Nga Pëllumb Kulla
Gjej rast tani që një vendim i padrejtë dënoi dhe do të lerë dhjetë ditë të gjata larg mikrofonit orakullin e tranzicionit shqiptar.
Kjo, ama, nuk është veçse një parathënie, si një test i shkurtër për kohën kur ky orakull, do të ketë mbyllur sytë e do t’i mungojë Shqipërisë përgjithmonë Goja e të vërtetave të pakundërshtueshme, Goja e poezisë politike, Goja e rapsodit të shenjtë popullor. Se do të vijë ajo ditë! Si për cilindo, edhe për ne të tjerët! Po ne…Phë! Ç’humbje do të jemi ne?! Punë e madhe fort!
Po si do t’i bëhet kur të mungosh ti, orakull i shtrenjtë, o zbuluesi i tërë të vërtetave të atij vendi mëkatar! Nga kush do t’i presë të vërtetat ai komb, ai popull, ajo shoqëri njerëzore?! Kush si ti, mundi të shqiptojë të vërteta të patundura, të pakundërshtueshme, ato që të mbërthejnë me garancinë, me sigurinë dhe vërtetësinë mahnitëse.
Ne do ta quajmë veten fatlumë që jetuam në një kohë me ty, o orakull legjendar. Ti solle një shkollë, solle një sistem moral të pakrahasueshëm në politikë. Ti edukove breza të tërë me mënyrën e re të komunikimit, me të shara nga nëna, që mund të duken si të pista, teksa janë, në të vërtetë, gjithë hir. Të vërtetat e tua tanimë do të jenë pjesë e Eposit të Veriut. Ti je shndërruar në legjendë. Nesër në gjykatoret shqiptare njerëzve që gjykohen do t’u kërkohet me ngulm besnikëria tek e vërteta, dhe ata nuk do të betohen më ashtu si deri tani, mbi Kod Penal, mbi Ungjill e mbi Kuran, por mbi fotografinë tënde në kornizë ari, që sekretarja e gjyqit do t’ua verë përpara. Parlamentarët e brezave që vijnë do të bëjnë pelegrinazh te varri yt dhe kur të vijë radha të betohen për mandatet, atë rit nuk do ta bëjnë më nëpër salla kuvendi, por në varrezën ku do të prehesh ti, dhe do të venë duart solemnisht mbi gurin tënd të mermertë.
Oh, orakull i pazëvendësueshëm! Kombi të është borxhli për këtë brez politikanësh që na edukove gjatë këtyre viteve. Ty shpesh kundërshtarët banalë të akuzuan për një të kaluarën tënde të shkurtër në radhët e partisë enveriane, por ata nuk arritën kurrë të kuptojnë se sa kohë ishe atje, ti nuk bëre asnjë mëkat. Ata nuk arrijnë të kuptojnë se ti e kreve atë stazh në të mirë të kombit. Ti e shfrytëzove atë parti. Ti nuk more nga ajo as tharmin diktatorial, as egërsinë klasore. Ti ia përvetësove dhe prure tek ne tiparin e vetëm të pastër që kishte partia e komunistëve të hoxhës: besa-besën me shokët e armëve dhe sidomos sidomos përkushtimin fanatik ndaj të vërtetës! Dhe e vure në zbatim.
Oh, orakulli ynë historik, sa shumë do të përmendesh ti në shekujt që vijnë. Kombi shqiptar do t’u tregojë fëmijëve që rriten, jo më përrallat e dala boje me kësulkuqe, me dhi, keca dhe ujq, por historitë e tua, oratoritë e tua poetike, atë ligjërim gurgullues që ta ka zili e tërë bota. Ti do të kujtohesh për tërë ato që ke thënë për shokët e tu të themelimit të partisë në Sheshin e Studentëve, do të jesh i paharruar për të vërtetat e piramidave të Sudes, të vërtetat e nevojave sërbe për naftë, të vërtetat për Zogun, për Rugovën, për UÇK-në. Eh, ç’ke thënë ti për UÇK-në! Pa do të këndojnë njerëzit me çifteli fjalët e tua të arta për grushtet e shtetit në bulevard. Brezat do të këndojnë epopenë e 21 janarit tënd të lavdishëm, kur fshive tërë filmimet dhe u ngjite në lartësitë e Kalifit Omar, i cili dogji bibliotekën e Aleksandrisë me fjalët lapidare “Digjini tërë këto libra, se kemi Kuranin!” Njësoj, ti the: “zhdukini tërë filmimet, a nuk ju mjafton e vërteta që ju tregoj unë?!” Ti do të mbetesh në histori për shpikjen e të vërtetave të përkohëshme, ato që asnjë burrë shteti nuk ka arritur deri tani t’i zbulojë. Nuk është e domosdoshme që të ketë të vërteta të përjetëshme dhe të betonta. Ato, sipas nevojave, mund të ndërrojnë kahje, por duhet një njeri i besueshëm, një shenjt, sikurse je ti, ta bëjë këtë lëvizje. Ishte plotësisht e natyrshme tek ty që për Ahmet Zogun të kesh një herë urrejtje dhe pastaj, pa u ngritur nga varri e pa bërë asgjë, Madhëria e Tij të bëhet shumë i dashur. Kujt ia merrte mendja se bashkëthemeluesi i partisë tënde do të ishte pesë vjet bashkëpunëtori yt, dy vjet bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe, pastaj, deri në përjetësi, hero legjendar i këtij vendi?! Aq të përkohëshme janë të vërtetat, sa këtë hero, herë pas here, vite pas vitesh, sipas teje, e vrasin në atentat, por urdhëruesit dhe killersat nuk janë asnjëherë po ata! E thua ti këtë, se ta thosh dikush tjetër, të gjithë këtë histori do ta kujtonim për marrëzi të klasit më të lartë.
Gjithëçka thua ti, tashmë e tërë bota e beson që është e vërtetë, edhe sikur ajo të mos jetë. Dhe pasi e ke thënë ti, le të guxojë të mos jetë!
E çfarë të të përhiroj më parë ty, orakull lavdimadh, o dashnor i të Vërtetës Absolute! Çfarë të të këndoj më parë, o arkivist besnik i vrasjeve, vjedhjeve, mashtrimeve, aksidenteve që bëhen rretheqark teje. A do të mundet njeri në të ardhmen të tregojë me përpikmëri se kush kreu vrasje, me cilën armë, me cilin kalibër, apo nga cila tytë doli plumbi? Kurrë s’do të munden! Njerëz që do të dëshmojnë vrasjet do të ketë, sigurisht, por jo aqë shkreptimthi sikurse dëshmon ti, që i denoncon këto teksa ka dalë plumbi nga arma, por ende nuk ka arritur te viktima!
Ah, këto mendime bëhen edhe më të dhimbshme sapo të atakosh fantazinë, kur atij populli do t’i mungosh ti.
Jepua këtë parathënie dhjetëditore! Nuk je ti i dënuari. Janë ata! Dënoi këto dhjetë ditë me mungesën tënde! Mungesa dëshmon vlerat, sikurse hija dëshmon diellin. Le ta shohin se sa parlament i mërzitshëm, do të duket pa ty! Le ta shohin kur një popull i tërë do t’u kthejë kurrizin transmetimeve televizive të kuvendit. Është e natyrshme. Cili shqiptar do t’i përfillë më ato pamje televizive, ato, ku askush nuk mund t’u tregojë këtyre qindramijëra njerëzve të papunë, por ama, të etur për të ditur cilat janë kurvat, cilat janë prostitutat, kush tregton mishin e bardhë, kush tradhëton të shoqen, cili është me aids e cili nuk është? Nga cila gojë do të dëgjohen të vërtetat e kulluara, se çfarë bëhet nëpër motelet e vendit tonë të lavdishëm, kush rri pa brekë dhe kush është gati t’i zhveshë ato?
Kush do t’u a thotë këto pas teje, o orakull i vyer, o burrë i lartë i racës së fisme arbërore!