemi gjithnjë e më të vështirë t’ia shpjegojmë një pasunari atë ç’ka shpjegon flamandi me penelin e tij, por duhet që përkrah shtetit të vazhdojmë të përpiqemi t’i mbushim mëndjen edhe atij, vdektarit të florinjtë, se asnjëherë nuk do mbledhë dot aq shumë pará sa për të blerë qoftë edhe një ditë më shumë jetë.